Ballina Showbiz Këngëtarja myslimane largohet nga “The Voice” për shkak të postimeve në internet...

Këngëtarja myslimane largohet nga “The Voice” për shkak të postimeve në internet (VIDEO)

Një këngëtare myslimane, e cila u bë personazhi më i ndjekur në internet pas shfaqjes së saj në “The Voice” të Francës, është larguar nga show televiziv, pasi u kritikua për komentet që ajo kishte bërë kohë më parë në rrjetet sociale.

Në një postim të saj, Mennel Ibtissem, 22, kishte shprehur dyshime në lidhje me natyrën terroriste të sulmit me kamion në Nice të vitit 2016.

Megjithatë, ajo shprehet se mesazhi i publikuar një ditë pas sulmit ishte keqkuptuar dhe ishte marrë jashtë kontekstit të saj.

Në performancën e saj, me këngën “Hallelujah” të Leonard Cohen, video është bërë virale në rrjetet sociale duke u parë më shumë se 900 mijë herë në “Youtube”.

Komentet në mediat sociale, të cilat tashmë janë fshirë, dolën në pah pas performancës së saj shumë të mirë në programin televiziv muzikor, raporton BBC.

Media franceze raporton se, në postimin mbi sulmin e Nicës ku mbetën të vdekur 86 persona në ditën e Bastijës, ajo shkruante:

“Qenka mirë që është kthyer në rutinë, një sulm në javë! Dhe për të qenë gjithmonë besnikë, ‘terroristi’ paska marrë dokumentet e identitetit me vete. Po, është e vërtetë se, kur ke në plan të bësh diçka të pistë, ti nuk mund të harrosh të marrësh me vete dokumentet identifikuese”.

Pas këtij mesazhi ishte shtuar edhe një “hashtag”, #PrenezNousPourDesCons, që do të thotë “na merrni për idiotë”.

Por këto komente shkaktuan gjithashtu një stuhi në rrjetet sociale, me disa përdorues që i konsideronin ato si ofendim ndaj viktimave të sulmit të Nicës.

Por presioni nuk ishte vetëm ndaj 22-vjeçares por edhe ndaj rrjetit televiziv “TF1”, producentët e “The Voice”, për të hequr këngëtaren e talentuar nga kompeticioni.

Por pati edhe nga ata që e mbrojtën këngëtaren myslimane, duke thënë se ajo po shënjestrohej padrejtësisht për shkak se është myslimane.

Pas kësaj stuhie, 22-vjeçarja Ibtissem kërkoi ndjesë, duke thënë se ajo “sigurisht e dënon terrorizmin”.

Por të premten, ajo njoftoi se do të largohej përpara kohe nga programi, ndërsa TF1 nuk ka reaguar në lidhje me vendimin e këngëtares 22-vjeçare.

Edhe njoftimi për largimin e saj është klikuar mbi 500 mijë herë, dhe në shumicën e komentuesve ata e mbështesnin Ibtissem. (TemA TV)

Loading...