Ballina Bota Demokratët padisin Trumpin, Rusinë dhe “Wikileaks”-in

Demokratët padisin Trumpin, Rusinë dhe “Wikileaks”-in

Komiteti Kombëtar Demokratik ka paditur drejtuesit e fushatës së Trumpit, Rusinë dhe themeluesin e “Wikileaks”-it, Jualian Assange, sikurse edhe disa bashkëpunëtorë të presidentit Donald Trump, mbi të cilët ka ngritur akuzat e një shantazhimi të madh, piratimit kompjuterik dhe komplotit mashtrues që dëmtoi demokratët përmes publikimeve nga “Wikileaks” të “e-mail”-eve të brendshme partiake gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016.

Mes emrave të përmendur në aktpadi janë disa prej këshilltarëve më të lartë të Trumpit, që morën pjesë në takimin e turpshëm të qershorit 2016 në kullën “Trump”, besniku Roger Stone, kreu i fushatës së presidentit, Paul Manafort, si dhe ish-këshilltari i fushatës, George Papadopoulos, veç të tjerëve.

Aktpadia 66-faqëshe e dorëzuar në Gjykatën Federale të Manhattanit këtë të premte hedh dritë mbi atë sesi Trumpi shfrytëzoi favoret në Rusi përmes bizneseve të tij familjare, e më pas Rusia bashkëpunoi me këshilltarët e presidentit të tanishëm përpara zgjedhjeve presidenciale për të nxjerrë “të palarat” përmes një sulmi kibernetik drejtuar Komitetit Kombëtar Demokratik.

Partia Demokratike pretendon se komploti dhe piratimi dëmtuan marrëdhëniet e saj me votuesit, ftohu donatorët, ndërprenë konventën e tyre politike dhe nënshtruan anëtarët e stafit përballë ngacmimeve të ndryshme. Padia ligjore përshkruan pothuajse çdo komunikim të njohur mes këshilltarëve të Trumpit dhe rusëve.

“Washington Post” ishte e para që raportoi mbi aktpadinë. Një hetim mbi përpjekjet e Rusisë për të ndërhyrë në zgjedhjet e 2016-s nisi nga prokurori special Robert Mueller, i emëruar nga zv.prokurori i Përgjithshëm, Rod Rosenstein, vitin e kaluar.

Si pjesë e mandatit të tij, Mueller u autorizua të hetonte çdo lidhje të mundshme mes qeverisë ruse dhe bashkëpunëtorëve të fushatës së Trumpit.

Komuniteti i shërbimeve sekrete amerikane doli në përfundimin se presidenti rus, Vladimir Putin “urdhëroi një fushatë ndikimi” në vitin 2016, me objektivin për të minuar besimin publik në procesin demokratik amerikan dhe për të sfumuar mundësitë e Hillary Clintonit drejt fitimit të të drejtës për të hyrë në Shtëpinë e Bardhë.

Trump, gjithsesi, ka këmbëngulur vazhdimisht se nuk ka pasur asnjë bashkëpunim mes drejtuesve të fushatës së tij dhe rusëve, e ka denoncuar madje hetimin e prokurorit special si një “gjueti shtrigash”.

Në verën e vitit 2016, Komiteti Kombëtar Demokratik doli publikisht me pretendimet se “hacker”-at rusë kishin pasur qasje në sistemet e tyre kompjuterike, duke siguruar “e-mail”-e dhe kërkime kundër Trumpit.

Asokohe, vetëm pak ditë përpara Konventës Kombëtare Demokratike, kur Clintoni pritej të merrte nominimin presidencial nga partia, “Wikileaks” publikoi dhjetëra mijëra “e-mail”-e të piratuara të Komitetit Kombëtar Demokratik.

Publikimi i atyre “e-mail”-eve, që përfshinin edhe mesazhe përçmuese ndaj Bernie Sanders, e futën Partinë Demokratike në një situatë tensionesh të brendshme, në një kohë kur partia duhej të ishte e bashkuar në mbështetje të kandidates së tyre për presidente, e përshkallëzoi betejën mes mbështetësve të Clintonit e Sandersit./TCH/

@tn.lajmelokale
@tetovanews