Ballina Lajme Kosovë Thaçi: Gjermania mbetet një partner strategjik i Kosovës

Thaçi: Gjermania mbetet një partner strategjik i Kosovës

SHPËRNDAJE

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur në takim Ministrin e Jashtëm të Gjermanisë, Sigmar Gabriel.

Thaçi e ka falënderuar ministrin Gabriel për mbështetjen që populli dhe shteti gjerman i kanë dhënë popullit të Kosovës në të gjitha periudhat.

“Gjermania është një partner strategjik i Kosovës, jo vetëm në rrafshin bilateral, por edhe në rrugëtimin tonë drejt Bashkimit Evropian”, ka thënë ai, njofton Klan Kosova.

I pari i vendit ka kërkuar vazhdimin e mbështetjes së Berlinit në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, duke theksuar rëndësinë e miratimit të Demarkacionit me Malin e Zi, e cila i hap rrugë liberalizimit të vizave për Kosovën.

Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm i Gjermanisë është shprehur i lumtur për vizitën e tij në Kosovë, në prag të dhjetëvjetorit të Pavarësisë.

Ministri gjerman ka siguruar presidentin Thaçi se Gjermania do të jetë një partner i fuqishëm në vazhdimin e konsolidimit të subjektivitet ndërkombëtar të Kosovës, në zhvillimin ekonomik dhe në perspektivën evropiane të Kosovës.

Thaçi ka theksuar se Kosova do të mbetet partner i besueshëm dhe do të vazhdojë t’ju qëndrojë para obligimeve ndërkombëtare që ka marrë.