Shkurtimi dhe reformimi i administratës në Maqedoni, çfarë kërkon BE e çfarë...

Shkurtimi dhe reformimi i administratës në Maqedoni, çfarë kërkon BE e çfarë bën Maqedonia?

SHPËRNDAJE

Reformat e kërkuara nga Komisioni Evropian dhe të parashtruara në raportin e fundit të Pribesë edhe më tej hasin në vesh të shurdhër. Edhe pse u konstatua se “sektori i administratës publike në Maqedoni është i stërngarkuar dhe i partizuar”, Ministria e Shoqërisë Informatike dhe e Administratës nuk ka një analizë se a kemi stërngarkim të administratës dhe a duhet të bëhet sistematizimi i administratorëve. E njëjta nuk parashihet as me propozim-ligjin e ri të administratorëve, shkruan Portalb.mk.

Siç njoftuan nga MSHIA për Portalb.mk, nuk ka një numër të saktë për numrin e administratorëve publik në nivel republikan, gjë e cila u paralajmërua nga ministri, Damjan Mançevski.

“Për shkak se për momentin informacionet që janë të futura në Regjistër nuk mund të përdoren, nuk mund të japim numër të saktë të të punësuarve në administratën publike. Ne si Ministri jemi në kontakt me çdo institucion shtetëror të cilët bëjnë vlerësim vetanak të të punësuarve administrativ me qëllim që të arrijmë në një numër të saktë”, thonë nga MSHIA-ja.

“Ish-qeveria e Gruevskit ka harxhuar 2 milionë euro për regjistrin e të punësuarve në sektorin publik që nuk i mban informatat reale për të gjithë të punësuarit në administratën publik pasi që në të, nga 1.302 institucione shtetërore që figurojnë në Maqedoni, 150 prej tyre nuk i kanë futur të dhënat për numrin e administratorëve”, kjo gjithmonë sipas Mançevskit i cili më 30 gusht tha se në administratë publike ka të punësuar 115.729 persona, numri edhe më tej ngelet i njëjtë pasi që ende nuk është arritur numri i plotë.

“Problemi me Regjistrin reflekton edhe në raportin vjetor, pasi që edhe pse i njëjti me ligj parashihet të japë të dhëna për numrin e të punësuarve në administratë, në praktikë një gjë e tillë është pamundur. Si pasojë e mosplotësimit të Regjistrit, të dhënat e deritashme të të punësuarve janë mbledhur nga më shumë institucione”, sqarojnë më tej nga MSHIA-ja duke premtuar “se ministria është duke punuar në tejkalimin e problemit me qëllim që sa më shpejtë të kemi një regjistër funksional”.

Se sektori administrativ në Maqedoni ka numër të madh, kjo u tha edhe nga Komisioni Evropian dhe në raportin e fundit të Rejnhard Pribesë, megjithatë Ministria ende nuk ka filluar analizën me anë të së cilës do të dëshmohet se a është ose jo i nevojshëm largimi i të punësuarve.

“Në lidhje me këtë, Ministria është duke realizuar analizë funksionale të strukturës së administratës publike. Kjo analizë realizohet për herë të parë në Maqedoni dhe është e nevojës parësore që të fitohet një pasqyrë e qartë e gjendjen së administratës publike. Analiza duhet të tregojë se është nevojshme të plotësohet dhe sistematizohen administratorët në institucionet shtetërore dhe se a është i nevojshëm që të bëhet intervenim në numrin e të punësuarve”, thonë më tej nga MSHIA-ja.

Portalb.mk u interesua edhe për procedurën disiplinore e cila u paralajmërua nga Qeveria e re si mënyrë për kthimin e parave nga administratorët të cilët me vite kanë qëndruar në shtëpi kurse kanë marrë rrogë.

Për këtë nga Ministria thanë “se kjo procedurë zbatohet nga vetë ministritë dhe institucionet shtetërore dhe se secili institucion duhet të mbajë llogari për këtë procedurë”.

Raportet ndërkombëtare: duhet departizim dhe sistemim të administratorëve

Përndryshe, në raportin e Komisionit Evropian u tha se “Maqedonia ka pasur disa përparime për sa i përket menaxhimit me resurset njerëzore në administratën publike mirëpo edhe ato kanë qenë të pakta dhe të pamjaftueshme në zbatimin e rekomandimeve të KE-së në vitet paraprake. Në vend së te kishim pezullime të administratorëve, kontratat e tyre u përmirësuan dhe kaluan kontrata të përhershme pa ndonjë konkurs publik. Kryerja e punës në mënyrë joefektive, kalimi i sektorit të administratës publike në instrument politik, presionet ndaj të punësuarve dhe partizimi i sektorit të administratës janë shqetësuese. Mungesa e vullnetit politik për të realizuar reformat e nevojshme në sektorin publik çoi në uljen e ndihmës së BE-së në vitin 2016″, u tha në raportin e KE-së.

Ndërkaq, çështja e partizimit të administratës publike u parashtrua edhe në raportin e Pribesë: “Duhet të respektohen rregulla, si për shembull në përdorimin e fondeve publike dhe administratës publike për aktivitete partiake”, thuhet në raportin e Pribesë.

Ndërsa në propozim-ligjin e administratorëve MSHIA sqaroi se “ndryshimet dhe plotësimet e propozuara të ligjit për administratë kanë për qëllim që t’i përmirësojnë procedurat për zgjedhje, avancim dhe vlerësim të administratorëve, me çka do të rritet numri i kandidatëve përkatës për punësim, por edhe do të kontribuojë edhe për mbajtjen e kualitetit dhe motivimin e të punësuarve në administratën publike të Republikës së Maqedonisë”.

Sektori civil i painteresuar për reformat në administratën publike

Avancimi i krijimit për pjesëmarrje të politikave publike është njëra ndër prioritetet bazë të reformave të administratës publike. Megjithatë, vetëm një organizatë civile është e përfshirë në proceset e krijimit të strategjive për reforma të saj. Një pjesë e rezultateve të hulumtimeve për njohjen e pjesëmarrjes së organizatave civile në procesin e reformave të Administratës publike të zbatuar në kuadër të projektit “Aleanca e qytetarëve për transparencë – Vëzhgimin e procesit të reformave të administratës publike nga ana e organizatave të qytetarëve”, tregojnë se prej 20 organizatave civile vetëm një organizatë civile është kyçur në strategjinë për reforma të Administratës publike (2010-2015) dhe strategjinë për reforma në Administratën publike (2017-2022).