Ballina Shëndeti Shqiptarët nuk kujdesën për shëndetin oral, sëmundjet e gojës prekin 90% të...

Shqiptarët nuk kujdesën për shëndetin oral, sëmundjet e gojës prekin 90% të popullsisë

Pamundësia ekonomike shtuar edhe koston e lartë të shërbimeve dentare ka bërë që shpesh shqiptarët të neglizhojnë për shëndetin e gojës, madje që në moshat fëmijënore. Sipas Shoqatës së Stomatologëve, sëmundjet e gojës janë më të përhapurat dhe prekin rreth 90% të popullsisë.

Dorjan Hysi: Të dhënat epidemiologjike për grupmoshën parashkollore dhe shkollore nxjerrin që sëmundshmëria është e lartë. Dominon prishja dhe mostrajtimi i dhëmbëve. Shërbimi stomatologjik është i shtrenjtë, trajtimi, dhe jo të gjithë kanë mundësinë ta përballojnë, duke neglizhuar patologjinë, duke arritur deri në heqjen e dhëmbëve. Mungesa e dhëmbëve sjell probleme të tjera në ushqyerje, në estetikë etj.

Kreu i Shoqatës së Stomatologëve, Dorjan Hysi, pohon se nevojiten fushata sensibilizuese përgjatë gjithë vitit, për të informuar qytetarët se parandalimi është i rëndësishëm dhe ka një kosto disa herë më të ulët se trajtimi.

Dorjan Hysi: Është më mirë që të shpenzojmë pak më tepër në parandalim dhe në perspektivë afatgjatë do të kemi një dendicion më të shëndetshëm dhe do të kursejmë më tepër për trajtim. Në qoftë se shpenzon një për trajtim, mund të jetë mbi 3-4 herë më pak shpenzimi për parandalim.

Stomatologët thonë se në popullatë mungon edhe informacioni për shëndetin oral, ndërkohë që shumica e sëmundjeve të gojës ndajnë faktorë të përbashkët rreziku me sëmundje të tjera. Sipas stomatologëve, disa nga faktorët që ndikojnë në sëmundjet e dhëmbëve janë: mungesa e kujdesit, konsumi i duhanit dhe i ëmbëlsirave si dhe kequshqyerja.

@tn.lajmelokale
@tetovanews