Ballina Lajme Basha refuzon të japë sqarime për lidhjet me rusët

Basha refuzon të japë sqarime për lidhjet me rusët

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha edhe dje nuk ka dhënë sqarime sa i takon lidhjeve me rusët.

Ndonëse kjo çështje prej disa ditësh ka ndezur klimën politike në Shqipëri pas dyshimeve të ngritura nga ana e revistës amerikane “Mother Jones”, duket se demokratë vijojnë t’i evitojnë këto akuza.

Vetë kreu demokrat, Lulzim Basha dje pas mbledhjes së grupit parlamentar, gjatë një deklarate për mediat sulmoi hapur qeverinë në lidhje me kokainën e kapur në Durrës.

Por ajo ç’ka ra në sy është se çështja e lobimeve të Partisë Demokratike në SHBA dhe lidhjet me rusët nuk u përmendën fare nga Basha. Madje ai u pyet disa herë në lidhje me çështjen e akuzave të bëra nga socialistët për lidhjet e PD me rusët, por kreu demokrat evitoi pyetjen dhe u përgjigj me një kundërakuzë duke e përqendruar vëmendjen tek situata e drogës dhe çështja e krimit në vend.

“PD i ka bërë të qarta si drita e diellit të gjitha aspektet financiare dhe zgjedhore të saj. Gjithçka ka dalë në përputhje me ligjin.

As ulërimat e Edi Ramës as dëshpërimi i Taulant Ballës nuk mund ta heqin vëmendjen nga fakti se përmes një takimi sekret ditën e premte në një spital privat në Kombinat dhe përmes mekanizmave të tjerë politikë po përgatiten dy mynxyra të mëdha.

Sabotimi total i hetimeve të kokainës së Maminasit dhe lirimi i Saimir Tahirit. Ndaj fokusi ynë është lufta kundër krimit dhe drogës, sa i takon tjetrës ju kujtoj se kemi qenë ne të parët që kemi kërkuar verifikim nga prokuroria, Edi Rama të presë hetimin.

Pse ngutet?! Por të mos harrojmë se po përgatitet lirimi i Saimir Tahirit po përgatitet sabotimi total i hetimit të kokainës së Maminasit.

Kemi të dhëna jashtëzakonisht shqetësuese”, tha Basha. Sakaq, një fakt i tillë tregon qartë se Partia Demokratike po përpiqet në një farë mënyre që të heq vëmendjen nga çështja e lobimit në SHBA dhe lidhjet me rusët.

Kjo për faktin se dhe në mbledhjen e grupit parlamentar të PD, temat kryesore që u diskutuan për në seancën e të enjtes, sipas burimeve të gazetës, ishin ajo e mocionit me debat që demokratët do zhvillojnë me kryeministrin për skemën e re të ndihmës ekonomike dhe çështja e drogës.

Basha ka porositur deputetët që të sulmojnë qeverinë për këto dy çështje, me qëllim që të hiqet vëmendja nga lobimi në SHBA dhe akuzat për lidhjet me rusët.