Ballina Aktualitet Lajme Skandali i poezive: Drejtori maqedonas mjaftohet me kërkimfalje, zv-drejtori shqiptar nuk bën...

Skandali i poezive: Drejtori maqedonas mjaftohet me kërkimfalje, zv-drejtori shqiptar nuk bën zë (Video)

Edhe përkundër presionit të madh të opinionit lidhur me skandalin me poezitë me përmbajtje anti shqiptare dhe seksiste, drejtori i Agjencisë për Rini dhe Sport, Darko Kaevski, i cili njëherësh është edhe redaktor i librit “Poetët e rinj”, nuk dha dorëheqje.

Kaevski kërkoi falje për publikimin e këtyre poezive, tha se ndjen përgjegjësi morale dhe profesionale, por marrja e përgjegjësisë nuk përfshin dorëheqjen e tij, për shkak se ai arsyetohet që nuk e ka parë përmbajtjen e poezive dhe se filtrat nëpër të cilat ka kaluar ky libër është dashur që të detektojnë këto gabime dhe më pas ta informojnë atë, gjë që ai thotë se nuk e kanë bërë.

Për këtë arsye Kaevski theksoi se do të bëhet hetim i përgjithshëm i rastit, dhe se do të dënohen në mënyrë të përshtatshme të gjithë subjektet që me ose pa qëllim kanë kontribuar që të ndodh ky gabim.

DARKO KAEVSKI, DREJTOR I AGJENCISË PËR RINI DHE SPORT

“Unë si drejtor i agjencisë për të rinj dhe sport ndjej përgjegjësi për gjithë këtë, por ndjej akoma më shumë përgjegjësi profesionale që ta zgjedhim të gjithë këtë që të theksohet sakt se ku qëndron përgjegjësia.

Unë si drejtor i kam bërë hapat se çfarë duhet të përmbajë kjo përmbledhje por jo edhe përmbajtjen… Unë nuk e drejtoj fajin vetëm kah komisioni, e drejtoj fajin edhe kah unë si drejtor edhe kah institucioni dhe për këtë theksova se do të bëjmë gjithçka që është nën kompetencat tona që ta zbardhim këtë rast dhe sakt ta detektojmë fajin…”

Ai thotë se është emëruar komision ekspertësh të jashtëm dhe se ata është deshur që të bëjnë vlerësimin.

Ai nënvizoi se në vendimin për formimin e komisionit ekspert, në pikën 3 në pjesën e dytë thuhet, ‘komisioni do të bëjë selektim të krijimeve të dërguara për përbledhjen e poezive Poetët e rinj, dhe do të parashtrojë raport të shkruar deri tek drejtori I Agjencisë për rini dhe sporte.

Në pikën 4 anëtarët e komisionit të ekspertëve, obligohen që punën ta kryejnë në mënyrë të ndërgjegjshme, profesionale dhe paanësisht në pajtueshmëri me rregulloren ligjore të Maqedonisë.

DARKO KAEVSKI, DREJTOR I AGJENCISË PËR RINI DHE SPORT

“Pritjet e mia ishin që komisioni i zgjedhur i ekspertëve dhe përgjegjësit për këtë projekt në korniza të Agjencisë për Rini dhe Sport, do të vërenin që mes shumë poezive të autorëve të rinj do të gjejnë përmbajtje të tillë, se do të reagojnë dhe nuk do të lejojnë që ajo të miratohet dhe të publikohet. Për fat të keq ajo nuk ka ndodhur.

Sot kam pasur takim me drejtorin e komisionit I cili më informoi se ata nuk kanë qenë të vetëdijshëm se duhej të bënin seleksionime dhe të largojnë ndonjë poezi. Sa i takon përmbajtjes, ata thonë se kanë të drejta të shprehjes, unë kam qëndrim të ndryshëm”

Për këtë projekt janë ndarë 150 mijë denarë, dhe pasi të detektohet fajtori, i njejti do të duhet të paguajë këtë shumë të të hollave.

Derisa drejtori i Agjencisë doli në konferencë për media, zv/drejtori shqiptar Gazmend Ristemi, i emëruar në këtë post përmes partisë së Vesel Memedit, nuk e pa të udhës që të prononcohet lidhur me këtë skandal./SHENJA/

@tn.lajmelokale
@tetovanews