Ballina Aktualitet Opinione Letër urimi, miqve të mi të rrjetit shoqëror – ME RASTIN E...

Letër urimi, miqve të mi të rrjetit shoqëror – ME RASTIN E 10-VJETORIT TË PAVARËSISË SË KOSOVËS

Kosova dhe vise të tjera shqiptare, me ndihmën e Rusisë, u pushtuan nga Serbia në vitin 1912. Gjatë tërë qindvjeçarit XX, në forma të ndryshme, shqiptarët luftuan për liri.

Simbol i qëndresë shqiptare ishte Adem Demaçi. Në prag të shpërbërjes së krijesës artificiale – Jugosllavisë së Versajës dhe të AVNOJ-it (KAÇKJ-së) – rrugën e lirisë e vazhdoi faktori politik në krye me Ibrahim Rugovën.

Me daljen në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, synimet e shqiptarëve për liri, pavarësi dhe demokraci u intensifikuan, ndaj në vitin 1998, lufta kundër kolonialistëve serbë, me në krye komandantin legjendar Adem Jasharin, u shtri në mbarë Kosovën. Lufta çlirimtare e shqiptarëve u mbështet nga tërë kombi shqiptar në Ballkan, përfshi dhe shqiptarët në diasporë – në ShBA, në Evropë dhe gjetkë.

Luftën e shqiptarëve për liri, pavarësi dhe demokraci e mbështetën edhe qendrat politike ndërkombëtare të vendosjes – Uashingtoni dhe Brukseli. Shqiptarët u mbështetën edhe nga Fuqitë e Mëdha historike të kontinentit.

Lufta shqiptare për liri u mbështet edhe nga figura të shquara të politikës amerikane, nga analistë politikë, nga kongresmenë të Kongresit amerikan, nga senatorë të Senatit amerikan, nga Departamenti i Shtetit me në krye Medlin Ollbrajt-in. Rol të rëndësishëm për asgjësimin dhe për dëbimin e forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe luajti edhe gjenerali Uesli Kllark. Në krye të detyrës ishte edhe Havier Solana.

Më 1999, pas një shekulli lufte për liri, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, me ndërhyrjen ushtarake të ShBA-së dhe të aleatëve të tjerë të Aleancës Veri-Atlantike – e çliroi Kosovën.

Presidenti Bill Klinton, duke marrë vendimin për ndërhyrje ushtarake kundër pushtuesve serbë, bëri të mundur mbrojtjen e popullit shqiptar nga politika e gjenocidit, të zbatuar nga Beogradi. Amerika solli në gadishull demokracinë dhe drejtësinë.

Në vitin 2007, Presidenti amerikan Xhorxh Bush vizitoi Shqipërinë dhe paralajmëroi shpalljen e pavarësisë së Kosovës, gjë që u realizua në vitin 2008. Me çlirimin e Kosovës nga Serbi mori fund ideologjia dhe politika e Garashaninit, e Vlladan Gjorgjeviqit, e Cvijiqit, e Çubrilloviqit, e Pashiqit, e karagjorgjeviqëve, e Rankoviqit, e radikalëve, e Milllosheviqit, e Qosiqit dhe e akademikëve të tjerë, hartues të Memorandumit.

Shqiptarët sot janë populli më proamerikan në botë. Të tillë do të jenë deri në jetë të jetëve. Shqiptarët janë popull evropian dhe properëndimor. Vende mike të shqiptarëve janë Selia e Shenjtë, ShBA-ja, Gjermania, Austria, Italia, Britania e Madhe etj. I tërë kombi shqiptar aspiron integrimin në NATO dhe në BE.
Sot shqiptarët ndjekin një politikë paqeruajtëse dhe stabilizuese në rajon. Janë faktor paqeje dhe stabiliteti.

Serbia sot, si gjithmonë gjatë historisë, me ndihmën e Rusisë së Putinit, është gjeneratore e krizës në rajon. Derisa shqiptarët synojnë paqen dhe stabilitetin në gadishull, ajo punon për militarizimin e vet. Rrjedhimisht edhe të rajonit.
Sot e tutje, shqiptarët duhet t’ia bëjnë me dije miqve dhe mbarë botës se posedojnë aftësi për të ndërtuar shtet ligjor. Shtetin mund ta çojnë para shtetarët prej formati, që kanë integritet dhe ideal.

Hero kombëtar i shqiptarëve është Gjergj Kastrioti. Periudhë e lavdishme e historisë së popullit shqiptar është ajo e luftërave të Skënderbeut kundër Perandorisë Osmane. Shqiptarët krenohen me rilindësit dhe me periudhën e Rilindjes Kombëtare. Data të lavdishme të popullit shqiptar në qindvjeçarin XX janë Vlora e pavarësisë (1912) dhe shpallja e pavarësisë së Kosovës (2008).

Çështja shqiptare nuk është çështje ideologjike, as çështje fetare. Çështja shqiptare është kauzë kombëtare e bazuar në ideologjinë e rilindësve. Shqiptarët janë ndër popujt e rrallë të rruzullit ku mbizotëron harmonia ndërfetare.

Shqiptarët janë ndër popujt e rrallë në botë, në mos i vetmi, që është i ndarë në gjashtë pjesë, si: Shqipëri, Kosovë, Kosovë lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë), Maqedoni veriperëndimore, viset shqiptare në Mal të Zi dhe Çamëri.
Shqiptarët kanë të njëjtën prejardhje – ilire, flasin një gjuhë, kanë një flamur e një histori dhe janë një komb.

Xhelal Zejneli

@tn.lajmelokale
@tetovanews