Ballina Bota Analiza ANALIZA: Kërcënimet përtej bontonit diplomatik

ANALIZA: Kërcënimet përtej bontonit diplomatik

Kërcënimet ndaj kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe falënderimi ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi nga ana e presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, lidhur me arrestimin dhe deportimin e 6 shtetasve turq nga autoritetet e Kosovës, janë përtej çdo bontoni diplomatik, vlerësojnë njohës e marrëdhënieve diplomatike dhe të çështjeve politike në vend.

Gjatë një fjalimi të mbajtur në kongresin e rregullt të partisë në pushtet AKP, ditën e diel, presidenti turk Erdogan, ka thënë se “e falënderon presidentin e Kosovës”.

Ndërkaq “ kryeministrit i them ‘turp’”, ka thënë Erdogan. Edhe ditën e shtunë presidenti turk ka kërcënuar kryeministrin e Kosovës, Haradinajn, duke thënë se “do të paguajë” dhe se së shpejti do t’i përfundojë karriera, për shkak se ky i fundit ka larguar nga detyra kreun e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë dhe ministrin e Punëve të Brendshme, për shkak se nuk e kishin njoftuar për operacionin e arrestimit dhe deportimit të shtetasve turq.

Valon Murtezaj, ish-zëvendësministër i Punëve të Jashtme i Kosovës, në mandatin e kaluar të ekzekutivit, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se sipas parimeve themelore të marrëdhënieve ndërkombëtare, konsiderohet e papranueshme që një Qeveri të ndërhyjë në punët e brendshme të një shteti tjetër.

“Vendet serioze dhe liderët seriozë kanë respekt për njëri-tjetrin edhe kur kanë mospajtime, nganjëherë edhe mospajtime të thella, për sjelljet respektive në vendet e ndryshme.

Ne duhet të nisemi nga një parim themelor, i cili është i vlefshëm edhe për ne në Kosovë, që ne nuk përzihemi dhe nuk duhet të merret anë në konfliktet e vendeve të tjera. Megjithatë, nuk lejohen as ndërhyrjet e vendeve të tjera, në territorin apo në sovranitetin e Kosovës në këtë rast”, tha Murtezaj.

Politologu Belul Beqa, thotë për Radion Evropa e Lirë se pas situatës së krijuar pas arrestimit dhe deportimit të 6 shtetasve turq nga Kosova për në Turqi, si dhe deklaratave që së fundmi janë bërë nga presidenti turk Erdogan, duhet pasur kujdes që çështja e lidhjeve autoritare të lidershipeve në Turqi dhe në Kosovë, të mos ndërlidhen me orientimet e shtetasve të Turqisë, kur bëhet fjalë për raportet e tyre ndaj Kosovës.

“Gjithsesi është një grusht i rëndë, i cili e ka dëmtuar një raport të shkëlqyeshëm që e kanë pasur këto dy shtete. Por, veprimet autoritare nuk do të ishte mirë që t’i identifikojmë me orientimet e shoqërive në Turqi dhe në Kosovë.

Këto janë veprime të liderëve autoritarë dhe duhet të kemi kujdes që liderët autoritarë të mos kenë vend dhe hapësirë as në Kosovë e as në Turqi.

Sa më shumë që përshpejtohet procesi i largimit të tyre, aq më shumë dhe më shpejtë mund të përforcohet prapë raporti i mirëfilltë i interesave të ndërsjella, duke respektuar sovranitetin e ndërsjellë dhe duke respektuar interesat e përbashkëta në mes Turqisë dhe Kosovës”, tha Beqa.

Në anën tjetër, përkundër dy deklaratave radhazi të presidentit turk Erdogan, përmes të cilave ka kritikuar, por edhe kërcënuar kryeministrin Haradinaj, ky i fundit nuk ka reaguar deri më tash.

Murtezaj vlerëson se deklaratat e Erdoganit, por edhe mosreagimi i Haradinajt, flasin për dy mentalitete të ndryshme të qasjes ndaj politikës, por edhe diplomacisë.

“Ndoshta, nuk duhet që të merremi me secilën deklaratë, mirëpo ajo tregon edhe realitetin dhe mentalitetin qeverisës në atë pjesë të botës. Prandaj, Kosova duhet të ketë një mentalitet qeverisës evropian, të cilin e ka pasur vazhdimisht dhe shpresojmë, si dhe duhet që të gjithë të punojmë që kjo të mbetet vlera themelore, sepse bazamenti i ndërtimit të shtetit të Kosovës është respektimi dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut. Mbi këtë është ndërtuar shteti i Kosovës dhe vetëm mbi këto parime mund të mbijetojë shteti i Kosovës”, tha Murtezaj.

Të enjten e javës së kaluar në Kosovë janë arrestuar dhe më pas deportuar për në Turqi gjashtë shtetas turq. Pesë prej të dëbuarve ishin punonjës në shkollat “Mehmet Akif” në Kosovë, pronë e klerikut turk Fethullah Gulen, ndërkaq personi i gjashtë ishte një mjek turk. Erdogan, e fajëson klerikun Gulen për një përpjekje grusht-shteti në Turqi më 2016.

@tn.lajmelokale
@tetovanews