Ballina Aktualitet Kultura 21 Marsi, Dita Botërore e Poezisë

21 Marsi, Dita Botërore e Poezisë

Që nga viti 1999, 21 marsi është shpallur nga UNESCO dita botërore e poezisë. Vendimi i marrë në kongresin e 30-të të kësaj agjencie, zhvilluar në Paris, ka si objektiv kryesor mbështetjen e diversitetit linguistik përmes shprehjes poetike.

Në të njëjtën kohë, caktimi i një dite ndërkombëtare për poezinë bëhet edhe me qëllimin për t’i kthyer kësaj gjinie të letërsisë funksionin e saj të parë, traditën gojore.

Ndërsa në kohët antike, në Greqinë e lashta poemat e Homerit mësoheshin përmendësh nga aedët dhe recitoheshin kryesisht në ambiente publike tashmë duket se poezisë i ka humbur ky tipar i vet kryesor. Në këtë mënyrë UNESCO kërkon që përmes recitaleve të ndryshme, përmes takimeve poetike dhe mbrëmjeve artistike të krijojë një urë lidhjeje mes poezisë dhe formave të tjera të artit si teatri, kërcimi, muzika, piktura etj. e në të njëjtën kohë të mbështesë poetët e rinj, t’i promovojë ato dhe të krijojë një imazh tërheqës për poetin, që shpeshherë shihet si dikush që nuk është më në modë, shkruan KP.

Dita botërore e poezisë është konceptuar si një ftesë për të reflektuar mbi fuqinë e gjuhës dhe zhvillimin e plotë të kapaciteteve kreative të secilit prej nesh. Për këtë arsye UNESCO bën thirrje për zhvillimin e aktiviteteve kulturore në nivel lokal e ndërkombëtar në institucione publike e private duke përfshirë këtu shkolla, bashki, muzeume, shoqata kulturore, shtëpi botuese etj. Para caktimit të 21 marsit, si dita botërore e poezisë, ishte 15 tetori që kremtohej në të gjithë botën me aktivitete të larmishme letrare, pasi ai përkonte me ditëlindjen e poetit epik romak, Virgjil. Në disa vende kjo traditë e të festuarit në muajin tetor vazhdon të ruhet ende.

Megjithëse shumë prej nesh e pëlqejnë poezinë, ose më mirë parapëlqejnë ta përdorin atë sidomos në komunikimin me personin e zemrës, poezia në ditët tona nuk lexohet më aq shumë sa vite më parë. Nëse do t’i hidhnim një sy librave të hedhura në treg nga shtëpitë botuese volumi më i madh i veprave i përket romanit, pra prozës, ndërkohë që librat me poezi janë shumë më të rrallë. Kryesisht ato në masën më të madhe i përkasin letrarëve të rinj, që gjithnjë e nisin rrugën e letrave me vjershat e para të shkruara në kohën e adoleshencës. Nuk mungojnë edhe botimet nga emra tashmë të njohur në këtë lëmë, por që janë gjithnjë e më të pakta.

Për t’u nënvizuar është dhe një fakt tjetër që vihet në dukje e pranohet si nga kritikët, por edhe nga poetët; poezi cilësore ka shumë pak. Kjo dhe për vetë specifikën e poezisë, që gjithnjë është konsideruar si një gjini më elitare sesa proza.

@tn.lajmelokale
@tetovanews