Ballina Kultura Ndahet nga jeta Mjeshtri i Madh, Rexhep Çeliku

Ndahet nga jeta Mjeshtri i Madh, Rexhep Çeliku

U nda sot nga jeta, “Mjeshtri i Madh” Rexhep Çeliku, solisti i parë i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore.

Rexhep Çeliku vuante nga një sëmundje e rëndë. Ai u shua sot, në orën 2:30.

Pas ditë më parë, Presidenti Ilir Meta i dha titullin “Nderi i Kombit”, ceremoni në të cilën Mjeshtri Çeliku u paraqit vetë, edhe pse i sëmurë rëndë.

Rexhep Çeliku ka lindur me 19 korrik 1954 në Tiranë. Që nga viti 1976 ka punuar solist i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore dhe numëron në reportorin e tij artistik rreth 8 mijë shfaqje dhe mbi 32 mijë role brenda dhe jashtë vendit.

Është nderuar me titullin “Mjeshtër i Madh”, akorduar nga ish-Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, me motivacionin “për interpretim me nivel të lartë artistik të të gjitha valleve shqiptare dhe transmetimin e saj duke ruajtur origjinalitetin”. Më 8 janar 2018, Presidenti i Republikës Ilir Meta vlerësoi me Dekoratën “Nderi i Kombit” dy emblemat e jashtëzakonshme të artit dhe kulturës së kombit shqiptar, dy figurat, dy personalitetet që, me pasion, përkushtim, vetëmohim dhe punë të palodhur janë kthyer në simbole mbarëkombëtare:

“Perëndeshën e valles” Liljana Cingu, në vlerësim të kontributit të jashtëzakonshëm si soliste me nivel të lartë artistik dhe mjeshtëri të veçantë në interpretimin e valleve shqiptare; për promovimin denjësisht të vlerave të mirëfillta të trashëgimisë sonë kulturore kombëtare brenda dhe jashtë vendit si dhe përçimin e folklorit tonë tek brezat e artistëve të rinj, si dhe “Shqipen fluturuese”, Rexhep Çeliku, në vlerësim të kontributit të jashtëzakonshëm si solist me nivel të lartë dhe mjeshtëri të veçantë artistike në interpretimin e valleve shqiptare; për promovimin denjësisht të vlerave të mirëfillta të trashëgimisë sonë kulturore kombëtare brenda dhe jashtë vendit, si dhe për pasurimin e fondit të krijimtarisë koreografike dhe përçimin e tij tek brezat e artistëve të rinj.

Gjatë fjalës së Tij drejtuar të pranishmëve, mes të cilëve ishin miq, kolegë e familjarë të dy artistëve, Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, kreu i KLSH-së Bujar Leskaj, deputetë e personalitete të artit e kulturës, Presidenti Meta u shpreh se Liljana Cingu dhe Rexhep Çeliku kanë dhënë gjithçka nga jeta e tyre që vallja jonë popullore të duartrokitej e të ngrinte peshë zemrat e te gjithë shqiptarëve, kudo në botë.

“Ata ngritën në këmbë dhe pushtuan zemrat e spektatorëve të skenave më të rëndësishme ndërkombëtare duke u njehsuar me vlerat dhe bukurinë e artit, muzikës dhe trashëgimisë sonë, duke u bërë ambasadorë të shkëlqyer të kulturës sonë në botë.

Në çdo shfaqje e festival ku kanë marrë pjesë, ata kanë shpalosur me interpretimin e tyre vlerat më të larta të artit koreografik shqiptar,” – theksoi Presidenti Meta.

Presidenti i Republikës nënvizoi gjithashtu se: “asnjëherë nuk do të mjaftonin fjalët dhe aktet për të shprehur atë që këta dy simbole të kulturës sonë meritojnë në vlerësim të veprës dhe kontributit të tyre mbarëkombëtar.”

Loading...