Ballina Bota Analiza ANALIZA: Pse Thaçi e Limaj mund të bëhen shkaktarët e rrëzimit të...

ANALIZA: Pse Thaçi e Limaj mund të bëhen shkaktarët e rrëzimit të Haradinajt nga pushteti

Nga Blendi Gashi

Qeveria e Kosovës, më 19 prill miratoi Platformën shtetërore për finalizimin e dialogut me Serbinë, për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve, me ç’rast e autorizon presidentin Hashim Thaçi si udhëheqës të delegacionit negociator në bisedimet për arritjen e një marrëveshje mes dy vendeve të dala nga konflikti i vitit 1998/99.

Por lënia e dialogut në dorë të Thaçit po ngjall reagime të mëdha jo vetëm tek opozita por edhe tek partitë brenda koalicionit qeverisës, pasi e shohin si një njeri jo unik për të drejtuar fazën finale të bisedimeve.

Ndërsa Haradinaj, pas platformës së miratuar ka deklaruar se qeveria vetëm e sponzorizon dhe Kuvendit i mbetet më pastaj që të vendosë, kreu i NISMA-s, Fatmir Limaj haptas në një emision televiziv ka treguar mosbesimin ndaj ish-mikut të tij, Thaçit, duke thënë se nuk është njeriu i duhur për t’i udhëhequr bisedimet me Serbinë.

Nisma ka problem nëse këto bisedime i udhëheq Hashim Thaçi. Ne kërkojmë që udhëheqësi i këtyre bisedimeve duhet ta këtë besimin e  të gjithë partive në Qeveri dhe nga Kuvendi i Kosovës”, ka deklaruar Limaj.

Ai thotë se të gjithë partitë duhet ta thonë fjalën e tyre për çështjen e dialogut.

Haradinaj ka folur ne emër të partisë së vet. Qeveria, Kuvendi dhe partitë e tjera nuk e kanë dhënë ende fjalën se kush do ti udhëheq këto bisedime”, ka thënë Limaj, duke shtuar se partia që udhëheq do të kërkojë që drejtuesi i bisedimeve të raportojë për çdo gjë që ndodh në Bruksel.

Por partneri kryesor i koalicionit, PDK-ja kërkon që Thaçi të udhëheq dialogun me Serbinë.

Kreu i kësaj partie, Kadri Veseli në një emision televiziv ka thënë se pret mbështetjen e LDK-së për propozimin që Thaçi të udhëheqë bisedimet, edhe pse partia e Isa Mustafës haptas ka dalë kundër një ideje të tillë.

Duke parë deklarimet “pro et contra” të Veselit e Limajt, tregohet qartë se aktualisht nuk ka një unitet brenda qeverisë për çështjen në fjalë, e cila mund të shkaktojë përçarje të mëdha mes tyre.

Thënë troç, dy-ish miqtë Thaçi e Limaj po vazhdojnë “luftën” mes tyre dhe nga kjo armiqësi më së shumti mund ta pësojë Haradinaj i cili mund ta humbas karrigen e pushtetit nëse Kuvendi nuk vendos që presidenti të udhëheq bisedimet, çka është e mundshme nëse deputetët e NISMA-s nuk japin votën “pro”.

Sigurisht se kjo gjë do të mësohet në momentin që platforma do të diskutohet në një nga seancat plenare ku edhe do vendoset nëse do i jepet apo jo leja Thaçit të udhëheq bisedimet.

Kujtojmë se në platformën tetë-pikëshe ndër të tjera thuhet se “Kosova pret që përfundimi i bisedimeve të çojë në njohje të ndërsjellë duke respektuar sovranitetin dhe tërësinë tokësore, anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, përkrahjen dhe garantimin e zbatimit të marrëveshjes nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”. (tesheshi)

@tn.lajmelokale
@tetovanews