Ballina Bota Trump kërcënon përsëri regjimin e Assad

Trump kërcënon përsëri regjimin e Assad

SHBA do të bombardojë përsëri Sirinë nëse do të ketë sulme të reja me armë kimike. Kërcënimi ka ardhur nga Presidenti amerikan, Donald Trump. Ndërkohë, Këshilli i Sigurisë i Kombeve të Bashkuara rrëzoi rezolutën e Rusisë që dënonte sulmet e Perëndimit kundër regjimit të Assad në Siri.

Presidenti Donald Trump ka paralajmëruar qeverinë e Sirisë se SHBA është në gatishmëri për të goditur përsëri nëse kryen sulme të reja kimike. Kërcënimi erdhi pasi Amerika, Britania e Madhe dhe Franca goditën tre zona siriane në përgjigje të një sulmi të dyshuar kimik në qytetin e Doumës një javë më parë. Siria mohon të ketë kryer diçka të tillë dhe thotë se sulmi u fabrikua nga rebelët.

Pas bombardimeve në Siri, Trump ka telefonuar aleatët Emmanuel Macron dhe Theresa May. Kreu i Shtëpisë së Bardhë i ka falenderuar për mbështetjen në sulmin kundër arsenalit të armëve kimike të Assad. Shtëpia e Bardhë konfirmoi më pas se 3 liderët e dakordësuan në faktin që bombardimet kanë patur sukses dhe ishin të nevojshëm për të dobësuar programin e armëve kimike të Damaskut.

Zhvillime të rëndësishme sa i përket kësaj çështjeje ka pasur edhe në Këshillin e Sigurisë së Kombeve të Bashkuara. Ambasadorët kanë refuzuar një rezolutë të Rusisë, aleatit kryesor të Assad, që dënon sulmet në Siri. I dërguari i Moskës në OKB, Vassily Nebenzia akuzoi SHBA-të, Britaninë dhe Francën se kanë shkelur të ligjet ndërkombëtare me bombardimin e fundit. Ndërsa ambasadorja amerikane, Nikki Haley, tha se operacioni ishte “i justifikuar, legjitim dhe i duhuri”.

Ndërkohë, CNN mëson se vendet perëndimore po i japin një shtyse tjetër nismës në OKB për t’i dhënë fund arsenalit të armëve kimike në Siri. Për këtë është përgatitur nga Franca, një rezolutë që kërkon hetimin e ngjarjeve të fundit. Kundërpërgjigja e SHBA, Britanisë së Madhe dhe Francës erdhi pasi disa ditë më parë në Siri u vranë rreth 100 persona dhe 500 të tjerë u helmuan nga sulmi me armë kimike që dyshohet të jetë kryer nga regjimi sirian i Assad./abcnews.al

@tn.lajmelokale
@tetovanews