Ballina Aktualitet Opinione Konkurrenca përballë bashkëpunimit, si koncepte për ndërtimin e shtetit

Konkurrenca përballë bashkëpunimit, si koncepte për ndërtimin e shtetit

Nga Bilall KASAMI

Shqiptarët lëre që nuk arritën gati se në asnjë institucion të administratës shtetërore të plotësojnë kuotën e paraparë me Marrëveshjen e Ohrit, por këtë normë pushtetarët shqiptarë që erdhën në pushtet si rezultat i këtij konflikti të armatosur – e shfrytëzuan për punësim të militantëve partiakë. Që absurdi të jetë edhe më i madh, kemi situatë kur administratorët shqiptarë marrin rrogë shtetërore duke mos e ditur edhe vendin e punës se ku janë të punësuar

Këtë shkrim e filloj duke u bazuar në një koncept të thjeshtë ekonomik por që vlerësoj se është esencial në ndërtimin e Maqedonisë si një shtet, i cili do të ketë potencën e mjaftueshme që të krijojë mirëqenie për gjithë qytetarët pa marrë parasysh dallimet e tyre në baza etnike, religjioze ose përkatësie tjetër.

Teoria ekonomike produktet i ndanë në dy grupe kryesore: produkte komplementare (plotësuese) dhe produkte zëvendësuese (substitute). Pa dashur të futem më thellë në shpjegimin e koncepteve ekonomike, vetë esenca e kësaj ndarje të produkteve na jep të kuptojmë se edhe njerëzit rrjedhimisht edhe kombet janë të ndryshëm për të plotësuar njëri-tjetrin para se të jenë konkurrentë. Konkurrenca është baza e ekonomisë së tregut, një sistem që duam të ndërtojmë edhe ne për këto gati tre dekada të transformimit të sistemit ekonomik. Por, që të mund të jemi konkurrentë me shtetet tjera në kushte të një ekonomie globale, që shpesh emërtohet edhe si “fshati global” për të treguar afërsitë dhe komunikimin mes shteteve dhe ekonomive botërore, duhet ndërtuar një sistem ekonomik që mbështetet mbi vlerat komplementare mes kombeve të ndryshme me të cilët ndajmë këtë shtet të përbashkët.

Shtetet, gjegjësisht ekonomitë evropiane edhe pse radhiten në mesin e ekonomive më të fuqishme botërore janë duke ndërtuar një sistem të përbashkët ekonomik, i cili do të ju japë një forcë të re për tu përballur me ekonomi të fuqishme si që janë SHBA, Kina, Rusia, India etj. Fundja, një ndër karakteristikat dalluese të ekonomisë amerikane që i jep asaj një përparësi konkurruese përballë ekonomive tjera është edhe diversiteti i shoqërisë së saj.

Për tu kthyer në realitetin tonë, është vërtetë e pakuptimtë që në një shtet që po të ketë një regjistrim të mirëfilltë ndoshta nuk arrin as dy milionëshin e banorëve, të kërkojmë ndarje të mëtutjeshme duke i konkurrua njëri tjetrit në gjithçka. E gjithë kjo në kushte kur kombet e Maqedonisë ndajnë shumë vlera të përbashkëta njëherësh duke pasur edhe shumë dallime mes tyre, këto dallime më shumë jua shtojnë vlerën nëse të njëjtat shfrytëzohen për të ndërtuar një sistem shoqëror ku çdo individ, gjegjësisht grup etnik do ta gjejë veten të vlefshëm. Në kohën kur duhet të jemi të koncentruar që të jemi më konkurrues me shtete tjera ne i konkurrojmë vetvetes gati në gjithçka. Kjo konkurrencë vjen në shprehje veçanërisht në relacionet mes dy kombeve më të mëdha, shqiptarëve dhe maqedonasve. Këtu do të paraqes dy raste që i kanë kushtuar Maqedonisë shumë vetëm shkaku i kësaj mendësie të mbrapshtë të ndërtimit të relacioneve mes kombeve të ndryshme në shtet.

Rasti i parë ka të bëjë me transformimin e sistemit ekonomik, nga sistemi i centralizuar bazuar në konceptin e pronës së përbashkët drejt një sistemi ekonomik që bazohet në ekonominë e tregut dhe pronën private. Dhe kur jemi këtu, kemi shembullin më eklatantë të mendësisë së ndërtimit të shtetit, gjegjësisht themeleve të tij e që është konkurrenca mes kombeve në gjithçka. Është botërisht e njohur që shqiptarët edhe në kuadër të Ish-Jugosllavisë vlerësoheshin si popull me shpirt ndërmarrës dhe rrjedhimisht të vetmet biznese, gjegjësisht iniciativa privati gjithandej në Jugosllavi gati se në dominancë ishin në pronësi të tyre. Me transformimin e sistemit ekonomik tanimë drejtë një ekonomie të tregut bazuar në pronën private, shqiptarët ishin të gatshëm që këtë përvojë ta shfrytëzojnë në drejtim të ndërtimit të një ekonomie të fuqishme që do të krijojë mirëqenie për të gjithë pa dallim.

Pra, këtu kishim një potencial të fuqishëm që disponohej nga shqiptarët e që kërkonte një qasje korrekte dhe bashkëpunuese nga pushteti gati se tërësisht i dominuar nga maqedonasit. Dhe, kur duhej që pushtetarët maqedonas të shohin interesat më të gjëra të shtetit dhe këto interesa ti nxjerrin në planë të parë ata u treguan shpirtngushtë dhe me një qasje jo shtet ndërtuese. Duke shfrytëzuar e ekskluzivitetin në vendimmarrje për shumë çështje të rëndësishme shtetërore ndër ta ajo më e rëndësishmja vlerësoj unë, të drejtën që të vendosin se kush do të menaxhoj në të ardhmen me pronën shoqërore të krijuar për më shumë se pesë dekada, tanimë si pronë private, ata vendosën që këtë pronë ta mbajnë për vete duke eliminuar nga kjo garë të gjithë kombet e tjera dhe veçanërisht shqiptarët. Ideja ishte shumë e thjeshtë dhe me motive të ulëta, të krijojnë afaristët e tyre (maqedonas) dhe mos i lejojmë shqiptarët që duke dominuar ekonominë të ju bëhen hisetarë edhe në çështje tjera të rëndësishme shtetërore.

Ndoshta, do të ishte e pranueshme si qasje nëse do të kishin pasur sukses që të gjithë këtë pasuri kombëtarë ta privatizonin dhe të vazhdonin që gjithë këto kapacitete ekonomike ti transformojnë në biznese të suksesshme. Por duke e ditur që po marrin diçka që nuk e meritojnë, vetëm bazuar në faktin se janë në pozitë që favorshme, të gjithë këta afaristë duke shfrytëzuar lidhjet e ngushta me pushtetin në emër të një nacionalizmi të rrejshëm e vodhën pa skrupull një pasuri të ndërtuar me djersën e prindërve tanë, pa dallim. Nga ana tjetër ata as që e kishin idenë e menaxhimit të këtyre kapacitete kapitale në kushtet e reja të një sistemi ekonomik që duhej ndërtuar e që mbështetej në iniciativën e lirë dhe pronën private. Si rezultat i një qasje të tillë në momente edhe shoviniste, sot gati tre dekada më vonë, ballafaqohemi me një situatë absurde.

Me një qasje të tillë, ata nuk arritën që të ngrenë afaristë të suksesshëm maqedonas duke ua falur gjithë pasurinë shoqërore të krijuar në të kaluarën dhe në anën tjetër nuk arritën që të ndalojnë shqiptarët të ngrenë biznese të suksesshme në nivele shtetërore, rajonale por edhe më gjerë. Gati se në çdo qytet të Maqedonisë, veçanërisht në pjesën veri-perëndimore të saj, ballafaqohemi me këtë fenomen. Në njërën anë kemi biznese të suksesshme në pronësi të shqiptarëve të ngritur nga “hiçi” dhe menjëherë pranë tyre do ti shihni gërmadhat e kapaciteteve në krijuara nga prindërit tanë në kohën e Jugosllavisë e të shkatërruara nga paaftësia e pronarëve të tyre maqedonas. Dhe si rezultat i kësaj kemi një situatë të një konkurrence jolojale, konkurrencë kjo lëre që nuk e ndihmon zhvillimin e mëtutjeshëm të sistemit ekonomik, por edhe e pengon atë. Kjo edhe nga shkaku se pushtetarët maqedonas edhe më tutje vazhdojnë me po të njëjtën qasje karshi bizneseve duke i ndarë në baza etnike e jo se cilët janë të suksesshme e cilët të dështuar. Duke i penguar bizneset e suksesshme vetëm se pronarët e tyre janë shqiptarë dhe duke i përkrahur ata të dështuarit vetëm se pronarët e tyre janë maqedonas.

Rasti i dytë ndërlidhet më qasjen e barabartë të qytetarëve deri te administrata shtetërore. Të ballafaquar me padrejtësi permanente gati se në të gjitha fushat, veçanërisht me një diskriminim të hapur nga administratorët shtetëror pothuajse në tërësi të përkatësisë etnike maqedonase, shqiptarët në vitin 2001 organizuan një kryengritje të armatosur për të fituar të drejtat e tyre. Dhe gati se e gjithë sakrifica e 2001 në fund degjeneroi me një marrëveshje e cila ju garantonte shqiptarëve përfaqësimin adekuat në administratën shtetërore. Dhe përsëri kemi një situatë që mbështet në mendësinë e zëvendësimit dhe jo në mendësinë e plotësimit. Me fjalë tjera edhe një herë vendosëm që ti konkurrojmë njëri tjetrit edhe në një dimension tjetër, atë të administratës shtetërore, para se të ulemi e të merremi vësh që të bashkëpunojmë. Tanimë shqiptarët përmes tytës së pushkës ju drejtuan maqedonasve dhe ju kërkuan që edhe këta, pra shqiptarët duan të kenë administratorët e tyre të punësuar në administratën shtetërore.

E gjithë çështja ndërlidhej me qasjen e shqiptarëve deri te shërbimet që ofron administrata shtetërore dhe kjo qasje të jetë pa diskriminim etnik. Një element i rëndësishëm ishte përdorimi i gjuhës shqipe në administratën shtetërore, përdorim ky që do të ju mundësonte qasje të barabartë edhe atyre shqiptarëve që nuk e dinin gjuhë maqedonase.

Dhe e gjithë situata mund të zgjidhej përmes dy rrugëve. E para, zyrtarizimi i plotë i gjuhës shqipe në të gjitha nivelet e administratës shtetërore dhe njëherësh edhe ndryshim rrënjësor të qasjes së administratorëve shtetërore karshi qytetarëve duke i trajtuar si të barabartë. Po të kishte një marrëveshje që të gjithë administratorët që punësoheshin në administratën shtetërore të jenë të obliguar që të njohin gjuhët e dy komuniteteve më të mëdha, shqiptarëve dhe maqedonasve, vlerësoj se një dimension i rëndësishëm i këtij problemi do të ishte zgjidhur. Këtu nuk duhet harruar që të gjithë qytetarët detyrimisht të kenë mundësi të barabarta punësimi në administratën shtetërore, dhe kjo mos të jetë vetëm një zgjidhje e imponuar me ligj por një marrëveshje e dakorduar mes dy komuniteteve shumicë.

Zgjidhja e dytë, ishte ajo që doli si rezultat i Marrëveshjes së Ohrit, kuota e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat e shqiptarëve në administratën shtetërore. Marrëveshje kjo lëre se nuk e zgjodhi problemin, por e thelloi edhe më shumë. Tanimë shqiptarëve ju vështirësua edhe më shumë qasja deri te shërbimet e administratës shtetërore, kjo nga shkaku i acarimit edhe më të madh të marrëdhënieve ndëretnike si rezultat i së cilës administratorët maqedonas qytetarëve shqiptarë ju drejtoheshin me nënçmim se tanimë ata nuk kishin obligim që të ju shërbejnë sepse këta (shqiptarët) i kishin administratorët e tyre.

Në anën tjetër, shqiptarët lëre që nuk arritën gati se në asnjë institucion të administratës shtetërore të plotësojnë kuotën e paraparë me Marrëveshjen e Ohrit, por këtë normë pushtetarët shqiptarë që erdhën në pushtet si rezultat i këtij konflikti të armatosur – e shfrytëzuan për punësim të militantëve partiakë. Që absurdi të jetë edhe më i madh, kemi situatë kur administratorët shqiptarë marrin rrogë shtetërore duke mos e ditur edhe vendin e punës se ku janë të punësuar, në kohën kur shumica e institucioneve shtetërore nuk e kanë plotësuar kuotën e paraparë me Marrëveshjen e Ohrit.

Nëse këtë zgjidhje e kombinojmë me një zgjidhje gjysmake të zyrtarizimit të gjuhës shqipe rezultati është edhe më dëshpërues. Tanimë, ballafaqohemi me absurde të reja kur të gjithë palët të jenë shqiptarë dhe zyrtarisht të jenë të obliguar të komunikojnë në gjuhën maqedonase (gjyqësori).

Por, shqiptarët (pushtetarët e tyre) tanimë kanë mundësi të krekosen se edhe ata krijuan “administratorët e tyre shqiptarë” në administratën shtetërore ashtu si maqedonasit i krijuan “afaristët e tyre maqedonas” edhe pse edhe të parët edhe të dytët nuk janë në shërbim të rritjes së mirëqenies së qytetarëve të këtij shteti të përbashkët.

Me situata të tilla ballafaqohemi gati se në të gjitha fushat e jetës shoqërore dhe lirisht këtu mund të numërojmë me dhjetëra raste të ngjashme me ato të përshkruara më lartë në këtë tekst. Qëllimi i këtij shkrimi nuk është që ti numërojmë rastet e diskriminimit, raste këto që pasuan me zgjidhje të gabuara të problemeve. Qëllimi është të tregojmë se duhet të ndryshojmë qasjen karshi shtetit dhe pronësisë mbi të. Kur do ta kuptojmë se të gjithë jemi pronarë të barabartë të shtetit detyrimisht do të ulemi që të merremi vesh se kush çka do të bëjë bazuar në atë se çka dinë më mirë të bëjë edhe si individ, por edhe si përfaqësues i një grupi të caktuar.

Në esencë ky është koncept i RIDEFINIMIT të shtetit, koncept që mundëson ndërtimin e një shteti të përbashkët që do të krijojë mirëqenie për të gjithë. Të gjithë zgjidhjet e deritanishme vetëm se në vazhdimësi kanë rrënuar themelet e shtetit duke krijuar dy kombe të cilët gjithnjë e më shumë janë konkurrent të njëri tjetrit dhe gjithnjë e më pakë kanë karakteristika plotësues të njëri-tjetrit./koha.mk

 

@tn.lajmelokale
@tetovanews