Ballina Lajme Kreu i KE-së Junker, për vizitë në Bullgari

Kreu i KE-së Junker, për vizitë në Bullgari

Ballkanit Perëndimor duhet t’i jepet perspektivë e qartë europiane, në mënyrë që të mos përsëriten ngjarjet e viteve të 90-ta. Kjo ishte porosia e kryetarit të Komisionit Evropian, Zhan Klod Junker për kryeministrin bullgar, Bojko Borisov gjatë hapjes zyrtare të presidencës bullgare me Këshillin e BE-së. Gjithsesi, Junker tha se asnjë shtet i Ballkanit Perëndimor nuk do të mund të anëtarësohet deri në fund të 2018-tës pasi nuk plotësojnë kushtet.

Nuk mendoj se negociatat e Brexit–it mund të kenë ndonjë lloj ndikimi në anëtarësimin e vendeve kandidate të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Tash shumë qartë, mendoj se askush nuk mund të hyjë në BE deri në fund të mandatit të këtij Komisioni, për shkak se kushtet e anëtarësimit nuk janë përmbushur plotësisht. Po e përsëris atë që kam thënë, se do të varet nga mandati i komisionit të ardhshëm nëntor, 2019- nëntor, 2024 të shtyjë shtetet anëtare dhe opinionet publike në atë drejtim – deklaroi Zhan Klod Junker, Kryetar i Komisionit Evropian .

Ndërkaq Borisov tha se perspektiva evropiane për këtë rajon është e qartë dhe se ajo që duhet bërë është që BE-ja ta ndërtojë infrastrukturën e rajonit, pasi e njëjta do të ishte në dobi të gjithë BE-së.

Tema për Ballkanin Perëndimor është e qartë. Për këtë foli më gjatë vetë Junker. Bindja ime e thellë është se ne tani i ofrojmë perspektivë Ballkanit Perëndimor. Më e sigurtë për BE-në është të ndërtohet infrastruktura e Ballkanit, magjistrale, stacione pastruese, korridoret evropiane numër 4, numër 8 dhe numër 10, të lidhen mes vete. Mendoj se jo vetëm që nuk ka rrezik për BE-në, por përkundrazi do të rritet konkurrenca, do të rriten investimet, turizmi, do të afrohen kulturat dhe popujt në gjithë Unionin – tha Bojko Borisov, Kryeministër i Bullgarisë .

Bullgaria do të jetë në krye të BE-së për 6 muajtë e ardhshëm. Gjatë kësaj kohe pritet të mbahet një samit i rëndësishëm midis krerëve të shteteve anëtare të BE-së dhe ato të shteteve të Ballkanit Perëndimor. Përndryshe vetë Borisov disa herë kishte thënë se do të bëjë çmos për ta afruar këtë rajon me BE-në dhe si rrjedhojë i gjithë rajoni është optimistë se një gjë e tillë do të ndodhë./am/

Loading...