Ballina Lajme Kush i kontrollon përmbaruesit?! OJQ akuzojnë për plaçkitje dhe kërkojnë revizion urgjent...

Kush i kontrollon përmbaruesit?! OJQ akuzojnë për plaçkitje dhe kërkojnë revizion urgjent (VIDEO)

SHPËRNDAJE

Mbrëmë në emisionin Klik Plus në TV21 pati një debat të ashpër. Tema është çdoherë aktuale kur bëhet fjalë për përmbaruesit. Nga sektori civil disa herë kanë akuzuar se përmbaruesit gjatë 10 viteve të fundit, praktikisht e kanë plaçkitur popullin dhe kërkojnë revizion urgjent të punës së tyre. Nga ana tjetër përmbaruesit pohojnë se kanë punuar në përputhje me ligjin. Nga zyra e Avokatit të popullit, thonë se në nivel vjetor në zyrën e tij kanë arritur rreth 300 ankesa për këtë problematik.

Marjan Ristevski nga iniciativa “Stop për përmbaruesit” publikisht kërkoi nga kryeministri Zaev, që përmbaruesit të kthehen në gjykata ndërsa paratë që i marrin të përfundojnë në arkën shtetërore, e jo, siç thotë ai, në llogaritë private. Ristevski dyshon për krim andaj kërkon revizion të punës së tyre nga një kompani e huaj.

“Revizionin ta bëjë ndonjë organ i pavarur, të hyjë tek ata PPS, të shohin se çfarë kanë punuar, ja, unë do t′i shpjegoj kërkesat tona. Dhe ne nuk do të tërhiqemi prej këtyre kërkesave. Ndonjë trup i ekspertëve, trup i pavarur, jo ata. Madje edhe prokurori publik mund të hyjë këtu”, tha Marijan Ristevski, Sindikalist.
Kryetari i odës së përmbaruesve, Zoran Dimov, pohon se punën e kryejnë sipas ligjit. Ata që nuk i respektojnë rregullat, sanksionohen, ndërsa ka raste kur përmbaruesit e humbin licencën për punë në qoftë se kanë kryer ndonjë parregullsi më të madhe gjatë kryerjes së detyrës.

“Përmbaruesi duhet t′i llogarisë shpenzimet e avokatit të noterit. Ne kemi edhe shpenzime të tjera gjatë procedurës së kryerjes së punës sonë. Kemi shpenzime për vlerësim, për ekspertë, kemi shpenzime të larta që i paguajmë në Kadastrën, të cilat tani janë ulur për 50%”, tha Zoran Dimov, Përmbarues.
Përmbaruesja Dellovska dëshmoi edhe për disa situata të pa lakmueshme që i kanë ndodhur gjatë kryerjes së detyrës. Jo vetëm që ka pasur sulme verbale nga borxhlinjtë, por ka pasur edhe një rast kur një person ka hyrë me dinamit në zyrën e saj dhe i ka thënë “që të dy do të fluturojmë”.

“Menjëherë pasi që qytetarët e marrin urdhrin tonë, menjëherë të vijnë në zyrën tonë, ka zgjidhje për gjithçka. Nuk dëshirojmë që në të ardhmen të diskutojmë me këtë ton të zërit, u dalim krah qytetarëve, rasteve sociale, i ruajmë paratë 15 ditë, edhe pse sipas ligjit tonë duhet të paguani brenda 24 orëve”, tha Vesna Dellovska, Përmbaruese.

Bilbilovski thotë se çdo vit një numri të madh të rasteve sociale u bllokohet xhirollogaria nga ana e përmbaruesve.
“Ky numër në nivel vjetor gjatë 4-5 viteve të fundit lëviz prej 200 deri 300 ankesa individuale. Atje ka ankesa të ndryshme, si ankesa individuale dhe të përgjithshme. Ndonjëherë ato janë të arsyetuara dhe udhëhiqen procedura atje ku avokati i popullit ka kompetenca, patjetër bëhen verifikime dhe kërkohen autorizime”, tha Zoran Billbillovski, Përfaqësues i Zyrës së Avokatit të popullit.

Përndryshe, në Ministrinë e drejtësisë po përgatitet ligj i ri për punën e përmbaruesve, i cili duhet të jetë gati nga mesi i këtij viti. Çfarë konkretisht do të përmbaj ligji dhe a do të ketë ulje të shpenzimeve të qytetarëve, është pyetje për të cilën nuk morëm përgjigje, për shkak se këtë gjë duhej të na përgjigjej ministri i drejtësisë, i cili nuk pranoi të marrë pjesë në debat. Përndryshe, brenda 10 viteve të fundit, përmbaruesit kanë marrë rreth 1 miliard denarë nga qytetarët dhe kompanitë.