Ballina Reportazhe Burimi i vitalitetit: Sekrete nga pesë vendet ku njerëzit jetojnë më gjatë...

Burimi i vitalitetit: Sekrete nga pesë vendet ku njerëzit jetojnë më gjatë se kudo në botë

Nga Juli Prifti

Eksploruesit përgjatë gjithë historisë kanë kërkuar për burimin legjendar të rinisë. Dhe ndërsa burimi iluzor nuk është gjetur ende, disa vende nëpër botë duket se ia kanë dalë të mahnisin me jetëgjatësinë e banorëve të tyre. Ato shfaqen si vende ku banorët jetojnë dukshëm më gjatë sesa mesatarja botërore (rreth 71 vjet) dhe secila prej tyre ka burimin e saj sekret të vitalitetit.

Po cilat janë këto burime sekrete. Vetë banorët shpjegojnë në një reportazh të “BBC Travel” mënyrat e tyre për të “joshur” jetën, në pesë vendet që janë listuar nga raporti botëror i Lumturisë i vitit 2017, si vendet me jetëgjatësinë me të madhe.

Me një mesatare të jetëgjatësisë prej 83 vjetësh, japonezët prej kohësh janë ndër popujt me pritshmërinë më të lartë për të jetuar gjatë. Okinava, shpesh e quajtur “toka e të pavdekshmëve” ka qenë qendra botërore për kërkimet për jetëgjatësinë, pasi këta ishuj jugorë të Japonisë kanë më shumë se 400 persona 100-vjeçarë.

Shumë meritë për këtë jetëgjatësi i është dhënë dietës ushqimore lokale, që përfshin shumë tofu dhe patate të ëmbla, si dhe sasi të vogël peshku. Lidhje të forta sociale midis banorëve më të vjetër dhe një komunitet i fortë po ashtu kontribuojnë për nivele më të ulëta stresi dhe një ndjesi të madhe të të qenit pjesë e diçkaje.

Për të përfituar nga këto avantazhe, është e rëndësishme të mësosh gjuhën vendase, thotë Daniele Gatti, shef i Velvet Media dhe prej kohësh banor i Japonisë. “Japonia ka një cilësi të pabesueshme jetese, nëqoftëse tejkalon pengesën e gjuhës për t’u përzjerë më mirë dhe për të kuptuar mentalitetin e banorëve, që është shumë i ndryshëm nga kultura perëndimore sesa mund ta mendojnë pjesa më e madhe e vizitorëve”, shton ai. “Jo-vendasit që dëshirojnë të zhvendosen këtu duhet të mendojnë seriozisht që t’i lejojnë vetes kohë për të mësuar gjuhën. Është kyçe për t’u integruar më thellë në shoqërinë e vendasve dhe për të pasur një jetë të plotë dhe me kuptim”.

Spanja

Dieta mesdhetare, e pasur në vaj ulliri të shëndetëshëm për zemrën, perime dhe verë, prej kohësh ka kontribuar në jetëgjatësinë e popullsisë (mesatarja 82.8). Por Spanja ka edhe një sekret tjetër nën mëngë për jetëgjatësinë: siesta.

“Njerëzit mendojnë se të gjithë spanjollët e praktikojnë siesta, kur dyqanet mbyllen nga ora 2 deri në 5 të drekës, por kjo është thjesht çështje e organizimit të turneve”, thotë Miquel Àngel Diez nga Barcelona, një guidë udhëtimesh. “Nëse ke një turn pa ndërprerje dhe vetëm një pushim prej gjysmë ore, atëherë do të hash diçka të shpejtë. Në të kundërt, nëse jeni të detyruar të ndaloni punën për dy apo tre orë, atëherë do shkoni në shtëpi, apo në ndonjë restorant ku mund të ulesh e të konsumosh dy pjata dhe ëmbëlsirë, të kesh kohë ta tresësh mirë ushqimin. Kjo është sigurisht më e shëndetshme sesa një ushqim i shpejtë”.

Dendësia e qyteteve spanjolle po ashtu i bën njerëzit të lëvizin më shumë, pasi dyqanet dhe restorantet gjithnjë priren të jenë me distancë nga pjesa më e madhe e banesave të njerëzve.

“Kur u zhvendosa në Barcelonë prej Moskës, vura re se njerëzit këtu favorizojnë ecjen në këmbë apo me biçikleta. Ara madje, ecin disa blloqe për të marrë transportin publik në vend që të përdorin makinat e veta”, thotë Marina Manasyan, bashkethemeluese e një agjencie turistike. “Mbushesh me oksigjen dhe redukton ndotjen nga karboni”.

Singapori

Me një akses të gjerë në sistemin shëndetësor shtetëror mjaft të kuruar dhe që është quajtur një “mrekulli”, banorët e Singaporit janë duke jetuar më gjatë se kurrë në një mesatare që shkon në 83.1 vjet. Vendi ka një prej niveleve më të ulëta në botë të vdekshmërisë së nënave dhe foshnjeve dhe e ka shndërruar parandalimin në fokus të kujdesit shëndetësor.

Kultura dhe mjedisi i aksesueshëm urban po ashtu kontribuon për një jetë të gjatë. “Mund të shohësh shumë njerëz që shkojnë në palestër apo që stërviten në parqet publikë që janë të shumtë”, thotë Bino Chua, banor dhe bloger. Vendi, madje, ka hapur edhe parkun e parë terapeutik, të dizenjuar për të reduktuar stresin dhe për të përmirësuar mirëqënien mendore mes të moshuarve.

Zakonet e dëmshme për shëndetin janë të vështira për t’u praktikuar në Singapor. “Të huajt duhet ta dinë se ‘veset’ janë shumë më të kushtueshme këtu”, thotë Chau. “Cigaret dhe alkooli taksohen rëndë dhe kushtojnë më shumë sesa në çdo vend tjetër”.

Zvicra

Burrat ia dalin shumë më mirë në Zvicër sesa në çdo vend tjetër në botë, duke jetuar mesatararisht 81 vjeç. Si një nga vendet më të pasura të Europës, aksesi në kujdesin shëndetësor të cilësisë së lartë, siguria e lartë personale dhe ndjesia e mirëqënies ndikojnë në listimin si vend me jetëgjatësi të lartë. Ka studime që vënë në dukje edhe konsumin e lartë të banorëve të dietës me djathtë dhe prodhime bulmeti si një faktor kryesor i jetëgjatësisë.

Edhe pse vendi mund të jetë nga ata ku njerëzit fokusohen tek karriera, pasi shumë të huaj vijnë aty për të punuar në ndonjë prej shumë selive të kompanive ndërkombëtare, vendndodhja në qendër ia bën të lehtë ballancimin midis punës dhe arratisjeve relaksuese.

“Të jetosh këtu të mundëson udhëtime të magjishme gjatë fundjavës në të gjithë kontinentin dhe mund të kalosh kohë në natyrë në Alpet e mrekullueshme”, thotë një banor. Shkollat private janë po ashtu disa nga më të mirat në planet, që e bën Zvicrën të dëshirueshme nga familjet e reja.

Koreja e Jugut

Koreja e Jugut duket se do të jetë vendi i parë që do të arrijë jetëgjatësinë prej 90 vjetësh, sipas një studimi të fundit, që ia atribuon këtë arritje një ekonomie të fortë e në rritje, aksesit të gjerë në kujdesin shëndetësor dhe tensionit më të ulët të gjakut sesa në vendet perëndimore.

Vendi po ashtu përdor një dietë të pasur në ushqime të fermentuara, të cilat thuhet se kanë kolesterol më të ulët, nxisin imunitetin dhe frenojnë kancerin. “Në tërësi, ushqimi korean është shumë i pasur me fibra dhe mjaft i ushqyeshëm”, thonë ekspertët.

Banorët thonë se fokusi kulturor mbi komunitetin dhe traditat kontribuojnë në cilësinë e jetës së përditshme. “Jimjilbang (vende publike për të bërë banjë) bashkojnë shumë njerëz që socializohen dhe ndihmojnë në reduktimin e stresit”.

Në Korenë e Jugut, sipas të huajve që jetojnë aty, ekziston një ndjesi e përgjithshme vetëdijësimi që vjen së bashku me mentalitetin budist dhe një qasje e përgjithshme pro kulturës së bashkëpunimit përkundër individualizmit./tesheshi.com/

Loading...