Ballina Aktualitet Lajme Historia e guximshme e Erand Morinës – kosovari “Drag Queen” që jeton...

Historia e guximshme e Erand Morinës – kosovari “Drag Queen” që jeton në Kanada

Erand Morina, një 21 vjeçar nga Kosova që ka emigruar drejt Kanadasë në moshë të vogël, ndan detaje rreth identitetit të tij si “drag queen”. Në një intervistë me “Historia Ime” ai rrëfen për kapitullin e ri të jetës në Kanada, bërjen publike tek familja të orientimit seksual dhe identitetit gjinor si edhe gëzimin që ndjeu kur pa Kosovën teksa zhvillonte Paradën e parë të Krenarisë.

Kur je shpërngulur nga Kosova në Kanada?

Unë kam lindur dhe jam rritur në Kosovë, ku jam jetuar për 13 vite. Unë vij nga një fshat pranë qytetit të Prizrenit. Gjatë qëndrimit në Kosovë unë dhe familja ime kemi përjetuar luftën, ku humba dhe babain tim i cili ishte ushtar. Unë u shpërngula në Kanada në vitin 2009 së bashku me familjen, konkretisht me mamanë, motrën e vogël dhe vëllain më të madh.

Nëse kthehem mbrapa në kohë e kujtoj periudhën në Kosovë si një fazë të jetës sime ku kam qenë shumë i izoluar dhe i influencuar nga mentaliteti atje. Madje kur kam mbërritur në Kanada mbaj mend që kisha qëndrime homofobike, raciste, seksiste etj. Gjithsesi rrënjët e mia i përkasin Kosovës, pasi atje kalova fëmijërinë dhe çfarëdolloj gjëje që të bëj me karrierën time dëshiroj që ta përcjell dhe në Kosovë për të sjellë ndryshime në mentalitet.

Kur ke bërë “coming out” tek familja?

Unë kam bërë “coming out” një javë përpara se të mbushja 18 vjeç, rreth tre vite më parë. Në fillim dola hapur si biseksual (edhe pse identifikohem si gej) duke ia thënë në fillim motrës, e cila më vonë ia tha mamit. Ishte një pikë kthese në jetën time.

Mbaj mend kur kam qenë 16 vjeç po shikoja me mamanë një serial me personazhe gej. Mamaja më thoshte gjithnjë se duhet të ndyshoja kanalin, por unë një ditë ia ktheva: “Po sikur fëmija yt të ishte gej?”. Më pas vjen dhe përgjigjia bombë: “Do preferoja të vrisja veten…”. Ajo ishte gjëja më e tmerrshme që kisha dëgjuar ndonjëherë dhe më “vrau” shpirtërisht. Ndihesha shumë i dobët moralisht dhe në depresion gjatë atyre dy viteve derisa bëra “coming out”. Erdhi një pikë saqë i thoja vetes: “Nëse ndihem ende gej kur të mbush 18 vjeç atëhere do të vras veten”.

Por kjo fazë e errët ka kaluar dhe tani mami e ka pranuar orientimin tim. Tani unë jetoj vetëm pa familjen në Vankuvër, ky qytet është ndër më miqësorët ndaj komunitetit LGBT. Shumë prej miqve të mi kosovarë mendojnë se mamaja më ka dëbuar nga shtëpia për shkak se jam gej por kjo s’është aspak e vërtetë.

Po sa i përket formimit dhe edukimit tënd, a je duke ndjekur momentalisht një program shkolle apo je duke punuar?

Në fakt kam studiuar në një program një vjeçar tek Shkolla e Filmit në Vankuvër, e cila konsiderohet një nga më prestigjiozet. Që kur isha i vogël kisha pasion aktrimin dhe merrja pjesë në konkurse recitimi dhe aktrimi. Që atëhere e dija se doja të bëhesha aktor, performues. Marr pjesë në audicione sa herë më jepet mundësia. Aktrimi më bën të ndihem i lirë, dëshiroj të luaj role të cilat nuk portretizohen mjaftueshëm në filma. Përshembull asnjëherë nuk shoh një personazh si vetja në filma, nuk e shoh një djalë femininë.

Tani punoj tek një dyqan i markës “Victoria Secret”, por më përpara kam punuar në një markë tjetër të famshme por u largova. Kjo ndodhi për shkak të diskriminimit që ndeshja në vendin e punës, ku nuk më linin të vendosja makeup pasi i bëja klientët të ndiheshin jo-komod me pamjen time. Por ja ku jam tani: u zbulova nga një prej menaxherevë të “Victoria Secret” i cili më kishte parë me makeup në punën e mëparshme. Pasi i tregova për “luftën” që më duhet të bëja çdo ditë për të vendosur makeup ai më ftoi të punoja për të.

Kur ke nisur të bësh performanca si drag queen për herë të parë?

Kur isha 19 vjeç nisa të realizoj performanca drag queen, teksa mamaja ime ishte me pushime verore në Kosovë. Ajo u shokua aq shumë kur pa videot që unë hodha në rrjetet sociale nga performancat e mia si drag queen. Pra ajo ishte dakort me faktin se unë jam gej por jo me faktin se unë aplikoj makeup dhe vishem si vajzë për të performuar. Gjithsesi me kalimin e kohës ajo u mësua me këtë gjë.

Një prej divave që më ka inspiruar më shumë për performancat e mia dhe në tërësi është Adelina Ismajli. E mbaj mend në Kosovë se sa përpara kohës ka qenë ajo. Adelina madje i ka dedikuar një këngë shokut të saj gej, me titull “Shokut tim”. Ajo për mua është “Lady Gaga” e Ballkanit dhe ka lobuar për të drejtat LGBT në një periudhë kur askush nuk guxonte.

Për mua performancat si drag queen janë një formë e bukur e artit të të shprehurit, prapa çdo performance fshihet një histori nga e cila unë marr inspirim. Nuk para performoj shpesh në klubet këtu të komunitetit pasi dua që të punoj me historinë një herë pastaj ta trupëzoj atë në skenë.

Tani të ndalemi pak tek tema e Kosovës! A e ndoqe Paradën e parë të Krenarisë që zhvilloi Kosova vitin e kaluar?

Faktikisht s’e kam vizituar Kosovën këto vitet e fundit dhe u mërzita shumë që s’arrita të marr pjesë në Paradën e Kosovës. Nga kujtimet e mia kisha përshtypjen se Kosova është shumë mbrapa sa i përket të drejtave LGBT. Kam marrë shumë komente negative dhe fyese në rrjetet sociale nga kosovarë dhe ishte një periudhë që reshta së komunikuari me të afërmit e mi nga Kosova pasi dola hapur. Por pak prej Paradës, pak dhe prej personave që më ndjekin në Instagram dhe më mbështesin, e kuptova se dhe në vendlindjen time gjërat nuk janë kaq mbrapa, ekziston një komunitet i gejve. Ndaj dëshiroj të marr pjesë tek Parada e vitit të ardhshëm.

Në fakt disa aktivistë kosovarë nga lëvizja LGBT më kanë kontaktuar për të performuar në Paradën e ardhshme. Me kënaqësinë më të madhe do vija të performoja pasi kam ndjesinë se jam i vetmi drag queen nga Kosova që ka dalë hapur. Kjo për arsye se në Kosovë maskuliniteti manifestohet dhe feminiteti tek djemtë shihet si dobësi.

Një kërkesë e fundit: Çfarë mesazhi dëshiron ti transmetosh komunitetit LGBT, veçanërisht atij në Kosovë që të ndjek në Instagram?

Unë jam drag queen dhe në performancat e mia jam shumë femëror, për këtë arsye njerëzit më pyesin nëse jam transgjinor apo nëse dëshiroj të kryej ndërhyrje kirurgjikale për ndryshimin e seksit. Këto pytje më shtynë të ndihesha i dyzuar për identitetin tim gjinor. Por unë ndihem shumë rehat për atë çfarë jam, është shoqëria ajo që nuk ndihet rehat me faktin se një djalë është në paqe me feminitetin e tij. Ndaj i bëj thirrje cilitdo: jini vetvetja ashtu sikurse ndiheni përbrenda! Mos e lejoni shoqërinë të diktojë seksualitetin tuaj.

Marrë nga “Historia Ime”

@tn.lajmelokale
@tetovanews