Ballina Bota Kush është Mbreti Salman i Arabisë Saudite ndaj të cilit u raportua...

Kush është Mbreti Salman i Arabisë Saudite ndaj të cilit u raportua për puç

Të shtëna armësh janë dëgjuar në afërsi të pallatit mbretëror të shtunën mbrëma në Arabinë Saudite.

Shumë përdorues të rrjeteve sociale, sugjeruan për një grushtshtet, ndërsa disa të tjerë thanë se të shtënat u dëgjuan për shkak të rrëzimit të një droni në afërsi të pallatit mbretëror.

Gazetarja e Wall Street, Margherita Stancati, e cila raporton nga Riadi tha se nuk bëhej fjalë për puç.

“Nuk ka tentim puçi në Riad. Një dron u rrëzua pasi ishte shumë afër me pallatin e Mbretit”, shkroi ajo në Twitter.

Agjencia Saudite e Lajmeve njoftoi se një ‘dron i vogël i kontrolluar po fluturonte pa autorizim” duke bërë që organet e sigurisë ta shkatërronin.

Shefi i policisë në Riad tha se policia kishte rrëzuar një dron të paautorizuar në afërsi të pallatit.

Organet kompetente sipas tij po merren me hetimin e rastit.

Mbreti i Arabisë Saudite Salman nuk ishte në pallat në Riad të shtunën kur forcat e siguisë rrëzuan një dron. Njoftimi u bë për Reuters nga një zyrtar saudit.

“Mbreti ishte në fermën e tij në Diriya”, tha zyrtari.

Zëdhënësi i policisë së Riadit më herët tha se forcat e sigurisë kishin rrëzuar një dron që pa autorizim kishte hyrë në zonën e pallatit mbretëror.

Mbreti Salman bin Abdulaziz al-Saud mori fronin pas vdekjes së gjysmë-vëllait të tij, Mbretit Abdullah më 2015.

Ai ishte guvernator i provincës së Riadit për 48 vjet para se të bëhej Ministër i Mbrojtjes më 2011 dhe princ i kurorës një vit më vonë.

Ai erdhi në fron në moshën 79 vjeçare.

Mbreti Salman është pjesë e një fraksioni me ndikim brenda familjes mbretërore të formuar nga djemtë dhe nipërit e Mbretit Abdulaziz dhe gruas së tij më të pëlqyer, Princeshës Hassa al-Sudairi.

Pas vdekjeve të ish-mbretit, Fahd, i cili udhëhoqi mbretërinë nga viti 1982 deri më 2005, dhe dy princave të kurorës, Sultan dhe Nayef, Salman ishte anëtari më i fuqishëm i mbijetuar i këtij fraksioni.

Si Ministër i Mbrojtjes ai ishte kreu i ushtrisë saudite dhe iu bashkua SHBA’ve dhe vendeve të tjera arabe në sulmet ajrore në Siri më 2014 kundër Shtetit Islamik.

Raportohet se Mbreti Salman nuk është i interesuar në reformat politike dhe sociale në vend sikurse paraardhësi i tij.

Prioritet i Mbretit Salman është mbajtja e stabilitetit në Arabinë Saudite.

Shëndeti i 82 vjeçarit gjithmonë ka qenë çështje e interesit. Ai besohet se ka pësuar së paku një sulm në zemër që e la atë me lëvizje të limituara në krahun e majtë./sn/

@tn.lajmelokale
@tetovanews