Ballina Shëndeti Virusi i gripit, disa mënyra praktike se si mund të mbroheni prej...

Virusi i gripit, disa mënyra praktike se si mund të mbroheni prej tij

Aktualisht Shqipëria gjendet në sezonin e gripit stinor. Të gjitha të dhënat e mëposhtme vlejnë për të mbrojtur popullatën nga virusi i gripit dhe sidomos format e rënda të tij të cilat shkaktojnë insuficienca të rënda respiratore.

Gripi nuk duhet të neglizhohet dhe që në shenjat e para të tij konsultohuni me mjekun e familjes. Mjeku i familjes duhet të vlerësojë me seriozitet të gjitha shenjat me të cilat çdo i sëmurë dyshohet i infektuar me virusin e gripit. Perdorimi i medikamenteve kundër Gripit si Tamiflu është i përshtatshëm vetëm me rekomandimin e mjekut dhe kur ai e shikon të nevojshme. Ndiqni masat e mëposhtme sidomos ato të higjenës respiratore dhe të përgjithshme.

Çfarë është gripi dhe si mbrohemi prej tij?

Gripi sezonal është një infeksion viral akut shkaktuar nga virusi i gripit, i cili përhapet lehtë nga njeriu tek njeriu. Gripi mund të prekë çdo njeri në çdo grupmoshë. Gripi transmetohet nga njeriu tek njeriu me spërkla gjate teshtimave, kollitjes apo gjatë bisedimit.

Më rrallë një individ mund infektohet me virusin e gripit duke prekur objekte të ndotura me këtë virus dhe pastaj individi të prekë gojën apo hundën e tij me duart e infektuara.

Një individ i infektuar mund të infektojë të tjerët 1 ditë para se simptomat të shfaqen deri në 5-7 ditë pasi është sëmurë.

Simptomat shfaqen 1-4 ditë pasi virusi është futur në trup. Pra ju mund ta transmetoni virusin dikujt tjetër përpara se ta kuptoni që jeni sëmurë, gjithashtu e transmetoni virusin edhe kur jeni të sëmurë.

Shenjat e gripit

Temperaturë e lartë, kollë, dhimbje fyti. Shenja të tjera të mundshme janë: lodhje, dhimbje koke, të përziera, diarre, të vjella, dhimbje barku, rrjedhje të hundëve si dhe dhimbje muskujsh.

Çfarë mund të bëjmë për tu mbrojtur nga virusi i gripit?
Hapat që duhen të ndiqen për të luftuar gripin janë: marrja e masave të nevojshme cdo ditë për të parandaluar përhapjen e virusit të gripit si dhe përdorimi i medikamenteve antivirale nën përshkrimin e mjekut.

Veprimet e përditshme të cilat ndihmojnë në parandalimin e përhapjes së virusit të gripit.

Mundohuni të evitoni kontaktet e afërta me individë të sëmurë. Nëse jeni të sëmure qëndroni në shtëpi për të paktën 24 orë. Nëse jeni të sëmurë evitoni kontaktet me të tjerët pasi virusi i kripit është shumë ngjitës.

Mbuloni hundën dhe gojen me një shami kur të teshtini dhe kolliteni dhe hidheni pasi ta keni përdorur. Lani duart shpesh dhe me sapun dhe ujë ose përdorni solucione duarsh me alkool.

Mos prekni sytë, hundën dhe gojën me duar pasi virusi përhapet në këtë mënyrë. Pastroni dhe dezinfektoni sipërfaqet dhe objektet që mund të jenë kontaminuar me virus.

Konsultohuni me mjekun per mjekimin me ilaçe kundër gripit.
Ilaçet kundër gripit mund të përdoren vetëm nëse jeni të sëmurë me grip, dhe të rekomanduara nga mjeku.

Ilaçet kundër gripit duhet të fillohen brenda 48 orëve të para të fillimit të sëmundjes. Ilaçet ndaj gripit mund ta bëjnë sëmundjen më të butë si dhe të shkurtojnë kohën që ju jeni të sëmurë. Ato mund të parandalojnë edhe komplikacionet e rënda që mund të vijnë nga gripit.

Kujdes ilaçet kundër gripit jepen vetëm me rekomandim të mjekut. MSHMS

@tn.lajmelokale
@tetovanews