Ballina Top Lajm Eksperti për Ballkanin flet për integrimin e Kosovës në BE

Eksperti për Ballkanin flet për integrimin e Kosovës në BE

Eksperti për Ballkanin, Daniel Serwer, në një intervistë për RTK-në, thotë se Kosova ka punuar shumë për këto 10 vite, por pavarësia e saj ende nuk është e plotë. Kosovës i mungojnë Forcat e Armatosura, ende ka gjyqtarë dhe prokurorë të huaj nëpër gjyqe, përfshirë edhe Gjykatën Speciale. Ai thotë se Kosova duhet të jetë krenare me atë që ka bërë deri me tani, por shton se duhet ende shumë për të punuar në konsolidimin e shtetit.

A mendoni se është arritur mjaftë në këto dhjetë vite në Kosovë?

Serwer: Unë mendoj se Kosova ka përparuar shumë, por pavarësia e saj nuk është ende e plotë. Kosovës i mungojnë Forcat e Armatosura, ende është nën mbrojtje te NATO-s, ende ka gjyqtarë dhe prokurorë të huaj nëpër gjyqe, përfshirë edhe Gjykatën Speciale, nuk ka mbikëqyrje të plotë në Veri. Ka ende shumë kufizime në pavarësinë e Kosovës, megjithatë, njëkohësisht duhet t’i përgëzoj ata që ndihmuan ndërtimin e një shteti demokratik në të cilin zgjedhjet mbahen rregullisht. Ndoshta nuk janë të përkryer siç do të doja unë, por nuk kanë qenë të tillë gjithmonë. Ekziston parlamenti ku debatohet lirshëm, edhe pse do të doja të shoh më pak dhunë aty, sidomos nga ana e Vetëvendosjes. Por është e qartë që parlamenti miraton ligjet në vendit, forcon qeverinë dhe zgjedh Kryetarin e shtetit. Kjo është pozitive. Edhe institucionet janë gjithnjë e më të forta. Gjykata Kushtetuese luan rol të rëndësishëm. Parlamenti i Kosovës ka rol të rëndësishëm, Qeveria gjithashtu. Jam i kënaqur me këtë që shoh që është arritur por do të doja përparim më të madh 10 vitet e ardhshme.

A mendoni se veriu i Kosovës është në rrugë të mirë për integrimin në sistemin e Kosovës?

Serwer: Veriu nuk është plotësisht i integruar në pjesën tjetër të Kosovës. Ka ekzistuar një marrëveshje fillimisht që kjo të ndodhë, por në praktikë është ndërprerë dhe është shtyrë, mendoj se do të ishte mirë edhe për shqiptarë edhe për serbë nëse Veriu do të mund të integrohej në kuadër të planit të Ahtisarit, i cili parasheh formimin e Komunave Serbe. Shpresoj që kjo të zbatohet.

A besoni se Serbia ka interesa që të ndërhyjë në Veri, ndoshta mund të ketë ndonjë ndikim indirekt edhe Rusia për këtë çështje?

Serwer: Unë nuk besoj që qeveria e Serbisë sot ka shpresë që Veriu i Kosovës mund t’i bashkohet formalisht Serbisë. U është thënë nga amerikanët dhe evropianët që kjo s’do të ndodhë. Megjithatë ka njerëz në Veri të Kosovës të cilët nuk e duan integrimin në pjesën tjetër të Kosovës. Nëse rusët do të paraqesin problem atje s’do të isha i befasuar, por nuk e di nëse kjo do të ndodhë.

Mendoj se gjërat janë pak a shumë njësoj, nuk kanë ndryshuar shumë. Amerika pret që Evropa ta marrë udhëheqjen. Strategjia e Re për Zgjerim e Bashkimit Evropian po mundohet ta bëjë pikërisht këtë.

A mundet të bëhet transformimi i FSK-së edhe pa votën e serbëve në parlament?

Serwer: Mendoj se teknikisht është i mundur formimi i Forcave të Armatosura, madje edhe pa amandamente (ndryshime) kushtetuese, por për këtë do të ishte mirë të keni edhe përkrahjen e serbëve. Mendoj se këtë temë duhet diskutuar me Beogradin. Sepse Beogradi vendos se si serbët votojnë në parlament.

A do ta dëmtojë imazhin e Kosovës Gjykata Speciale?

Serwer: Jo, unë mendoj që Gjykata Speciale duke kërkuar përgjegjësi nga njerëzit që kanë bërë gabime gjatë dhe pas luftës do ta përmirësojë imazhin e Kosovës. Një shtet i pavarur duhet të kërkojë përgjegjësi nga persona të tillë, të cilët kanë shkelur ligjet e luftës. Është vështirë, por bashkësia ndërkombëtare ka angazhuar gjykatës që do ta bëjnë të mundur këtë. Por, gjithashtu duhet të kujtojmë që nuk kanë qenë vetëm serbët të keqtrajtuar gjatë dhe pas luftës, kanë qenë edhe shqiptarët. Ka ekzistuar një luftë qytetare virtuale në fund të luftës në Kosovë edhe mes shqiptarëve dhe koha është që njerëzit të përgjigjen për veprat që i kanë bërë.

Sa janë gjasat që deri më 2025, Kosova se bashku me vendet rajonit të anëtarësohen në BE?

Serwer: Po, absolutisht mundet, edhe BE-ja ka thënë që kjo është e mundur. Është e dukshme që Mali i Zi dhe Serbia po udhëheqin në këtë proces, sepse kanë hapur më shumë kapituj. Por BE-ja është ajo që thotë dritarja është hapur. Dyert janë të hapura për këdo që i plotëson kushtet të anëtarësohet në 2025-tën dhe nëse Mali i Zi dhe Serbia nuk i plotësojnë këto kushte nuk do të hyjnë në BE më 2025. Kështu që dyert janë të hapura dhe ky është një hap i madh për evropianët, vërtetë hap i madh. Politikisht nuk është i lehtë për ta. Megjithatë ata e kanë ndërmarrë këtë hap dhe tani barra u takon njerëzve në Ballkan t’i shfrytëzojnë dyert e hapura.

Cili është mesazhi i juaj për popullin e Kosovës në 10 vjetorin e saj të pavarësisë?

Serwer: Urime për punën tuaj. Tani ju presin edhe 10 vite me shumë punë që të zgjidhni problemet e lartpërmendura dhe të arrini konsolidimin e plotë të statusit. Mendoj se duhet të jeni krenarë me kaq sa keni bërë deri këtu dhe mendoj se 10 vitet e ardhshme do të jeni në pozitë të favorshme për ta shijuar plotësisht pavarësinë.

@tn.lajmelokale
@tetovanews