Ballina Bota Trump tërhiqet nga “tërheqja” prej Sirisë

Trump tërhiqet nga “tërheqja” prej Sirisë

Shtëpia e Bardhë njoftoi se misioni amerikan në Siri po i afrohej me shpejtësi përfundimit, por nuk lajmëroi një afat të saktë për tërheqjen e plotë të trupave.

Në një komunikatë për shtyp, Shtëpia e Bardhë shkruan se Shteti Islamik thuajse është shkatërruar dhe se Amerika do të konsultohet me aleatët e saj, për sa u takon planeve të ardhshme.

Javën e shkuar, presidenti Donald Trump deklaroi se SHBA-të do të largohen nga Siria shumë shpejt. Por, mediet raportojnë se këshilltarët e bindën se kjo mund të sillte një ringritje të forcave xhihadiste.

Burime nga administrata amerikane thanë për mediet se, pas takimit me këshilltarët, Trump ra dakord që të mbajë trupat në Siri për një periudhë të pacaktuar, por nuk e kishte aspak me qejf këtë.

“Presidenti e bëri të qartë se nuk dëshiron aspak të flitet për qëndrim afatgjatë në Siri”, citojnë mediet burime nga administrata.

Ekspërtët thonë se ndryshimi i qëndrimit nga Trump, pas konsultimit me këshilltarëtr, është më në fund një shenjë e mirë e presidentit që nuk vepron vetëm me kokën e tij. Shtetet e Bashkuara kanë rreth 2.000 ushtarë në terren, në Lindje të Sirisë, ku mbështet një aleancë milicish arabe dhe kurde, që quhen “Forcat Demokratike Siriane”.

Me ndihmën e sulmeve ajrore të koalicionit të udhëhequr nga SHBA-të, luftëtarët e kësaj force kanë marrë mijëra kilometra katrorë nga duart e Shteti Islamik gjatë 3 viteve të fundit.

@tn.lajmelokale
@tetovanews