Ballina Aktualitet Kultura Ermonela Jaho kandidate sërish për trofeun ‘International Opera Awards’

Ermonela Jaho kandidate sërish për trofeun ‘International Opera Awards’

Prej vitesh e njohur dhe e afirmuar në gjithë botën për interpretimin e saj të veçantë, sopranoja shqiptare Ermonela Jaho është nominuar sërish për trofeun, “International Opera Awards”. Këtë çmim ajo e fitoi si këngëtare lirike për vitin 2016. Edhe pas këtij çmimi të madh që konsiderohet si Oscari i Operës, Ermonela Jaho gjatë vitit 2017 ka shkëlqyer me rolet e saj në skenat operistike botërore.

Vlerësimet e jashtëzakonshme të kritikës dhe të mediave botërore kanë bërë që Ermonela Jaho, të nominohet sërish si zëri më i mirë për trofeun “International Opera Awards”.

Në faqen zyrtare të këtyre çmimeve, Jaho është nominuar përkrah emrave si, Malin Bystrom, Carmen Gianattasio, Barbara Hannigan, Hui He dhe Eva Maria Westbroek.

Çmimet ndërkombëtare të Operës do të shpallen më 9 Prill në Londër në një mbrëmje gala, shkruan albinfo. Ndërkohë artistja shqiptare me famë botërore premton një axhendë të pasur me produksione të shkëlqyera në teatrot më mëdha botërore. Jaho po përgatit debutimin e saj në Pekin përkrah legjendës së operas Plaçido Domingo./sn/

@tn.lajmelokale
@tetovanews