Ballina Aktualitet Kultura “TRASPARENCA” E KULTURËS SI “BOMBAT” E ZAEVIT!

“TRASPARENCA” E KULTURËS SI “BOMBAT” E ZAEVIT!

TRANSPARENCA E MINISTRISË SË KULTURËS PËR SHPALLJEN E REZULTATEVE IU KTHYE SI BUMERANG DISA TË PUNËSUARVE NË KËTË MINISTRI, ANËTARË KOMISIONESH, SHEFA E KËSHILLTARË, SEPSE U DOLËN NË SIPËRFAQE DHE U ZBULUAN LIDHJET E TYRE FAMILJARE E SHOQËRORE, TË CILËT ABUZUAN DHE KEQPËRDORËN NDARJEN E MJETEVE NË STILIN “KËTIJ KAQ E ATIJ AQ”!

KJO NUK KA NDODHUR VETËM NË FUSHËN E VEPRIMTARISË BOTUESE , POR EDHE ME SHOQATA, TEATRO, FESTIVALE MUZIKORE, ETJ., SKANDALE E BUDALLALLËQE KËTO, SIÇ KEMI PASUR RASTIN T’I LEXOJMË KËTO DITË NË TË PËRDITSHMEN “KOHA”._

HALIL ZENDELI

Derisa në Ministrinë e Kulturës nuk ndërtohen edhe disa kritere e standarde për veprimtarinë botuese, të cilat do të parashiheshin edhe në konkurse, dhe jo vetëm për veprimtarinë botuese, vazhdimisht do të ketë vërejtje dhe do të shprehen pakënaqësi pas shpalljes së rezultateve.

Akoma konkurset që shpallen për projekte janë stereotipe, të stërngarkuara kot, pa nevojë, me grafa e nëngrafa të natyrës teknike, të pakuptueshme, se sa të natyrës përmbajtësore, ku më shumë merren parasysh profiterët dhe jo vepra e mirë, autori e botuesi!

Me këtë formë e metodologji të punës, pa standarde e kritere të mjaftueshme të natyrës përmabajtësore, komisioni prej tre anëtarësh, njëri shqiptar, pranë Ministrisë së Kulturës, sado që të jetë kompetent dhe të përpiqet të jetë ko­rrekt për këtë punë shumë të rëndësisshme dhe me përgjegjësi, megjithatë do të kishte pakënaqësi te botuesit, sepse kësisoji, pra në mungesë të kritereve dhe standardeve, ka më shumë mundësi e hapësirë për keqpërdorime dhe për të qenë subjektiv.

Aq më tepër kur anëtari shqiptar, i cili, de facto, vendos vetë për ndarjen e mjeteve që i ka në dispozicion për veprimtarinë botuese në gjuhën shqipe, i cili nuk i njeh autorët e veprave, nuk i lexon recensionet, emërohet pa kritere dhe konsultime të mjaftueshme, propozohet nga partia në pushtet, cilado qoftë ajo, apo Ministria, e cila, si duket, as që ka mbikëqyrje në punën e komisionit dhe ndodh kush kujt…

Kështu ndodhi sivjet, kinse transparentë, anëtari shqiptar i komisionit , i cili, si duket, aq merr vesh nga kultura e libri, bëri keqpërdorime të mjeteve, duke i favorizuar me shuma të mëdha individë e të ashtuquajtura shoqata, të afërt me te, në dëm të botuesve e shoqatave, festivaleve, teatrove të mirëfilltë etj., të cilët, megjithatë, bëjnë diçka për kulturën shqiptare në Maqedoni…

Prandaj, me të drejtë mund të shtrohet pyetja se në çfarë shkalle synojmë ta zhvi­llojmë kulturën shqiptare, përkatësisht veprim­tarinë botuese, si një segment i rëndësishëm i kulturës gjithëkombëtare e me theks të veçantë për kulturën shqiptare këtu në Maqedoni?! Sepse, nëse me të vërtetë duhet bërë diçka të mirë në këtë fushë, atëherë do të definoheshin e shtro­heshin disa kërkesa të tjera për ata që duan të merren me këtë veprimtari.

Sipas mendimit tim këto do të ishin edhe disa standarde të definuara mirë nga Ministria e Kulturës, të cilat do të zbatoheshin nga Komisioni: Kush mund dhe duhet të merret me veprimtari botuese, a do të merrej parasysh përvoja, përgatitja, profesionale, që ka dhënë kontribut në lëmin e kulturës , veprimtari e tij primare etj.; deri në çfarë shkalle duhet të jetë i përgatitur i ashtuquajturi botues, përkatësisht i ekipuar për këtë vep­rim­tari që do të nënkuptonte zyra pune, mjete pune, të punësuar, bashkë­punë­torë etj.; personi në fjalë a do ta kryente këtë veprimtari në mënyrë profesionale, të mirë­filltë, ku do të prezantohej nëpër panaire e në manifestime të tjera(promovimet nuk janë kriter) apo do të botonte ndonjë libër

me ndihmën e Ministrisë, sa për t’i marrë do mjete, siç ka ndodhur deri tash, e që do të shkonte edhe në dëm të autorit, sepse librin e tij nuk do ta shihnin lexuesit, pasi të tillët nuk marrin pjesë në panaire, librat e tyre nuk i gjen nëpër librari e në mani­festime të tjera , etj.; para Ministrisë së Kulturës a duhet pasur trajtim të njëjtë botuesit që rreth 10 – 20 vjet të veprimtarisë së tyre kanë bërë emër dhe kanë dhënë një kontribut për veprimtarinë botuese dhe kulturën shqiptare, me ata të ashtuquajtur botues pro­fite­rë, shumica e të cilëve, varësisht se kush është anëtar Komisioni, i marrin shuma të mëdha mjetesh në dëm të të parëve?!

Sepse, mendoj se çdo botues i mirë duhet investuar vetë për ta zhvilluar këtë veprimtari, së paku disa tituj, le të ishin ata së paku 5- 6, e madje ta mbështeste Ministria e Kulturës…; a duhet ndihmuar edhe shoqatat, klubet, shoqatat tregtare dhe shumë asocia­cione të tjera për botime librash, përveç në raste të veçanta, kur dihet se ato duhet të merren me aktivitete të tjera, për të cilat natyrisht se duhet përkrahur e ndihmuar materialisht; a duhet ndihmuar revistat periodike, sipas fizionomisë së tyre, qofshin ato javore, mujore, dymujorëshe etj.

Pra, cilat revista do të ndihmoheshin për botimin e tyre…Merre me mend sivjet nuk është financuar revista për kulturë, art e shkencë “Jehona e re”, e cila shumë vite është ndihmuar, në mënyrë simbolike, me nga një numër, respektivisht dy numra në vit!; cilët autorë të pavarur do të ndihmoheshin për botimin e veprës së tyre, ata të cilët kanë bërë emër në letërsi e shkencë, të verifikuar, apo edhe ata që kanë filluar hapat e parë në këtë fushë?…

Mendoj se pa këto parametra e të tjera , si dhe pa ndonjë platformë për zhvillimin e veprimtarisë botuese , vazhdimisht do të ketë pakënaqësi dhe fërkime ndërmjet botuesve të mirëfilltë dhe botuesve profiterë dhe ankesat ndaj Ministrisë së Kulturës nuk do të mungojnë, sepse, po t’u hidhet një sy dhe analizohen mirë rezultatet nga Konkursi për këtë vit, do të vërehet se shumicën nga ata që marrin mjete nga Ministria e Kulturës nuk i di dhe nuk i njeh kush, as veprën e autorin dhe as botuesin…

Ndërkaq, shtëpitë botuese si Shkupi, Logos A, Vatra, Albas, Asdreni, po edhe ndonjë tjetër, të cilat, i kanë nga mbi njëzet vjet përvojë, që merren me veprimtarinë botuese, me pjesëmarrje nëpër panaire dhe aktivitete të tjera,, të financohen me shuma qesharake me nga 50.000 (libër cilësor me mbi 200 faqe – 80.000 denarë!

Po kështu ndodh edhe me veprat e disa shkrimtarëve të njohur. Po aq injorantë janë anëtarët e Komisionit sa mos e dinë se për librin ka derdhur mund autori, se duhet të përgatitet, me redakturë e lekturë, për faqosje (disajn) për përgatitjen e kopertinës, se duhet të shtypet në minimum 500 kopje, se patjetër duhet Bibliotekës universitare t’i dorëzohen, përkatësisht t’i falen 55 ekzemplarë etj., se për të gjitha këto duhen mjete, pra honorare.

Po edhe sikur fletore Bit-Pazari të ishin, me fletë të bardha, do të kushtonin më shumë! Kjo do të thotë se Komisioni më shumë është marrë me pjesën teknike, ku t’i orientojnë mjetet, sesa t’i shqyrtojë dhe analizojë mirë projektet botuese e botuesit! Kështu ndodhi sivjet, me transparencën e Ministrisë së Kulturës për shpalljen e rezultateve, që iu kthye si bumerang, sepse dolën në sipërfaqe dhe u zbuluan lidhjet familjare e shoqërore me anëtarë të Komisionit dhe të punësuarve të tjerë në Ministrinë e Kulturës, me konflikte interesash, duke i keqpërdorur ndarjen e mjeteve dhe, një ndarje e këtillë e mjeteve, le të kuptosh se anëtarëve të Komisionit nuk ju ka interesuar shumë kultura shqiptare, avancimi i saj, por ndarja e mjeteve në stilin” këtij kaq e atij aq”.

Kjo nuk ka ndodhur vetëm në fushën veprimtarisë , por edhe me shoqata, teatro, festivale muzikore, etj., skandale e budallallëqe këto, siç kemi pasur rastin t’i lexojmë këto ditë në të përditshmen “Koha”.

Sa për më të voglin ilustrim, sot lexova po në këtë gazetë , e cila u mor me këtë skandal të ndarjes së mjeteve për kulturën shqiptare nga Ministria e Kulturës, se nuk u kanë ndarë mjete Festivalit të Fëmijëve YLBERI në Shkup dhe “PESHKU I ARTË” në Strugë. Vërtet është për të të ardhur keq (gjynah!), ndërsa shuma të mëdha, siç kemi lexuar në gazetën e lartpërmendur, kanë marrë botues e shoqata fiktive e të panjohura deri tash për opinionin…

@tn.lajmelokale
@tetovanews