Ballina Bota Tensionet Turqi – Greqi, ushtarët turq heqin flamurin grek nga ishulli

Tensionet Turqi – Greqi, ushtarët turq heqin flamurin grek nga ishulli

Vijojnë tensionet mes Turqisë dhe Greqisë. Forcat detare turke kanë hequr flamurin grek të vendosur në një ishull të vogël dhe të pabanueshëm të Egjeut, Mikros Anthropofagos.

Veprimi i ndërmarrë në ishullin jashtë brigjeve të qytetit turistik turk Didim vjen si shenjë se ky ishull i takon Turqisë. Lajmi është raportuar në mediat greke, të cilat i referohen një deklarate të kryeministrit turk Binali Yildirim i cili gjatë një aktiviteti në Stamboll tha:

“Ne ishim të informuar për veprime të caktuara nga fqinjët tanë, Greqia, të cilat vazhdimisht po rrisin tensionet në Egje. Në mënyrë të veçantë shohim incidente të ngjashme me atë të Imias që kanë të bëjnë me sovranitetin e ishujve me status të papërcaktuar”.

Kryeministri turk e këshilloi Athinën zyrtare që të qëndrojë larg provokimeve.

“E këshillojmë Greqinë të qëndrojë larg provokimeve. Në një ishull shkëmbor, ishte vendosur flamuri grek. Forcat tona ndërhynë dhe bënë atë që duhej bërë duke e hequr flamurin grek prej aty. Ftojmë Greqinë të sillet si një fqinj i mirë. Askush nuk duhet të mendojë se ne do të bëjmë ndonjë lëshim mbi të drejtat tona sovrane. Jemi të vendosur të japim përgjigjet e nevojshme ndaj ndërhyrjeve”.

Turqia dhe Greqia kanë një sërë mosmarrëveshjes rreth disa ishujve shkëmborë dhe të pabanuar në Egje. Athina zyrtare akoma nuk ka reaguar për ngjarjen./sn/

@tn.lajmelokale
@tetovanews