Ballina Suplement Arsimi RAPORTI SHQETËSUES: S’ka shkollë pa probleme

RAPORTI SHQETËSUES: S’ka shkollë pa probleme

Ajo që mbetet ende më shqetësuese se kaq ka të bëjë me moskualifikimin e duhur të profesorëve dhe mosrealizimin e orëve të lira me programe arsimore për nxënësit ashtu sikurse edhe mos pjesëmarrja e këtyre të fundit nëpër gara të diturisë. E thënë ndryshe, nxënësit shmangin të sprovojnë dijet e tyre, dhe orët e aktiviteteve të lira i shfrytëzojnë për të ikur nga shkolla

Laura PAPRANIKU

Shkup, 16 mars – Vështirë se mund të gjendet ndonjë element i rëndësishëm i funksionimit të shkollave ku gjërat të shkojnë ashtu sikurse duhet. Duke nis me gjendjen fizike të objekteve e pajisjeve për mësim, për të vazhduar pastaj me realizmin e programeve mësimore apo kualifikimin e kuadrit mësimdhënës, e deri te niveli i diturive dhe shkalla e ndërgjegjësimit të nxënësve, si shkollat fillore ashtu edhe shkollat e mesme tregohen të dobëta, shkruan gazeta KOHA. Kështu të paktën ka konstatuar Inspektoratit Shtetëror të Arsimit në Raportin për cilësinë e procesit edukativo-arsimor të 162 shkollave. Këto shkolla, 115 fillore dhe 47 të mesme kishin realizuar paraprakisht evaluimin e brendshëm, pasi Ligji parasheh që çdo tre vjet, shkollat të bëjnë evaluimin e brendshëm dhe pas kësaj ISHA të kryejë evaulimin integral në bazë të të cilit përpilohen edhe raportet e cilësisë. Në Raportin që ISHA përpiloi për vitin shkollor 2016/2017, është konstatuar se pjesa dërmuese e shkollave në Maqedoni janë të pasigurta në rast rreziku nga vërshimet dhe zjarri.

“Në më tepër se mbi 80 për qind e shkollave nuk funksionojnë hidrantet, ndërsa nuk janë serbizuar në kohë as aparatet kundër zjarrit. Po kaq shkolla nuk janë të siguruara”, vërehet në atë Raport. Për këtë arsye, ISHA i këshillon shkollat për më tepër bashkëpunim me themeluesit. Shkollat janë gjithashtu me ambiente të papërshtatshme për mësim, shpeshherë me kabinete të pa shfrytëzueshme dhe me pajisje të papërdorshme të teknologjisë informative, respektivisht me kompjuterë të dalë nga përdorimi.

Në Raport, gjendja e shumicës të shkollave në këtë pikë përshkruhet me sa vijon: në një pjesë të madhe të shkollave ka kabinete jofunksionale për shkak të mungesës së mjeteve për mirëmbajtjen e tyre, me pak rekuizita sportive realizohen të gjitha përmbajtjet mësimore të lëndës së edukatës fizike dhe ka shumë pajisje të vjetruara dhe të shkatërruara të TI-së. Element shqetësues vërehet edhe në mosrespektimin e proceduarve ligjore për këshillim të prindërve.

Ligji për arsim fillor dhe të mesëm parasheh dënimin në të holla të që në rastet e mosparaqitjes së prindërve në mbledhjet prindërore, si dhe organizimin e seancave të përbashkëta të këshillimit me prindërit e fëmijëve problematik. Kur janë në pyetje planet mësimore dhe programet e aktiviteteve të lira, ISHA ka gjetur shumë dobësi sidomos të shkollat e mesme. “Te mbi 60 për qind e shkollave të mesme aktivitetet që lidhen me realizimin e projekteve dhe aktiviteteve nuk korrespondojnë me dijet që u përshkruhen nxënësve sipas profilit dhe drejtimit në të cilin mësojnë. Pjesëmarrja e nxënësve të shkollave të mesme në gara është gjithashtu e dobët. Arritjet e nxënësve poashtu problematike”, përcjell KOHA Raportin e ISHA-s.

Shkollat, sipas Raportit të ISHA-së, shmangin t’i ndjekin këto procedura. Por ajo që mbetet ende më shqetësuese se kaq ka të bëjë me moskualifikimin e duhur të profesorëve dhe mosrealizimin e orëve të lira me programe arsimore për nxënësit ashtu sikurse edhe mos pjesëmarrja e këtyre të fundit nëpër gara të diturisë. E thënë ndryshe, nxënësit shmangin të sprovojnë dijet e tyre, dhe orët e aktiviteteve të lira i shfrytëzojnë për të ikur nga shkolla. (koha.mk)

Loading...