Ballina Bota Komunizmi “hyn vjedhurazi” në SHBA, studentët kinezë themelojnë celula komuniste në universitetet...

Komunizmi “hyn vjedhurazi” në SHBA, studentët kinezë themelojnë celula komuniste në universitetet amerikane

Në korrik të vitit të kaluar, një grup prej 9 studentësh nga Huanzhong University që merrte pjesë në një program veror në Universitetin e Ilinoisit themeloi një degë të Partisë Komuniste.

Grupi mbajti takime të rregullta në konviktin e universitetit, ku u diskutua për ideologjinë partiake.

Universiteti kinez kishte dërguar bashkë me studentët edhe 4 profesorë, të cilët do të jepnin direktiva për ngritjen e një celule partie dhe do të shërbenin si udhëheqës ideologjikë gjatë kohës së qëndrimit në SHBA.

Universiteti i Ilinoisit ka partneritet me disa universitete kineze, me të cilat shkëmbejnë rregullisht programe.

Të paktën dy prej këtyre universiteteve i kanë udhëzuar studentët të formojnë celula të tilla në kampusin universitar Urbana-Champain, shkruan “Foreign Policy”, e cila u referohet artikujve të postuar në faqen e universitetit (që rezultojnë të fshirë).

Të kthyer në vendin e tyre, studentët kinezë janë pyetur në lidhje me performancën e tyre në këtë aspekt në SHBA.

“Pasi u kthyem në Kinë, ne patëm takime tek e tek me profesorët tanë. Biseduam për performancën vetjake dhe ato të shokëve gjatë qëndrimit në SHBA”, citohet një student.

Por mesa duket, Ilinoisi nuk është i vetmi universitet që është përballur me këtë fenomen. Celula të tilla janë shfaqur në Kaliforni, Ohajo, Nju-Jork, Konektikar, Dakotën e Veriut dhe Virxhinian Perëndimore.

Këto celula duket se janë pjesë e një strategjie, e cila është intensifikuar gjatë drejtimit të presidentit Xi Jingping.

Kjo strategji ka për qëllim zgjerimin e kontrollit të drejtpërdrejtë të Partisë Komuniste në nivel global dhe mbrojtjen e studentëve që udhëtojnë jashtë nga ato që regjimi i konsideron si ideologji të dëmshme.

Në funksion të kësaj të fundit përdoren edhe intervistat pas kthimit, kur studentët merren në intervista private gjatë të cilave raportojnë për veten dhe shokët.

Qëkur mori pushtetin në fund të vitit 2012, presidenti Xi Jingping ka ndërmarrë një fushatë të gjerë që ka për qëllim përqendrimin e pushtetit partiak në duart e tij. (TemA TV)

@tn.lajmelokale
@tetovanews