Ballina Aktualitet Maqedonia e Veriut TATIMI PROGRESIV: A është ajo që na duhet tani?

TATIMI PROGRESIV: A është ajo që na duhet tani?

Para se qeveria të rikthej konceptin e tatimit progresiv, duhet seriozisht të mendoj në drejtim të krijimit të një buxheti të bazuar në performancë, i cili do të mundësoj një prioritet të përmirësuar të shpenzimeve publike dhe përmirësimin e efikasitetit në sigurimin e shërbimeve publike. Një buxhet i bazuar në performancë do të siguroj një ndërlidhje më të drejtpërdrejtë të politikave, gjegjësisht të planeve të qeverisë, punës së menaxhimit publik dhe administratës, ndarjes së mjeteve buxhetore dhe rezultateve të tyre

Nga Bilall KASAMI

Për të sqaruar që në fillim opinionin, jam dakord se për të implementuar politika sociale më dinamike, duhen më shumë mjete buxhetore në dispozicion të kreatorëve të politikave fiskale. Rrjedhimisht, në një shtet si Maqedonia, në mungesë të resurseve natyrore dhe me një nivel jo të kënaqshëm të zhvillimit teknologjik, njëra ndër mundësitë e rritjes së mjeteve buxhetore është edhe rritja e tatimeve. Dhe, krejt natyrshëm për një parti social-demokrate është rikthimi i konceptit të tatimit progresiv. Por, ajo që dua të potencoj në këtë tekst ka të bëjë me momentin e implementimit të tatimit progresiv apo thjeshtë thënë a është e përgatitur qeveria për një hap të tillë.

Pra, para se të vijmë deri te momenti i ndryshimit të tërësishëm të konceptit të politikave fiskale, nga ato që bazohen në tatimin e sheshtë drejt atyre të tatimit progresiv, qeveria duhet të ndërmarrë një sërë aktivitetesh paraprake për të përgatitur sektorin real për një ndryshim kaq radikal.

Këtu, më poshtë do të shpalos vetëm disa ide se çka duhet të ndërmarrë qeveria për të implementuar me sukses një polikë fiskale që mbështetet në tatimin progresiv në vend të tatimit të sheshtë. E gjithë kjo, në një mënyrë apo tjetër është notuar edhe nga institucionet financiare ndërkombëtare në vazhdimësi në raportet e tyre për Maqedoninë. Njëherësh këto janë edhe pikat kryesore të programit ekonomik të Lëvizjes BESA si një ofertë ekonomike që mbështetet në politika fiskale që zhvillimin ekonomik e shohin më shumë se sa vetëm një rritje ekonomike.

Do të fillojë me trajtimin e një problematike që lirisht mund ta vlerësojmë se është pika neurologjike e sistemit fiskal të Maqedonisë, administrata tatimore. Pra, para se të ndërmerret çfarëdolloj hapi drejt ndryshimit të sistemit fiskal, qeveria e Maqedonisë duhet që të ngre një administratë profesionale tatimore, e cila sektorin real do ta trajtoj me një respekt të veçantë dhe jo si disa kriminelë që në parim janë të prirë për evazion fiskal. Më shumë se çdo kund tjetër këtu duhet të vlejë parimi kushtetues se nuk je fajtor para se të vërtetohet faji. Këtë e potencoj sepse sot, administrata fiskale sektorin real e trajton sikur ata janë kriminelë, me qasjen se të gjithë janë fajtorë dhe afaristët janë ata që duhet vërtetuar pafajësinë e tyre

Për të vazhduar më tej më një problematikë që nuk është më pak e rëndësishme se e para, e që ka të bëj me evazionin fiskal. Duke e ditur që Maqedonia ka një ekonomi jo shumë të zhvilluar më një praktikë jo të gjatë në drejtim të implementimit të politikave ekonomike që mbështeten në ekonomin e tregut. Nëse kësaj ia shtojmë edhe mungesën e institucioneve kredibile që janë përcjellëse të ekonomisë, që mbështetet në iniciativën private dhe tregun si parametër kryesor i aktivitetit ekonomik, atëherë më prioritet mbi prioritetet bëhet përpilimi i një strategjie shtetërore kundër evazionit fiskal. Gjithqysh që kjo strategji mos të mbetet vetëm një dokument, që do të ruhet në sirtarë të institucioneve shtetërore, në përpilimin e saj duhet të përfshihen të gjitha sektorët e shoqërisë, duke nisur nga ai i ekonomisë reale, akademikë, konsumatorë, ekspertë të jashtëm e të tjerë. E gjithë kjo me një dinamikë racionale kohore të implementimit të saj e që do të mbështetej në qasjen implementimit të saj hap pas hapi. Në çdo hap do të kishte indikatorë të vlerësimit të suksesit dhe mundësi revidimi, gjegjësisht përmirësimi të stategjisë nëse vlerësohet se në një moment ajo nuk i jep rezultatet e parashikuara.

Një çështje tjetër që për nga rëndësia sektori real do ta kishte renditur në vend të parë, ka të bëjë me shlyerjen e rregullt të obligimeve të institucioneve shtetërore, qendrore dhe lokale, ndaj kompanive private. Dhe kur jemi këtu, nuk mund të themi se është një çështje që kërkon që bartësit e politikave ekonomike të lodhen shumë në përpilimin e një strategjie perfekte. Minimumi i nevojshëm është disiplina maksimale e institucioneve publike në drejtim të shlyerjes së rregullt të obligimeve të tyre ndaj sektorit privat. Qasja duhet të jetë po ajo që mbisundon kur është në pyetje sektori privat. Derisa ka nj qasje speciale ndaj sektorit publik, nuk mund të ketë disiplinë fiskale të bartësve të këtyre institucioneve. Nëse kësaj ia shtojmë faktin se sot qeveria me gjithë institucionet që janë në vartësi të saj është borxhliu më i madh i sektorit privat, problemi me të vërtet bëhet serioz. Në një situatë të tillë, qeveria si bartëse e politikave fiskale nga gjenerator i zhvillimit ekonomik bëhet pengesa kryesore e një zhvillimi që qëndrueshëm dhe më dinamik ekonomik.

Një dimension tjetër, që kërkon një trajtim të veçantë sa i përket politikës fiskale si një gjenerator i një zhvillimi ekonomik, ka të bëjë me rritjen e investimeve kapitale në strukturën e shpenzimeve publike. Pra, njihet mirë nga njohësit e problematikave ekonomike se vlerësimi i një buxheti si i mirë apo i keq për ekonominë e një vendi nuk varet vetëm nga volumi i tij. Jo gjithmonë një buxhet i madh është i dëmshëm për sektorin real ashtu si që një buxhet më i vogël detyrimisht nuk paraqet lehtësim për sektorin në fjalë. Rrjedhimisht më shumë se volumi i një buxheti duhet analizuar struktura e tij. Dhe kur jemi këtu, teoricienët e politikave fiskale pretendojnë se komponenti kapital i buxhetit qëndron në proporcion të drejtë me mundësinë që buxheti të jetë gjenerator i zhvillimit ekonomik.

Para se qeveria të rikthej konceptin e tatimit progresiv, duhet seriozisht të mendoj në drejtim të krijimit të një buxheti të bazuar në performancë, i cili do të mundësoj një prioritet të përmirësuar të shpenzimeve publike dhe përmirësimin e efikasitetit në sigurimin e shërbimeve publike. Një buxhet i bazuar në performancë do të siguroj një ndërlidhje më të drejtpërdrejtë të politikave, gjegjësisht të planeve të qeverisë, punës së menaxhimit publik dhe administratës, ndarjes së mjeteve buxhetore dhe rezultateve të tyre.

Në situatën kur Maqedonia për këto njëzet e pesë vjet të transformimit të sistemit ekonomik, gati se në çdo dy vjet ballafaqohet me cikle zgjedhore dhe kur e kemi parasysh faktin se në shtete si Maqedonia zgjedhjet në masë të madhe determinojnë edhe përpilimin e politikave fiskale, një qasje e tillë e përpilimit të buxhetit do të ishte më se e nevojshme. Pra, një qasje e përpilimit të buxhetit bazuar në performancë do të mundësonte që votuesit më lehtë të vlerësojnë suksesin, gjegjësisht dështimin e politikave ekonomike dhe në kuadër të tyre edhe politikave fiskale.

Dhe, çështja e fundit që dua të shpalos këtu, edhe pse e fundit në renditje nuk është më pak e rëndësishme, ndërlidhet më problematikën e deficitit buxhetor dhe borxhit publik. Ruajtja e nivelit të arsyeshëm të deficitit buxhetor dhe borxhit publik, pa pasur rrezik për aftësinë fiskale në servisimin e borxheve duhet të jetë njëra ndër prioritet e çdo qeverie pa marrë parasysh orientimin e saj ideologjik dhe përcaktimin programor. Edhe kjo problematikë bëhet gjithnjë e më serioze ashtu si rritet borxhi publik në përmasa shqetësuese kohëve të fundit. Duke e ditur që borxhi publik i Maqedonisë në masë të madhe është akumuluar si rezultat i politikave të dështuara ekonomike ndër vite, volumi i tij nuk mund të trajtohet njëjtë si volumi i borxhit publik të një shtetit të zhvilluar ku borxhi publik është akumuluar si rezultat i krijimit të një vlere të re ekonomike.

Këto ishin vetëm disa nga hapat e nevojshëm që duhet të ndërmerren nga qeveria para se të vijmë te nevoja e ndryshimeve kaq serioze në vetë konceptin e tatimimit nga tatimi i sheshtë drejtë tatimit progresiv. Hapa këto që në masë të madhe do të lehtësonin edhe implementimin e tatimit progresiv. Por, fatkeqësisht nuk na mbetet gjë tjetër vetëm se të konstatojmë se edhe futja e tatimit progresiv është një masë jo mirë e përpunuar e cila nuk do të ketë efektet e paralajmëruara në funksion të zhvillimit ekonomik, ashtu siç nuk i dha efektet e proklamuara me të madhe nga qeveria paraprake implementimi i tatimit të sheshtë.

@tn.lajmelokale
@tetovanews