Ballina Futboll Sarri e tepron, gjuhë vulgare ndaj gazetares

Sarri e tepron, gjuhë vulgare ndaj gazetares

Maurizio Sarri nuk e ka përmbajtur dot veten në fund të takimit të zhvilluar në “San Siro” me Interin, ndeshje që u mbyll në barazim pa gola, duke mos i shërbyer asnjë prej ekipeve.

Në konferencën për shtyp pas ndeshjes, një gazetare i drejtoi një pyetje korrekte, të saktë dhe legjitime. “E teproj nëse them se këtë mbrëmje çështja e titullit është kompromentuar?”, pyeti gazetarja sportive.

Por përgjigjja që i erdhi nga trajneri i Napolit shkoi përtej normave etike.

“Je grua, je bukuroshe, e për këto dy motive nuk do të të thosha ik pi*dhu”.

Një reagim aspak i hijshëm i një trajneri futbolli, pavarësisht çdo lloj arsyeje, vepër për të cilën edhe vet Sarri kuptoi se kishte kaluar limitet dhe u kthye të kërkonte falje.

Orët e vona të mbrëmjes së djeshme, kur konferenca kishte marrë fund, Sarri, i shoqëruar edhe nga përgjegjësi i shtypit në ekipin e Napolit, Nicola Lombardo, ka kërkuar ndjesë për gazetaren. Vonë, por më mirë vonë sesa kurrë!

“Një përgjigje seksiste dhe e papranueshme”. Me këtë fjali ka nisur qëndrimi i mbajtur nga Unioni i Gazetarëve të Campanias, pas deklaratave të Sarrit.

“Me telekamerat e fikura – shton presidenti Lucarelli, – Sarri kërkoi falje, por mbetet ende në fuqi përgjigjja e tij që shënon jo vetëm një gjuhë vulgare të trajnerit, por edhe përçmimin ndaj shtypit dhe ndaj femrave. Solidaritet të plotë me kolegen tonë”. /Top Channel/