Ballina Futboll Nike apo Adidas? Ja kush dominon në botën e futbollit

Nike apo Adidas? Ja kush dominon në botën e futbollit

Dy kompanitë më të rëndësishme të veshjeve sportive, Nike dhe Adidas janë prej kohësh në një “luftë” të hapur në këtë fushë, me përpjekjet e tyre për të pasur kontrata me klubet që u sigurojnë më shumë të ardhura.

Kompania amerikane Nike, që po kërkon të japë një ndihmesë në transferimin e Neymar te Reali i Madridit, krenohet me faktin se ka nënshkruar me disa prej ekipeve dhe futbollistëve më të mire në botë.

Për këtë mjafton të shohësh listën e lojtarëve që garojnë për Topin e Artë. Në dhjetëshen e parë të kësaj liste, 7 janë lojtarë që kanë Nike si sponsor, e mes tyre është edhe Cristiano Ronaldo, fituesi aktual i këtij trofeu. Ndërsa po ta zgjerojmë këtë listë në 25 futbollistë, 16 janë me kontrata me Nike, 7 me Adidasin dhe dy me Pumën.

Kështu, futbollistët që sponsorizohen nga Nike – përveç Ronaldos, – janë Neymar, Modriç, Ramos, Mbappe, Lewandowski dhe Kane.

Në krahun tjetër, Adidas ka në “skuadrën e tij” yllin e Barcelonës dhe përfaqësueses argjentinase, Lionel Messi, si dhe Luis Suarezin e Paul Pogbanë, por gjithsesi betejën me Nike për kontratat individuale me futbollistët e ka të humbur.

Nuk mund të thuhet e njëjta gjë kur bëhet fjalë për skuadrat më të rëndësishme të Europës.

Këtu, beteja mes Adidasit e Nike është më e rivalizuar. Po të shohim listën e “Forbes”-it të 10 klubeve më të vlefshme në botë, 4 prej tyre kanë kontrata me Adidasin dhe 4 me Nike.

Nëse analiza bëhet për 20 klubet më të vlefshme, Nike fiton një avantazh të lehtë, me 8 klube nën kontratë kundrejt 6 të Adidasit./sn/