Ballina Top Lajm Presioni i Greqisë: Hiqni emrin “Çamëri” nga librat shkollorë

Presioni i Greqisë: Hiqni emrin “Çamëri” nga librat shkollorë

SHPËRNDAJE

Greqia, jo vetëm që nuk pranon se ekziston një çështje çame po do ta zhdukë emrin “Çamëri” edhe nga librat e hartat shkollore të Shqipërisë.

Kjo ka qenë deklarata që është bërë nga ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias në Parlamentin e shtetit fqinj.

Ministrit të Jashtëm grek i janë kërkuar sqarime për bisedimet që po zhvillohen me Shqipërinë dhe Maqedoninë për termat nacionaliste në librat shkollorë të këtyre vendeve, nga deputeti X. Theoharis.

Kotzias i është përgjigjur kësaj interpelance me shkrim me një letër zyrtare, e cila iu përcoll Parlamentit, raporton Shqiptarja.com.

Në këtë përgjgigje, në pjesën e parë që fliste për Shqipërinë, ministri Kotzias është shprehur se pala greke gjatë bisedimeve të komisionit dypalësh të ekspertëve ia ka bërë të qartë palës shqiptare se termat: “territoret shqiptare në Greqi” dhe emërtimi “Çamëri” për territore që janë në shtetin grek duhet të fshihen nga librat shkollorë të Historisë e Gjeografisë.

“Gjatë takimit të fundit të Komisionit të Përzier të Ekspertëve Greko-Shqiptar, pala greke ka këmbëngulur në fshirjen nga librat shkollorë të shprehjeve të papranueshme e fyerëse për unitetin e vendit tonë (Greqisë) si: “territoret shqiptare në Greqi”.

Por edhe shprehjet dhe hartat, në të cilat krahina gjeografike shfaqet me emërtimin “Çamëri”, të cilat demonstrojnë, fatkeqësisht, se shtetit shqiptar mbetet i bllokuar në retorikë anakronike nacionaliste dhe me qëndrime idemadhe, të dëmshme dhe të rrezikshme në radhë të parë për vetë Shqipërinë”, thuhet në përgjigjen e Kotzias dërguar Parlamentit, sipas mediave greke.