Ballina Aktualitet Lajme ASH dhe BDI ‘kacafajten” në gjimnazin e Gostivarit: Nga sherri verbal u...

ASH dhe BDI ‘kacafajten” në gjimnazin e Gostivarit: Nga sherri verbal u kalua në rrahje fizike, ka të lënduar

Incidenti që ndodhi sot pasdite, rreth orës 14:30, në gjimnazin e Gostivarit ka ndezur zjarrin e mosdurimit mes degëve të Aleancës për Shqiptarët dhe BDI-së në Gostivar. Sipas informacioneve paraprake nga policia, në oborrin e gjimnazit është regjistruar një rast i prishjes së rendit dhe qetësisë, ku u përfshinë katër persona, dy të punësuar në këtë shkollë dhe dy persona të tjerë. Pati edhe sulm fizik, të paraprirë nga sherri verbal, që përfundoi me një person të lënduar, transmeton Tetova News.

Nga Aleanca për Shqiptarët akuzon se me instruksionet e BDI-së dhe të drejtorit aktual Xhezi Kamberi, në gjimnaz janë sulmuar dy profesorë dhe se motivet ishin politike.” I bëjmë thirrje Zaevit, Spasovskit dhe Deskovskës që t`i ndalin banditët e BDI-së në Gostivar, kurse institucionet kompetente ta sanksionojnë këtë sjellje”, deklaruan nga Aleanca.

Me reagimin e tyre dolën edhe nga dega e BDI-së. Sipas tyre, dy profesorët ishin ata që sulmuan drejtorin e gjimnazit. “dënojmë sjelljen e këtillë të dy personave që janë aktivistë partiakë të Aleancës dhe i bëjmë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që me vëmendje të ndjek aktivitetet banditeske të Taravarit dhe njerëzve të tij”, thuhet në kumtesën e BDI-së.

Nga Sektori për Punë të Brendshme informojnë se rasti është në fazën e zbardhjes, po punohet për detajet, llojin dhe natyrën e lëndimeve dhe gjithçka tjetër. Me më shumë informacione do të dalin gjatë ditës së nesërme.

Xhezi Kamberi, kuadër i BDI-së është njëri nga drejtorët që u kthye në vendin udhëheqës nëpër shkolla pasi Ministria e Arsimit i mori kompetencet kryetarit të Komunës së Gostivarit./TetovaNews

@tn.lajmelokale
@tetovanews