Ballina Aktualitet Kosovë Mësohet se si po e importon miellin Serbia, për ta shmangur taksën...

Mësohet se si po e importon miellin Serbia, për ta shmangur taksën e Kosovës

Edhe përkundër faktit që tatimi i vendosur nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë fillimisht u cilësua ndihmë për bizneset, Serbia ka gjetur një rrugë tjetër për të mos e paguar atë.

Kështu ka bërë të ditur drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Mullisëve të Kosovës, Muharrem Farizi.

Farizi në një intervistë për EkonomiaOnline ka thënë se kanë informata që mielli i Serbisë është duke u importuar në Kosovë, në emër të firmave të Bosnjës.

Ai teksa ka thënë se vendimi i ministrit të MTI-së, Bajram Hasani ka qenë ndihmë për mullisët, prapë është arsyetuar se këta të fundit nuk kanë fuqi të mbrohen nga tregtarët serbë.

“Me ardhjen e qeverisë Haradinaj, me ardhjen e ministrit Hasani na mirëkuptoi, mori vendim dhe ka pasë një reagim të menjëhershëm të Serbisë, por edhe në këtë temë tregtarët janë më të zotë dhe kanë gjetë vrima. Në momentin e fundit kemi informata se vjen mielli i Serbisë në emër të firmave të Bosnjës në mënyrë që të mos tatimohet me 4 centë.

“Ajo në fillim na ka ndihmuar, por të jemi të vetëdijshëm se edhe organizimi ynë nuk është i tillë ngase mullisët janë mjeshtër, nuk janë biznesmenë të rinj që horizontin edhe nga aspekti financiar ta hulumtojë”.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, vitin e kaluar ka vendosur masën mbrojtëse për prodhuesit vendës.

Sipas vendimit të ministrisë që Hasani drejton, mielli që importohet nga Serbia do të paguajë tarifë prej 0.04 cent për import të tij.

Ky vendim i MTI-së është marrë pas ankesave të Shoqatës së Mullisëve të Kosovës dhe prodhuesve vendës se mielli nga Serbia po importohet në Kosovë me çmime më të ulëta se sa vlera e çmimit të tregut.
Kreu i mullisëve të Kosovës, ka folur edhe për plotësimin e nevojave të qytetarëve me miell.

Ai ndonëse tha kjo ndryshon nga vitit në vit, ngriti shqetësimin se statistikat nga pikat grumbulluese mund të mos jenë të sakta.

“Në Kosovë nevojat plotësohen varësisht prej vitet i kemi shënimet por unë në Kosovë them se statistikat në Kosovë janë grumbullimin e shënimeve janë të pasakta, prandaj çka të them ata më kanë rrejt mua”, tha Farizi.

Drejtori i Shoqatës së Mullisëve, Muharrem Farizi, e ka quajtur gabim, siç tha ai, dhënien e Ministrisë së Bujqësisë serbëve.

Sipas tij, ministri aktual punon për Beogradin dhe mbron interesat e serbëve. Ai bashkëpunimin “jo të keq”, ia ka atribuuar zëvendësministrave shqiptarë të kësaj ministrie.

“Edhe ky tash punon për Beogradin mbron interesat e serbëve, tash ka lajme se 5 milionë po shkojnë për pjesën veriore ai kinse është i shkarkuar dhe punon ashtu, ne kemi bashkëpunuar. Ndoshta Qeveria Haradinaj ka menduar që këtë ta mbulojë me zëvendësministra, se një zëvendësministër është intensifikuar, nuk është bashkëpunim i keq”.

@tn.lajmelokale
@tetovanews