Ballina Lajme Gazetarët në protestë kundër kërcënimeve (VIDEO)

Gazetarët në protestë kundër kërcënimeve (VIDEO)

Gazetarët protestuan para Qeverisë, kundër kërcënimeve dhe fyerjeve që kreu i degës së BDI-së në Çair Beqir Asani i bëri ndaj kreut të SHGM-së Naser Selmanit. Ky i fundit kërkoi nga autoritetet të merren me këtë rast.

Nuk jemi këtu vetëm pse dikush më kërcënohet mua, por sepse gazetarët janë vazhdimisht të ekspozuar ndaj kërcënimeve dhe shtypjeve. Nuk pranojmë sqarime se në Qeveri ka djem të mirë dhe të këqij. Ne i paguajmë tatime kësaj qeverie dhe kjo qeveri ka obligim t’i heshtë banditët. Dua të dërgoj porosi deri te sulmuesit, nuk u frikësohem. Nuk u frikësohem as banditëve të BDI-së dhe nuk u frikësohem as atyre që heshtin dhe rrinë në qeverinë e njëjtë me to – deklaroi Naser Selmani- SHGM.

Aktin ndaj Selmanit e dënuan edhe nga Qeveria. Ministri për komunikim Robert Popovski i cili mori pjesë në protestën e gazetarëve tha se kanë marrë të gjitha masat për këtë rast dhe se tani lënda është në Prokurori.

Ministria e brendshme e ka kryer punën e saj, në radhë është prokuroria. Ky është një paralajmërim serioz, veçanërisht kur është sulmuar kryetari i SHGM-së, kjo është një punë shumë serioze megjithatë seriozisht edhe po veprohet nga ana jonë – deklaroi Robert Popovski.

Ofendimet dhe kërcënimet ndaj kreut të SHGM-së i ka dënuar edhe BDI-ja e Ahmetit. Bujar Osmani tha se janë kundër dhunës që pengon punën e gazetarëve.

Qeveria dhe partitë që bëjnë koalicionin janë absolutisht të vendosura për të garantuar të drejtën për liri të shprehjes dhe absolutisht dënojmë çdo formë të ofendimit, çdo formë të kërcënimit apo pengimit të punës së tyre – tha Bujar Osmani, BDI

Kryetar i SHGM-së Naser Selmani kishte denoncuar kërcënimet që kishte marrë nga vëllai i kreut të BDI-së në Çair Beqir Asanit menjëherë pasi kishte akuzuar këtë të fundit për dhunë ndaj polices e cila kishte tentuar që t’i merrte Asanit veturën e parkuar në vend të ndaluar.

Elmedina Aliji