Ballina Aktualitet Opinione Shqiptarët e Maqedonisë dhe ndërtimi i shtetit

Shqiptarët e Maqedonisë dhe ndërtimi i shtetit

Ata më të paduruarit, të cilët as që e kishin imagjinuar një fitore në zgjedhje, e shpallën veten pronar të kësaj shprese të rinisë intelektuale të shqiptarëve të Maqedonisë. Atëherë, kur ky organizim politik arriti pjekurin e nevojshme për të ecur vetë drejtë sfidave të radhës, ata u kujdesën që t’i jepnin goditjen vdekjeprurëse me idenë që nëse nuk është e imja – të mos jetë fare

Nga Bilall KASAMI

Politika shqiptare në Maqedoni edhe një herë po përballet me sfidën e ngritjes së projekteve afatgjata, të ndërtimit të shtetit ose shfrytëzimit të resurseve në dispozicion për nevoja të politikës ditore. Kjo situatë po na përsëritet në vazhdimësi për këto tre dekada të tranzicionit të sistemit politik dhe atij ekonomik. Që në fillim, kur u ballafaquam më përvojat e para të organizimit politik pluralist, nuk arritëm që të organizohemi për të ndërtuar një sistem i cili do t`u shërbente gjeneratave pasardhëse, si udhërrëfyes por edhe si motiv për të vazhduar aty ku e lanë të parët.

Nuk mund të themi se nuk kemi pasur model nga i cili duhej mësuar, nuk mund të themi as se nuk kemi pasur mësues që do të donin që të na ndihmonin dhe më së paku mund të ankohemi se nuk kemi pasur mundësi financiare për të implementuar një model të tillë në jetën politike dhe atë shoqërore.

Duke nisur nga e para, modeli ka qenë aty që në fillim. Me ose pa dashje, që nga shpërbërja e Jugosllavisë dhe pavarësimi i Maqedonisë, i vetmi opsion që është diskutuar nga politika zyrtare ka qenë integrimi i Maqedonisë në strukturat euro-atlantike. Dhe kur jemi këtu, kemi pasur mundësi që të zgjedhim cilindo nga shtetet themeluese të BE-së dhe atë përvojë ta bëjmë pjesë të përkushtimit tonë për të bërë politikë dhe për të ndërtuar një shtet me sistem të ri vlerash, rrjedhimisht edhe ngritjen e institucioneve që ju përshtaten këtyre vlerave. Si sot më kujtohen tregimet për atë se si gjermanët arritën që të ndërtojnë gjithçka nga e para me sakrificë, që në momente dukej se i kalonte limitet njerëzore dhe Gjermania shumë shpejtë pas Luftës së Dytë Botërore të bëhej njëra ndër ekonomitë me të zhvilluara dhe forca motorike e një unioni edhe më të gjerë të shteteve të Evropës. Por gjithë këtë e dëgjonim si një tregim për diçka që nuk na përkiste neve. Dëshironim që të jetojmë jetën e gjermanëve të viteve të nëntëdhjeta, pa dashur të kujtojmë investimin dhe sakrificën e tyre në vitet e dyzeta, pas Luftës së Dytë Botërore. Edhe mësuesit kanë qenë të gatshëm që të na ndihmojnë në këtë rrugëtim. Gati se çdo shtet i BE-së ka pasur projekte për të na ndihmuar në përqafimin e vlerave evropiane aq shumë të dëshiruara dhe të diskutuara nëpër odat e burrave dhe debatet televizive. E di që diaspora shqiptare ka qenë pjesa më e ndritur e kombit, e gatshme gjithmonë për të sakrifikuar.

Por, politikanët shqiptarë të Maqedonisë nuk e kuptuan seriozitetin e përgjegjësive që i kishin marrë mbi supet e tyre për të ngritur një shtet nga asgjëja. Në vend se të ulen dhe të ndërtojnë një strategji afatgjatë të veprimit politik, ata filluan që të merren me politikë ditore, sikur Maqedonia ishte një shtet me demokraci të konsoliduar u turrën pas pozitave që ju ofronte pushteti, pa menduar se ai pushtet nuk ju përkiste atyre. Filluan garën me pushtetarët maqedonas për ndarje të kulaçit të pushtetit, pa qenë të gatshëm që t`i konkurrojnë në udhëheqje të shtetit. Dhe shumë shpejt erdhi dëshpërimi dhe si pasoj edhe përçarja. Përçarje që e thelloi dëshpërimin deri në atë nivel saqë më nuk kishte shpresë se mund të rikthehet diçka me mjete demokratike dhe filluan edhe organizimet e para më serioze për një luftë të armatosur kundër “pushtuesit maqedonas”, pa dashur të pranojmë se edhe ne ishim pjesë aktive e gjithë këtij “pushtimi”. Njëjtë si në vitet e nëntëdhjeta, të gjithë e përkrahëm këtë të ashtuquajtur luftë çlirimtare. Edhe këtu me kujtohen situata në raste edhe të pashpjegueshme se si adoleshentë pa lejen e prindërve të tyre iknin nga shtëpitë për t`iu bashkangjitur kësaj lufte çlirimtare. Shpejt mbaroi edhe lufta me ndërhyrje të miqve tanë amerikanë dhe evropianë. U nënshkrua një marrëveshje, e cila në vend se të ishte një themel për ngritje të një shteti të përbashkët ku edhe ne shqiptarët do të ishim pronar të barabartë me maqedonasit, u bastardua në një marrëveshje koalicioni për ndarje të kulaçit të pushtetit. Dhe përsëri dështuam, jo për faj të maqedonasve po për fajin tonë, sepse e përsëritëm po të njëjtin gabim, shkaku i të cilit erdhi edhe konflikti i armatosur. Vlerësuam se shteti është i joni pa menduar se edhe sikur të ishte ashtu, shteti kërkon burrështetas për ta udhëhequr dhe jo politikanë që kalkulojnë sa ministri apo drejtori do të marrin në emër të hises që demek ju takon shqiptarëve po ku do të rehatohen të dëgjueshmit e nënës parti. Vërtetë që i morën ministritë dhe drejtoritë që i dëshiruan, por kur nuk u bënë hisetarë të shtetit.

Pas disa tentimeve të pasuksesshme të iniciativave të reja politike nga njëra anë si dhe dështimeve të njëpasnjëshme të çlirimtarëve të djeshëm dhe tenderomenëve të sotëm nga ana tjetër, më në fund u paraqit një dritë në fund të tunelit. Një dritë që jepte shpresë se shqiptarët e kanë kuptuar më në fund se duhet të luftojnë për shtetin dhe jo pushtetin. Një dritë që jepte Besën shqiptare se do ta ridefinojë shtetin si shtet të barabartë, ku edhe shqiptarët do të jenë pronarë të këtij shteti bashkë me maqedonasit, pa i anashkaluar të tjerët. Edhe një herë shqiptarët e përkrahën këtë iniciativë po me të njëjtin elan si herët e tjera dhe në zgjedhjet e para që pasuan kjo lëvizje fitoi votat e tyre.

Dhe përsëri tregimi fillon nga e para. Atëherë kur pritej që kjo shpresë të ngritet në një forcë reale politike që do të dijë të artikulojë drejtë kërkesat e shqiptarëve për të qenë shtetformues dhe kjo të arrihet përmes një debati gjithëpërfshirës mes elitave shoqërore maqedonase dhe shqiptare, erdhi goditja e radhës. Në vend se legjitimitetin e fituar në zgjedhje ta shfrytëzojmë në mobilizim të elitave intelektuale të shqiptarëve të Maqedonisë për të përgatitur një vizion më të prekshëm se si do të dukej një shtet i ridefinuar dhe rrjedhimisht edhe strategjinë e jetësimit të këtij vizioni, filloi lufta për të qenë pjesë e një pushteti duke e harruar shtetin. Dhe ata më të paduruarit, të cilët as që e kishin imagjinuar një fitore në zgjedhje, e shpallën veten pronar të kësaj shprese të rinisë intelektuale të shqiptarëve të Maqedonisë. Atëherë, kur ky organizim politik arriti pjekurin e nevojshme për të ecur vetë drejtë sfidave të radhës, ata u kujdesën që t’i jepnin goditjen vdekjeprurëse me idenë që nëse nuk është e imja – të mos jetë fare. Por, kësaj radhe planet nuk iu dolën ashtu si i kishin menduar, sepse kjo shpresë e rinisë intelektuale tanimë ishte forcuar mjaftueshëm që jo vetëm se të mund të funksionoj si një organizim autonom, autokton dhe autentik, ai kishte krijuar potencialin e mjaftueshëm që të mund t`i mbijetojë edhe kësaj goditjeje. Dhe përsëri jemi para sfidës për të përfituar dhe materializuar këtë që e kemi arritur deri tani me ndonjë post ministri ose zv.ministri nga njëra anë ose të qëndrojmë stoik dhe të palëkundur rreth idesë se, shqiptarëve të Maqedonisë nuk iu duhet që me maqedonasit të ndajnë pushtetin para se të merren vesh për pronësinë mbi shtetin. Gjithë ata që janë të interesuar për shtetin para pushtetit janë të mirëseardhur t’i bashkohen karvanit të Besës./koha.mk

@tn.lajmelokale
@tetovanews