Ballina Lajme 27 prilli, “i afërmi i Gruevskit porositi dhunën në Kuvend”

27 prilli, “i afërmi i Gruevskit porositi dhunën në Kuvend”

Ngjarjet që sollën deri te hyrja e dhunshme në Kuvend më 27 prill i ka porositur njeri i afërt me ish kryeministrin dhe ish kryetarin e VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski. Kështu thuhet në aktakuzën për rastin në të cilin 28 persona akuzohen për kërcënim terrorist të rendit kushtetues dhe dy të tjerë për ofrim ndihme.

 Prokuroria

Nga numri i telefonit pronë e Shërbimit për punë të përgjithshme dhe të përbashkëta në Qeverinë e Maqedonisë, person i panjohur i sigurimit të Nikolla Gruevskit, në atë kohë lider i partisë VMRO-DPMNE, e që ka qenë në Vjenë-Austri në ora 14 e 30 minuta ka kontaktuar me të akuzuarin Aleksandar Vasilevski- Ninxha, tani i pakapshëm për organet e hetuesisë, i cili më pas bashkë me të akuzuarin, e kanë mobilizuar anëtarësinë nga qytetet tjera për hyrje të dhunshme në Kuvend, me dije paraprake se objekti nuk është i siguruar dhe mbrojtur në mënyrë adekuate nga forcat e policisë”.

Edhe përkundër pretendimeve të këtilla në aktakuzë, Prokuroria publike e Maqedonisë një ditë më parë nuk deshi të tregojë kush është organizatori i gjithë atyre ngjarjeve.

Nga prononcimi e kryeprokurorit mund të kuptohet se ndoshta nuk kanë dëshmi të mjaftueshme për të treguar kush është porositës i ngjarjeve të 27 prillit. Nga VMRO-DPMNE-ja përgënjeshtruan informacionin se person i sigurimit të Gruevskit ka qenë porositës i dhunës dhe këto pohime i cilësuan si gënjeshtër e përgatitur mirë.

 VMRO-DPMNE

“Kjo është totalisht e pasaktë. As nuk ka një gjë të tillë dhe as që shkruan në aktakuzën të cilën ka dorëzuar prokuroria. Kundër personit të përmendur nuk është ngritur asnjë akuzë që nënkupton se bëhet fjalë për gënjeshtër të përgatitur mirë me qëllim të manipulimit të opinionit. Është skandaloze që në opinion u tha e gjithë aktakuza, pas çka në përgjegjësi duhet të thirret Kreu i Gjykatës Ivan Gjolev.

Siç sqaroi prokuroria, sulmi në Kuvend dhe ndaj deputetëve më 27 prill ka qenë veprim i koordinuar mirë. Grupi që është organizuar pas urdhrit nga Vjena ka vepruar në koordinim me deputetët e VMRO-DPMNE-së, organizatorët e protestës, policinë dhe sigurimin e Kuvendit. Qëllimi ka qenë hyrje e papenguar në Kuvend për t’u penguar formimi i qeverisë së re, madje edhe fizikisht të likuidohet lideri i LSDM-së, Zoran Zaev.

Alsat-M