Ballina Aktualitet Kultura BAFTA 2018: “Three Billboards Outside Ebbing, Missouri” rrëmben pesë çmime

BAFTA 2018: “Three Billboards Outside Ebbing, Missouri” rrëmben pesë çmime

“Three Billboards Outside Ebbing, Missouri”, filmi që flet për një nënë në kërkim të drejtësisë për vrasjen e vajzës së saj, u nderua me më së shumti çmime në ceremoninë e ndarjes së çmimeve BAFTA.

Akademia Britanike për Film dhe Artin Televiziv, BAFTA, ndau pesë çmime për këtë dramë duke përfshirë këtu edhe çmimin për filmin më të mirë.

Aktorja më e mirë në rolin kryesor ishte Frances McDormand, me rolin e saj tek “Three Billboards Outside Ebbing, Missouri”, ndërsa nga po i njëjti film mori çmim edhe Sam Rockwell për aktorin më të mirë në rol dytësor.

Me kaq nuk përfunduan çmimet për këtë dramë, pasi që mori edhe atë për filmin e shquar britanik dhe skenarin origjinal më të mirë, kështu duke e përfunduar natën me pesë sosh.

Romanca fantazi “The Shape of Water” mori tre çmime, duke përfshirë edhe atë për regjinë më të mirë, të cilin e mori regjisori Guillermo Del Toro.

Dy çmimet tjera përfshijnë atë për dizajnin më të mirë të produksionit ku u nderuan Paul Austerberry, Jeff Melvin dhe Shane Vieau, si dhe çmimi për muzikën më të mirë origjinale për Alexandre Desplat.

Çmimin për aktorin më të mirë e mori Gary Oldman me portretizimin e Winston Churchil në filmin “Darkest Hour”, film ky që u nderua edhe me çmimin për grim dhe flokë, për David Malinowski, Ivana Primorac, Lucy Sibbick, Kazuhiro Tsuji.

Çmimi për aktoren më të mirë në rolin dytësor shkoi për Allison Janney për rolin e saj tek “I Tonya”, film ky që ishte i nominuar për pesë kategori në BAFTA.

Dokumentari me narracion të Samuel L. Jackcon dhe regji nga Raoul Peck, “I Am Not Your Negro” ishte më i miri në këtë kategori. Ky dokumentar trajton historinë e racizmit në Amerikë bazuar në shkrimin e papërfunduar të James Baldwin dhe është i nominuar për çmimin Oscar në kategorinë e dokumentarit më të mirë.

Filmi më i mirë i animuar ishte “Coco”.

Pjesë e kësaj nate ishte edhe Lëvizja “Time’s Up”, që ka për qëllim përmirësimin e trajtimit të grave ne industrinë e filmit. Shumë yje u solidarizuan me viktimat e ngacmimeve seksuale duke u veshur në të zezë, ashtu siç bën në ceremoninë e “Golden Globes”. Lupita Nyong’o, Jennifer Lawrence, Margot Robbie, Saoirse Ronan, dhe Angelina Jolie ishin në mesin e yjeve të veshura në të zezë./klankosva/

@tn.lajmelokale
@tetovanews