Ballina Diaspora Albani nga Kumanova, politikan me perspektivë në shoqërinë zvicerane

Albani nga Kumanova, politikan me perspektivë në shoqërinë zvicerane

Koha e zgjedhjeve lokale nëpër komunat zvicerane gjithnjë e më shumë po afrohet. Natyrisht se edhe oreksi i politikanëve është në rritje e sipër, por që vërtetë janë aktivistë të dalluar dhe personalitete të respektuar në shoqëri. Njëri nga ta është edhe djaloshi ri 27-vjeçar nga Kumanova, Alban Jashari me vendbanim në Biel/Bienne të Zvicrës.

Pas trajnimit për nëpunës administrate, Albani ndryshon mendjen dhe orientohet në drejtimin e Informatikës. Në kohën e lirë, ai nuk përton që të aktivizohet edhe në sportin që shumë pak e preferojnë shqiptarët e Zvicrës, në rugby, duke dëshmuar kualitetet e tij si një personalitet aktiv në integrimin e të rinjve nga shumë kombe të ndryshme që jetojnë në rrethinë. Përpos kësaj, Albani është edhe refer i shquar i këtij sporti.

Albani që në moshë të re ka filluar të merret me politikë, duke vëzhguar dhe i inspiruar nga padrejtësitë e bashkatdhetarëve të tij në vendlindje. Fillimisht, ai u antarësua në Partinë Jungfreisinnige (Rinia Liberale), Rinia e Partisë zvicerane FDP (Liberalët) që më vonë të bëhet edhe anëtar i Kryesisë së Degës së Kantonit të Bernës.

Shqiptari nga Kumanova është kandidat për zgjedhjet e ardhshme në Parlamentin e Kantonit të Bernës (Grossrat) që do të mbahen më 25 mars të këtij viti. Premtimet e Albanit janë që të luftojë për një shoqëri liberale, kundër diskriminimit racor, për të drejtat dhe liritë elementare të njerëzve si dhe kundër mbikëqyrjes. Nga ana tjetër, përmes profesionalizimit të Informatikës, ai angazhohet për ardhmëri më të mirë të digjitalizimit.

Albani nuk heziton të flasë edhe për gjendjen në vendlindje, duke nënvizuar enkas për Shtegu.com: „Më vjen shumë keq që korrupsioni e shkatërroi vendlindjen, pasi rregullisht e përcjelli gjendjen dhe kam konstatuar se edhe më tej është i pranishëm atje. Partitë kanë marrë rolin e predikuesve fetarë dhe popullatës ju bëjnë presione. Në vend se të bashkohen të gjithë shqiptarët për interes kombëtar, ne po bëjmë luftë në mes vete dhe po shkaktojmë përçarje të madhe. Pasi po luftojmë në mes vete, më habit fakti përse luftuam kundër shtetit maqedonas që po na i shkelë të drejtat në çdo fushë?!

Në pyetjen e parashtruar nga redaksia, Albani i shfleton përshtypjet e tij nga qëndrimi në vendlindje: „Gjatë qëndrimit tim në vendlindje, në vendin ku prindërit e mi janë rritur e edukuar, ndjehem pak më ndryshe se në Zvicër. Natyrisht se e bëj dallimin në mentalitet, pasi jam rritur dhe edukuar në Zvicër. Por, ajo që më ka rënë në sy është se rinia shqiptare atje ka përparuar shumë në mentalitet, bile më tepër se ajo shqiptare në Zvicër.

Nga këndvështrimi im, nuk shoh ndonjë perspektivë në të ardhmen e afërt për bashkëmoshatarët e mi, pasi depërtimi i korrupsionit në politikë e pengon në hapat progresivë në jetën profesionale. Gjtihçka shkon përmes nepotizmit e asgjë përmes përgatitjes profesionale. I kuptoj shumë mirë bashkatdhëtarët që duan të largohen sa më parë nga vendlindja, pasi kur shteti bëhet pengesë për ekzistencën e tyre, atëherë jeta e tyre natyrisht se vështirësohet“, ka përfunduar Alban Jashari me një keqardhje të madhe për gjendjen në vendlindje. (Shtegu.com)

@tn.lajmelokale
@tetovanews