Ballina Lajme Sot pritet të miratohet propozim buxheti i Komunës së Gostivarit

Sot pritet të miratohet propozim buxheti i Komunës së Gostivarit

Sot në ora 15:30 do të mbahet vazhdimi i seancës së 3-të të Këshillit të Komunës së Gostivarit, transmeton Gostivari Sot.

“Në rend dite do të jetë miratimi i propozim buxhetit të Komunës së Gostivarit për vitin 2018. Ftoheni të ndiqni punimet e Këshillit të Komunës së Gostivarit”, qëndron në njoftimin nga dega e BDI-së në Gostivar.

Kujtojmë që javës së kaluar pas gjashtë orësh debat për buxhetin, u ndërpre seanca e këshillit komunal të Gostivarit. Debati u përqendrua tek miratimi i buxhetit i cili nuk u arrit të miratohet, njofton Gostivari Sot.

Shumica e këshilltarëve kërkuan që buxheti të miratohet me ndryshimet e parapara nga ata, kurse pjesa tjetër e këshilltarëve ka kërkuar miratimin e buxhetit dhe pastaj ndryshimet e parapara nga shumica e këshilltarëve nga BDI – RDK dhe LSDM.
I mendimit që buxheti të miratohet ashtu siç propozohet, ka qenë edhe Kryetari i Komunës, Arben Taravari, por ky propozim është hedhur poshtë nga shumica e këshilltarëve komunal.

Këshilltarët e shumicës, kundërshtuar disa zëra të buxhetit, siç ishin mjetet e parapara për rroga të administratorëve të angazhuar me kontratë. Ata e arsyetuan këtë me faktin që numri i administratorëve me kontratë është jashtë rregullave ligjore, të cilat shohin angazhim të administratorëve me kontratë jo më tepër se 5 % nga numri aktual i administratës së institucionit.

“Po që se miratoheshte ky zë i buxhetit, ne do të shkelnim ligjin. Ligji saktëson që punësime të reja mund të bëhet jo më shumë se 5 % e numrit të administratës. Në shifra, i bie që në Komunën e Gostivarit aktualisht mund të punësohen 7 administratorë, kurse pushteti aktual ka punësuar 46 administratorë me kontratë. Ne nuk mund të bëheshim pjesë e një situata antiligjore”, thanë për Gostivari Sot nga grupi i këshilltarëve të BDI-së.

Arsyetim nga përfaqësuesit e Komunës sa i përket kësaj çështje ishte kontrata e lidhur me Agjencinë për Punësime të përkohshme, dhe sipas tyre këtu nuk ka asgjë antiligjore.

Por, nga grupi i këshilltarëve të BDI-së thanë që ligji është decid dhe këtu nuk ka kompromis. Sa i përket kontratës me Agjencinë për Punësime të përkohshme, ata shprehen që Agjencia nuk është organ që merret me zbatimin e ligjit por vetëm realizon shërbime.

Në fund të maratonës 6 orëshe, u ra dakord që ditën e enjte të realizohet tatim mes koordinatorëve të grupeve të këshilltarëve dhe Kryetarit të Komunës, në tentim për të gjetur zgjidhje për miratimin e buxhetit. Takimi u realizua dhe mes tjerash u ra dakord që seanca të vazhdon ditën e mërkurë.