Ballina Shëndeti Metoda të reja për ndalimin e duhanit

Metoda të reja për ndalimin e duhanit

Administrata amerikane e Ushqimit dhe Barnave do të flasë për alternativat e pirjes së duhanit pasi po diskuton të vendosë nëse do të miratojë një produkt të ri të ofruar nga kompanitë e duhanit, që u jep përdoruesve nikotinë pa pirë duhan. Shoqata Amerikane e Mushkërive njofton se normat e pirjes së duhanit në Shtetet e Bashkuara janë në nivele historikisht të ulëta. Pak më shumë se 15 për qind e amerikanëve pinë duhan.

Cigarja është e dëmshme, shkruan zeriamerikes. Ky është një fakt i provuar dhe është arsyeja që zyrtarët amerikanë të shëndetësisë janë përpjekur t’i bindin njerëzit për dekada me rradhë të ndalin pirjen e duhanit.

Si rezultat, kompanitë e duhanit po përqëndrohen për të prodhuar produkte nga të cilat njerëzit nuk do të thithin tymin kancerogjen.

“Ata parashikojnë se në të ardhmen, duhanpirësit do të kalojnë nga produktet tradicionale në produktet e reja që e japin nikotinën pa ndezur duhanin dhe pa marrë sëmundjet që shoqërohen nga pirja e duhanit. Ne po mundohemi ta përshpejtojmë këtë kalim”, thotë Scott Gottlieb, komisioner me Administratën për Ushqimin dhe Barnat.

Këtë javë zyrtarët amerikanë të shëndetësisë po shqyrtojnë mundësinë e miratimit të një produkti nikotine “që zvogëlon rrezikun” të quajtur IQOS.

Ndryshe nga avulluesi që e dërgon nikotinën në formë të lëngshme, IQOS përdor duhanin e vërtetë – duke e ngrohur në vend që ta djegë duhanin, duke zvogëluar kësthu tymin e dëmshëm toksik.

“Ne ende duhet të krijojmë mundësi të rriturve të cilët dëshirojnë të kenë qasje në nivele të caktuara të nikotinës për ta bërë këtë përmes produkteve të tjera që me sa duket nuk do të kishin të gjitha rreziqet që lidhen me ndezjen e duhanit”, thotë zoti Gottlieb.

Kritikët thonë se kjo nuk do t’i bëjë njerëzit më të shëndetshëm, por është një mënyrë për t’i mbajtur njerëzit të varur nga nikotina.

“Çdo gjeneratë industria e duhanit ka prodhuar një seri produktesh të reja të cilat ata pretendojnë se janë më pak të dëmshme. Deri tani, ndikimi kryesor i futjes dhe marketingut të këtyre produkteve në treg ishte që t’i mbanin njerëzit të vazhdojnë të pinë duhan”, thotë Matthew Myers, me fushatën Tobacco Free Kids.

Alternativat si produkti i ri IQOS janë pjesë e një plani më të madh të Administratës për Ushqimet dhe Barnat për të pakësuar nivelin e nikotinës në cigare në një pikë ku përdoruesit e varur prej saj të arrijnë ta lënë duhanin.

@tn.lajmelokale
@tetovanews