Ballina Lajme Në BeH prej sot vetëm me letërnjoftime

Në BeH prej sot vetëm me letërnjoftime

Qytetarët e Maqedonisë dhe Bosnjë e Herzegovinës prej sot do të mund të udhëtojnë në të dy vendet vetëm me letërnjoftim. Marrëveshja për këtë mundësi u nënshkrua sot nga Kryeministri Zoran Zaev dhe Kryetari i Këshillit të Ministrave të BeH-së, Denis Zvizdiq.

Kryeministri Zaev në një konferencë të përbashkët shtypi theksoi se kjo tashmë është një praktikë që Maqedonia e ka vendosur më parë edhe me Serbinë edhe me Shqipërinë.

“Ky është hapi i dytë konkret për të lehtësuar lëvizjen e qytetarëve midis dy vendeve pas marrëveshjes tashmë të nënshkruar për njohjen reciproke të patentave të shoferëve”, tha Zaev.

Përveç lehtësimit të lëvizjes së qytetarëve, me marrëveshjen e sotme të nënshkruar, lehtësohen kushtet për nxënësit e arsimit fillor dhe të mesëm, si dhe studentët që do të studiojnë në kushte të barabarta si studentët nga Maqedonia. Tarifa e shkollimit do të jetë e njëjtë me atë të studentëve nga vendi.

Zaev theksoi se Maqedonia dhe Bosnja e Hercegovina dërgojnë një mesazh se ata janë të përkushtuar seriozisht për zhvillimin e marrëdhënieve miqësore me fqinjët dhe një rajon të bashkuar që synon perspektivat evropiane.