Ballina Aktualitet Kultura VIDEO: Historia e këngës së dashurisë më të bukur në botë

VIDEO: Historia e këngës së dashurisë më të bukur në botë

Paris, vjeshtë 1967. “Dua që ti të shkruash për mua këngën më të bukur në botë”, thotë ajo dhe rrotullohet mes çarçafëve. Pastaj buzëqesh, kthehet nga ana tjetër e shtratit dhe fle.

Serge Gainsbourg ulet në pianon e stërmadhe në sallonin e shtëpisë së tij në Rue de Verneuil. Pas 2-3 orësh kthehet te shtrati. “Çohu, – thotë – dua të dëgjosh diçka”.

Ka fare pak imagjinatë brenda, por kjo është historia e lindjes së asaj që njihet si kënga e dashurisë më e bukur në botë – raporton DITA.

Bëhet fjalë për Je t’aime, moi non plus dhe gruaja mes çarçafëve është… Brigitte Bardot.

Paris vjeshtë 1969. Serge Gainsbourg dhe Jane Birkin janë çifti mitik i Francës së fundit të viteve ’60: Ai nouvelle vague kurse ajo swinging london, ai 40 vjeçar libertin, ajo 20 vjeçare naive. Ishin personazhet perfektë të kohës së tyre.

Publiku i adhuron, paparacët i ndjekin pas kudo. Sapo kishte dalë në qarkullim kënga që do mbetej përjetë në histori si kënga e tyre: Je t’aime moi non plus, një shpërthim poetik që kulmon me një stimulim pasthirrmash. Është orgazëm e vërtetë?

Në Francë skandali dhe suksesi plasin njëkohësisht dhe në xhiron e disa ditëve disku shitet në 5 milionë kopje. (jo Spotify, jo video, jo download: 5 milionë disqe të prodhuar fizikisht, të shpërndara dhe të shitura).

Në Anglinë e Jane, kënga u censurua menjëherë nga BBC dhe u ndalua shitja. Në Italinë katolike u dha alarmi për porno-foni. Disku censurohet nga RAI, Vatikani e ndalon, dhe më pas Prokuroria e Milanos urdhëron tërheqjen nga tregu.

Por efekti ishte i kundërt. Disku nis të shitet masivisht në mënyrë klandestine dhe transmetohej vetëm në Radio Monte Carlo e Radio Capodistria. Kini parasysh: Asokohe interneti nuk ekzistonte, e megjithatë ishte një sukses që mund të konsiderohet viral.

Serge Gainsbourg e Jane Birkin

Por çfarë kishte ndodhur ato dy vjet? Përse Jane Birkin këndon këngën e Brigitte Bardot?

Ekziston një inçizim në të cilin Gainsbourg e këndon duet me Brigitte në 10 dhjetor 1967 në studion Barclay të Parisit. 4 minuta e 32 sekonda që ia vlen t’i dëgjosh.

Është më bombastik se version që kaloi në histori, sepse ashtu siç stimulon (apo nuk stimulon?) një orgazëm Bardot, nuk e bën dot askush.

Problemi është që Brigitte në atë kohë ishte e martuar me Gunter Sachs, miliarder zviceran: të publikoje Je t’aime moi non plus do ishte pranimi publik i një tradhëtie.

Regjistrimi mbeti sekret deri në 1986.

Dashuria mes Gainsbourg dhe Bardot ishte një flakë kashte: 3 muaj dhe ajo e la, pasi ra në një nga depresionet e saj të shpeshta.

Serge vihet në kërkim të një zëvendësueseje të Brigitte, në mos në zemrën e tij, të paktën në studio. Provon pak a shumë me këdo, si Marianne Faithful, pastaj Valérie Lagrange, më pas Mireille Darc etj. Fundi i lumtur mbërrin në vjeshtën e 1968 gjatë xhirimeve të Slogan, një film i Pierre Grimblat, të cilit i duhet njohur merita që prezantoi Serge Gainsbourg me Jane Birkin, e cila në atë kohë ishte një aktore anonime britanike.

Të dy urrehen për 48 orët e ardhshme, pastaj darkojnë bashkë dhe nuk urrehen më kurrë.

Ajo që vjen më pas është histori: Serge i dhuron Je t’aime moi non plus dhe Jane e bën të vetën. Në 1971 lind kënga tjetër Charlotte dhe me rradhë disa këngë të tjera që pasojnë njëra tjetrën në 13 vjet bashkëjetesë mes të dyve.

Derisa erdhën problemet e tij me alkoolin pastaj lodhja e saj me gjithçka dhe në fund ndarja.

Por ata mbetën një çift i kristalizuar në mit: “Mes meje dhe saj është përjetësi”, do të pranonte ai në 1990.

Serge vdiq në 2 mars 1991 dhe u varros me lotët e Jane dhe me Je t’aime moi non plus në sfond.

Titulli përmban një nonsens sublim “Të dua / As unë”.

Citon një deklarim të Salvador Dalì që lidhet me Pablo Picasson: “Picasso është spanjoll, edhe unë. Picasso është një gjeni, edhe unë. Picasso është komunist, as unë”.

Gainsbourg do t’i shpjegonte më vonë Lietta Tornabuonit në një intervistë për Europeo: “Vajza pohon: Të dua dhe ai përgjigjet: As unë”. Dmth të dy e dinë që ajo në realitet nuk është e dashuruar, thjesht beson se është pasi tentohet nga sensualiteti. Sepse në disa momente të caktuara, një grua një “të dua” nuk ia mohon askujt…”

b.m./dita

@tn.lajmelokale
@tetovanews