Ballina Opinione Pesëdhjetë vjet nga demonstratat e Tetovës

Pesëdhjetë vjet nga demonstratat e Tetovës

Nga Fadil LUSHI

Shkrimin e radhës po ia dedikoj një ngjarjeje sa humane po aq edhe emancipuese. Një ngjarje, që dita-ditës humb shkëlqimin, duke kaluar në pronësi të harresës sonë kolektive. Është një ngjarrje që thjeshtë do të dehumanizohet dhe deemancipohet. Një ngjarrje që do karakterizohet me një retrospektivë të lavdishme, por po aq edhe të dhimbshme të popullatës shqiptare këtej Shqipërisë politike.

Është një eveniment historik i lidhur ngusht me një datë, respektivisht me Kalendarin e patriotizmit shqiptar. Bëhet fjalë për Demonstratat e Tetovës, të organizuara me 22 dhe 23 Dhjetor të vitit 1968, me njerëz me profesione dhe mosha nga më të ndryshmet. Në ato demonstrata do inkuadrohen: arsimtarë, studentë, nxënës, bujqë, zejtarë, mjekë dhe të tjerë, të gjithë të ardhur nga Kumanova, Shkupi, Tetova, Gostivari, Dibra, Kërçova, Struga, Kosova dhe nga të gjitha fshatrat shqiptare. Gjithsesi se këto demonstrata do të karakterizohen me 4 histori: a) me atë të lavdatës, b) me atë të akuzës, c) me atë të harresës dhe ç) me atë të kodoshëve.

Historia e lavdatës do të shkruhet nga vet organizatorët dhe pjesëmarrësit e saj. Kryeorganizatori i këtyre demonstratave do të jetë studenti nga Beogradi, Faik Mustafa i cili, më vonë do të dënohet me 5 vjet heqje lirie. Ndërkaq ikona e politikëbërjes në nënqiellin e Fushë-Pollogut, Memetriza Murtezan-Gega do të dënohet me 7 vjet burg. Do të akuzohet për arsye se gjithmonë ka qenë kundërshtar i shpërnguljeve të shqiptarëve drejt Anadollit, njeriu që në kontinuitet do kërkojë të drejta më të avancuara për shqiptarët, si në aspekt politik, në aspekt kulturor, social, arsimor, ekonomik dhe aspekte tjera. Në gjykimin e tij të organizuar në vitin 1969 në Shkup “…do të dëshmojnë 103 persona dhe vetëm 3 do shkojnë në favor të aktakuzës” Në këtë gjykim Gega do të dënohet me 7 vjet burg të rëndë.

Ky gjykim do të jetë i dyti për Memetriza Gegën, sepse një i tillë u organizua dy dekada më parë kur edhe do dënohet me më shumë se 7 vjet. Pos dy të parëve, me të njëjtën akuzë do të dënohen edhe: Beqir Berisha me një vit heqje lirie dhe njëkohësisht do të përjashtohet nga gjimnazi i Tetovës. Ramadan Sinani, pedagog i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe do akuzohet për faktin se ka qenë një ndër organizatorët e demonstratave.

Edhe ky do largohet nga vendi i punës. Ismail Memeti, pedagog i Gjuhës dhe Letërsisë Agleze do të dënohet me një muaj heqje lirie dhe do të përjashtohet nga Shkolla e Mesme e Mjekësisë. Më vonë do të dënohen edhe: Hysnixhevat Kalishta, Abdylselam Selami, Abdylmenaf Rustemi (i dënuar bashkë me babain e tij edhe në Shqipëri) Abdulla Kalishta, Abdulla Jusufi, Dr. Mahmut Bajraktari, Dr. Harun Jakupi, Salajdin Hyseini dhe shumë tetovarë të tjerë. Në Shkup do të dënohet Sejdi Kryeziu 5 vjet, në Strugë Irfan Vllashi, Tosun Roçi, Syria Qura.

Në Kërçovë Sali Ramadani, në Gostivar Imer Imeri dhe të tjerë. Në këto demonstrata do marrin pjesë edhe nxënës nga Tetova, të cilët do të burgosen dhe më vonë edhe do të përjashtohen nga gjimnazi “Kiril Pejcinoviq”, që çuditërisht edhe pas dyzet vitesh do të bartë emrin në fjalë. Për këtë dhe shkaqe tjera, do të dënohen këta nxënës: Islam Beqiri, maturant, ai që shkroi parullat, Rafi Halili, viti i tretë, i cili më vonë do të dënohet bashkë me nënën dhe motrën me gjithsej 17 vjet heqje lirie. Hamit Saliu, viti i tretë, ai i cili në hapësirat e Komitetit Komunal të Partisë Komuniste në Tetovë do të shpalosë flamurin, Ahmet Zeqiri, maturant, Rexhep Hasani, maturant, Sefedin Halimi dhe autori i këtij shkrimi (Fadil Lushi) që do të jetë i burgosuri i fundit.
Historia e akuzës/Demonstratat e vitit 1968 nga ana e pushtetmbajtësve do të perceptohen si…” armiqësore dhe me kërkesa irredentiste për bashkim vertikal të shqiptarëve në Jugosllavi, për bashkim me Kosovën…” dhe me shtetin amë si dhe me trojet tjera me frymëmarrje shqiptare, me të vetmin qëllim për të krijuar Shqipërinë natyrale.

Këto demonstrata do të glorifikohen tejmase nga ana e prokurorisë së përgjithshme të asaj kohe. Në instancë të fundit demonstratat ishin thjesht shprehje apo rezultat i një akumulimi të dufit shqiptar ndaj padrejtësive që i bëheshin. Perceptimi tjetër i tyre, gjithsesi i gjymtuar, do konsistojë në faktin kinse shqiptarët në vitin 1968 pushtetit i paskëshin parashtruar kërkesë për të shpallur pluralizmin politik. Ky mendim sot e kësaj dite ka ngelur utopik.

Historia e harresës/Kjo histori do të duhet të jetë historia më e dhimbshme e demonstratave të vitit 1968, pasi që nga historianët tanë paksa më të moshuar, fare pak është diskutuar dhe trajtuar si pjesë e trashëgimisë sonë kombëtare. Historianët tanë (me përjashtim të kosovarëve) gjatë kohë do e mbajnë kokën, shikimin dhe mendjen mënjanë. Ndoshta të kishin patur të drejtë. Ku ta dijë njeriu?!

Historia e kodoshëve/Kjo histori e demonstratave do të karakterizohet me shqiptarët që ishin bashkëpunëtorë të UDB-ës respektivisht, spiunët apo kodoshët të cilët më shumë se 80 % i siguruan fakte aktakuzës. Ata më vonë me “lindjen e pluralizmit politik në Maqedoni” do të konvertohen në demokratë, atdhetarë dhe në mbeturinë haleje.

Ndërkaq patriotizmin do ta konceptojnë si strehë të fundit të frymëmarrjes së tyre politike. Disa do ngelin përgjithmonë të frymojnë në ullukun e qenefit të Partisë komuniste dhe Lidhjes socialiste. Ca të tjerë sot e gjithë ditën e Perëndisë duke qenë të veshur me kostumin e funksionarit të lartë këtej Shkupit dhe atej Shqipërisë politike dhe s’di ku tjetër, do thonë se është marrëzi të merresh me kauzën e popullit! Disa duke ushtruar detyrën e kodoshit do të asgjësojnë një numër të konsiderueshëm të dosjeve të atdhetarëve, me të vetmin motiv që mos t’ju dalë emri në pazar.

Duke e përfunduar këtë shkrim, më duhet të them se Demonstratat e Tetovës së vitit 1968 nuk mund të konceptohen si fillim dhe mbarim e filozofisë së politikëbërjes, përkundrazi ato janë vazhdimësi e të diskutuarit të kauzës. Ato duhet të konceptohen edhe si një moment kur shqiptarët për herë të parë lirohen nga kompleksi i frikës. Emrat e lartpërmendur ndoshta për Historinë Kombëtare nuk janë aq të rëndësishëm sa janë të rëndësishëm rolet, rrugëtimet, vegimet dhe veprat e tyre. Ata fituan lavdinë.

VIDEO bonus:
Loading...