Ballina Bota Analiza Të gëlltisësh pilulën e hidhur para kamerave

Të gëlltisësh pilulën e hidhur para kamerave

Nga Michaela Küfner

Angela Merkel i la kësaj here mënjanë mësimet e paralajmërimet ndaj presidentit Trump për respektimin e rregullave ndërkombëtare dhe vlerave të përbashkëta. Këtë e bëri presidenti francez të mërkurën me fjalimin e tij të zjarrtë para kongresit amerikan. Në vend të kësaj, Merkel pranoi disa herë, që Donald Trumpi vendos. Dhe vetëm ai. Sigurisht Trump e dëgjoi me dëshirë këtë nga goja e kancelares. Ajo që i mbajti një leksion të shkurtër pak para zgjedhjes së tij për detyrimin ndaj të drejtave të njeriut. Por kjo tani është e shkuar e harruar.

„Presidenti vendos”, tha Merkel kur erdhi fjala për përjashtimin e europianëve nga doganat ndëshkuese për çelikun dhe aluminin që janë vendosur në mars. Sahati bie, më 1 Maj mbyllet afati i përjashtimit nga doganat. Kundërmasat europiane janë në sirtar. Një luftë tregtare duket vetëm një tweet larg.

Jo shkelje e stilit të mirë

Pak para ardhjes në Uashington të kancelares, pala gjermane i kishte ulur kaq shumë pritshmëritë, saqë tani dy orë e gjysmë bisedime me Trumpin të duken të suksesshme, thjesht sepse nuk pati momente për të ardhur turp. Ndryshe si para një viti, kur Trump nuk reagoi ndaj kancelares, që iu lut për një shtrëngim tjetër duarsh para kamerave. Tani vjen strategjia e re e Merkelit: njëherë ndrysho pozicionin e timonit, pastaj ktheje atë që t’i ikësh përplasjes.

Si në rastin e marrëveshjes me Iranin: Europianët i tremben moszgjatjes së marrëveshjes më 12 maj nga presidenti Trump. Ata i tremben pasojave të paparashikueshme në rajon dhe humbjes së besueshmërisë së diplomacisë. Uashingtoni e ka kuptuar, se ka një ndarje të qartë detyrash me presidentin Macron për të shpëtuar marrëveshjen atomike. Para udhëtimit në SHBA, Merkel dhe Macron kishin shprehur shqetësimin për një program konvencional raketash të Iranit. Të martën Macron në takimin me Trump guxoi të ofronte një propozim: „një marrëveshje të re”, shtesë ndaj asaj ekzistuese. Merkel shtoi të premten: Edhe Gjermania mendon se „duhet të bëhet më shumë”, sepse marrëveshja aktuale „nuk mjafton për të arritur atë rol të Iranit që bazohet në besueshmëri.” Merkel i jep të drejtë Trumpit me qëllim që ai të mos e rrafshojë të gjithë atë.

Plaga e vjetër: Shpenzimet për mbrojtjen

Përndryshe Merkel u përpoq të bindte Trumpin, se si duhej parë deficiti i dukshëm gjermano-amerikan në raport me investimet direkte gjermane. Por tek shpenzimet për mbrojtjen nuk mund të bësh më interpretime. Këtu nuk ndihmon as deklarata e butë e Merkelit, se Gjermania tani po rritet në një „rol”, kur „koha e rendit të pasluftës”, ka marrë fund. Objektivi i deklaruar i qeverisë gjermane për rritjen e shpenzimeve buxhetore në 1,3% të prodhimit të brendshëm bruto, për t’iu afruar 2% që kërkon NATO është për Trumpin shumë pak. Këtë e bëri të qartë edhe ministri i ri i Jashtëm, Mike Pompeo në takimin e ministrave të Jashtëm të NATO-s në Bruksel.

Trump tha, se atij i mungon reciprociteti në marrëdhënien gjermano-amerikane. Por marrëdhënia e tij personale me „Angela-n” ka qenë qenë „GREAT”- fantastike” nga fillimi. Ajo „është një grua e jashtëzakonshme.” E kjo grua e jashtëzakonshme e paraqet veten me theks të fortë çtensionues. Sipas motos: Ne i japim atij pak të drejtë, dhe bota ka ndoshta paqen. Të paktën për një kohë të shkurtër. Të paktën për temën e Iranit. Për Sirinë. Për tregtinë e lirë.

Ky do të ishte një „deal”-marrëveshje e mirë. Por dëse do të dalë kështu në fund, do ta marrim vesh shpejt përmes Twitterit.

Loading...