Ballina Aktualitet Kultura “S’KA DREJTËSI, S’KA PAQE”, ÇKA ISHTE KJO?!… (Letër publike ministrit të kulturës,...

“S’KA DREJTËSI, S’KA PAQE”, ÇKA ISHTE KJO?!… (Letër publike ministrit të kulturës, z. Robert Allagjozovskit)

I nderuar, z.ministër,

ShB “Shkupi” e uron Ministrinë e Kulturës, për shpalljen transparente të mjeteve (parave) të ndara aplikantëve, si dhe tentimin për ndarje proporcionale dhe të barabartë në fushën e veprimtarisë botuese, me çka po fillon të realizojë atë për çka është  angazhuar  edhe SHB “Shkupi”, që nga viti 1994.

Po ashtu përshëndesim mjetet e ndara buxhetore për disa botues ose autorë, si dhe përkrahjen e shumë autorëve të panjohur, me çka u jepet një stimul për krijimtari cilësore në rrugëtimin e tyre krijues. Mirëpo, me keqardhje na duhet të konstatojmë se as kjo ndarje e mjeteve buxhetore nuk kaloi pa shkelje të kritereve të vendosura nga vetë Ministria, si për nga përzgjedhja ose favorizimi i botuesve, si për nga përzgjedhja e autorëve, si për nga përkrahja materiale.

E gjithë kjo, në fund rezultoi me një diskriminim të pashembullt të shtëpisë sonë botuese. Ne nuk mund të pranojmë që programi ynë botues nga autorë të njohur të vendit dhe të jashtëm siç janë Fadil Curri, Tiril Broçe Akre (Norvegji), Gudmunder Andri Torson (Islandë), Nodar Dumbadze (Gjeorgji), Nora Ikstena (Letoni), Sabri Zirap Dauti (librin e këtij të fundit kishim paraparë me rastin e 20-vjetorit të vdekjes), të mbeten jashtë përkrahjes së Minsitrisë.

Aq më shumë, që edhe ato (vetëm) 3 librat që kanë kaluar, janë përkrahur me shuma simbolike, që nuk i mbulojnë as gjysmën  e harxhimeve të botimit të tyre! Për ne është e pabesueshme  si mund të nënçmohen autorë vendorë dhe të jashtëm, që me një kërkim të përciptë në Google, të dalin me dhjetëra vepra dhe shpërblime letrare.

Ku shkojnë dhe si ndahen paratë e popullit nëse nuk shkojnë tek botuesit profesionalë dhe vlerat e dëshmuara letrare?! Nga ana tjetër, vehet re se janë përkrahur ndërmarrje që s’kanë lidhje me botimet, por dhe tituj që s’kanë kurrfarë lidhje me letërsinë (si për shembull me temat “inxhinerie”, “efektetet e urinimit”, “e drejta ligjore”, “mbrojtja e mjedisit”, “ushqimet”, “turizmi” etj.).

Në vend të botuesve të vërtetë, siç është SHB “Shkupi”, mjete për botim u janë dhënë disa shoqatave tregtare dhe prodhuese, shtypshkronjave, shoqatave për shërbime të ndryshme, madje ndonjë prej tyre është përkrahur për të botuar 9-10 tituj!

Kur t’i shtohet kësaj fakti se edhe disa personave  fizikë  u janë ndarë më shumë mjete për botim se shtëpisë sonë botuese, atëherë çdo diskutim për kritere është i tepërt, që edhe më shumë e forcon dyshimin tonë  për ndarje jashtë çdo kriteri të parave të taksapaguesve!

Duke pasur parasysh këto vërejtje, propozojmë Ministrisë si vijon:

1.Kërkojmë nga Ministria e Kulturës që të rishqyrtojë vendimin për ndarjen e mjeteve për veprimtari botuese dhe të korrigjojë lëshimet drastike që janë bërë në dëm të SHB “Shkupi”.

2.Kërkojmë që Komisioni për botime, Këshilli për Kulturë dhe palët e interesuara të hapin edhe një herë  dokumentacionin e 535 aplikimeve që kanë përfituar nga Ministria e kulturës,  që të shihet nëse i kanë plotësuar kushtet dhe kriteret që i ka paraparë Ministria e Kulturës. (Ju përkujtojmë se kriteret elementare për aplikim dihen: Fletparaqitja e plotësuar.

Të drejtat autoriale për veprat e huaja. Kontrata botues -autor si dëshmi për rregullimin e të drejtave autoriale. DRD-dokumenti i Regjistrit Qendror që aplikanti mund të aplikojë vetëm nëse VEPRIMTARIA BOTUESE është veprimtari e tyre kryesore. Lista e botimeve të subjektit në 3 vitet e fundit. 10 faqe tekst nga përkthimi letrar dhe  Tërë libri i shkruar dhe dorëzuar në CD për autorët vendorë etj.

Dyshimet tona janë se 80 për qind e atyre librave të kaluara në gjuhën shqipe, nuk i kanë plotësuar këto kritere elementare për shqyrtim. Edhe më drastike është situata kur nga një familje kemi 3-4 shtëpi botuese që përfitojnë nga këto rezultate!

Në këtë mënyrë, do të shihet nëse dikush në emër të Ministrisë ka keqpërdorur Komisionin për Veprimtari Botuese për ndonjë lloj proteksionizmi të qëllimtë ose të paqëllimtë ose për interesa të tjera që s’kanë lidhje me veprimtarinë krijuese.

Me këto aktivitete pa kritere,  jo vetëm që është dëmtuar dhe nënçmuar programi ynë botues, por është dëmtuar edhe imazhi i udhëheqësisë së tashme të Minsitrisë së Kulturës, e cila deri dje akuzonte pararendësit për keqpërdorime të parave popullore, ndërkaq nëse Ju e heshtni këtë dyshim tonin, atëherë do të jetë e kotë çdo përpjekje e Juaja për t’i bërë publike të gjitha shkeljet që në këtë ministri janë bërë në kohën e qeverisë së kaluar.

I nderuar z.Ministër, është e vërtetë që Ju nuk jeni “sulltani që pren”, por ju gjithsesi e dini se gjithçka që ndodh në Minsitri përgjegjës është ministri dhe jo shefat e sektorëve, zv.ministri apo sekretari shtetëror…

Prandaj, nëse dëshiron Minsitria të ruajë imazhin të cilin pretendon ta ruajë, se kujdeset për shpërndarjen e mjeteve në mënyrë të drejtë dhe të barabartë për ata që meritojnë, duhet ta bëni hapin e parë dhe para se të nënshkruani kontrata me botuesit, të rishikoni në mënyrë publike para palëve të interesuara, se a i kanë plotësuar kushtet dhe kriteret e parapara nga Minsitria këto 535 projekte për aplikim.

Në fund, mos e përsëritni fare, frazën “aplikuesit e pakënaqur kanë të drejtën e ankesave”, sepse ne si institucionalistë të dëshmuar këtë të drejtë tonën e dijmë dhe e realizojmë, por nuk duam të vijmë në situatë të njëjtë si gjithë këtyre 24 viteve të ekzistencës sonë, kur vetëm një herë na është pranuar një Ankesë e jonë!

Mos harroni, këto vërejtje sa janë në dëm të ShB “Shkupi”, aq janë në dëm edhe të imazhit të institucionit që ju udhëhiqni, institucion ky që duhet të korrigjojë gjithçka që ka qenë negative në të kaluarën.

Në pritje të reagimit adekuat nga Minsirtria e Kulturës, Ju përshëndesim.

Azam Dauti, SHB “Shkupi”

@tn.lajmelokale
@tetovanews