Ballina Aktualitet Kosovë Dy policët e zhdukur, edhe sot vazhdojnë kërkimet për gjetjen e tyre

Dy policët e zhdukur, edhe sot vazhdojnë kërkimet për gjetjen e tyre

Derisa dje kanë përfunduar pa sukses kërkimet për gjetjen e dy policëve të Kosovës, sot ato do të vazhdojnë me shpresë se do të zbardhet fati i tyre.

Malsor Shemsedin Dashi dhe Armend Mifail Trena janë zhdukur që nga mbrëmja e së shtunës në rrugën Hani i Elezit-Kaçanik.

Policia e Kosovës thotë se për shkaqe ende të panjohura, vetura në të cilën gjendeshin dy policët kishte humbur kontrollin dhe kishte dalë nga rruga, duke rënë nga një lartësi në rrjedhën e lumit Lepenc.

Vetura është nxjerrë nga lumi, ndërkohë që dje gjatë ditës janë bërë kërkime nga FSK-ja, njësitë për kërkim-shpëtim dhe banorët e komunave Hani i Elezit dhe Kaçanik.

Lidhur me këtë rast kryeministri Ramush Haradinaj ka pasur një takim me ministrin e Brendshëm Bejtush Gashi, UD e drejtorit të Policisë së Kosovës, Naim Rexha, nga të cilët ka marrë raportin për ecurinë e deritashme të kërkimeve, si dhe procedurat e mëtejme për këtë ngjarje.

Kryeministrit Haradinaj nuk i ka mjaftuar vetëm ky takim për të marrë informacione mbi rastin e dy policëve aktualisht të zhdukur, por ai ka dalë edhe në vendin e ngjarjes, ku ka thënë se pavarësisht gjendjes së rëndë, ende nuk duhet menduar se ka ndodhur më e keqja.

Madje, ai ka paralajmëruar se do t’i telefonojë edhe homologut të tij maqedonas, Zoran Zaev për të vazhduar kërkimet edhe në anën e territorit të Maqedonisë, ndonëse kanë mbetur edhe dy kilometra për të vazhduar kërkimet brenda Kosovës.

Derisa Maqedonia pritet të angazhojë edhe njësinë speciale për kërkimin e dy policëve, qytetarët e Kosovës nëpërmjet rrjeteve sociale, kanë bërë ftesë që të bashkohen në kërkimin e policëve të zhdukur pas aksidentit. /KosovaPress/

@tn.lajmelokale
@tetovanews