SHBA, Senati diskuton mbi kodet bërthamore nën zotërimin e Trump

SHBA, Senati diskuton mbi kodet bërthamore nën zotërimin e Trump

SHPËRNDAJE

Për të parën herë në mbi 40 vite, Kongresi po ekzaminon autoritetin e një presidenti amerikan për të lançuar një sulm bërthamor.

 Komiteti i Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë do të mbajë një seancë dëgjmore të titulluar “Autoriteti për të urdhëruar përdorimin e armëve bërthamore”.

Kryetari i Komisionit akuzoi presidentin Trump muajin e kaluar se po i vendoste Shtetet e Bashkuara në rrugën e një lufte të tretë botërore.

Në gusht, Trump premtoi se do të zbrazte “zjarr dhe zemërim, siç bota asnjëherë nuk kishte parë”, mbi Korenë e Veriut, nëse ajo do të vazhdonte të zgjeronte programin e saj të armëve bërthamore.

Hera e fundit që Kongresi debatoi këtë çështje ishte gjatë një seance dëgjimore katërditore në mars të vitit 1976.

Senatori Chris Murphy, një demokrat nga Connecticut, shpjegon arsyet për seancën dëgjimore publike.

“Ne jemi të shqetësuar për faktin se presidenti është kaq i paqëndrueshëm, kaq shpërthyes dhe ka një proces vendimmarrjeje shumë impulsive, saqë mund edhe të urdhërojë një sulm me armë bërthamore, që është gjerësisht larg interesave amerikane për sigurinë kombëtare”.

Diskutimet për një temë të tillë, në mënyrë publike, janë jo fort të zakonshme. Si kryekomandant, presidenti ka autoritetin të urdhërojë një sulm bërthamor, që mund të kryhet me nëndetëse, avionë apo raketa balistike ndërkontinentale, që përbëjnë të ashtuquajturën “triada bërthamore”.

Sipas rregullave aktuale, presidenti amerikan mund të nisë sulmin duke përdorur kodet në një mekanizëm të quajtur “Futbolli”, që udhëton kudo me presidentin. Trump nuk është i detyruar të konsultohet me askënd dhe as të marrë leje nga askush.

Këshilltarët e tij më të lartë, si Sekretari i Mbrojtjes, ai i Shtetit apo këshilltari për Sigurinë Kombëtare nuk kanë asnjë rol në zinxhirin e komandës. Miratimi i Kongresit nevojitet për përdorimin e forcës ushtarake konvencionale, por fuqitë bërthamore mbeten në duart e presidentit, që nga agimi i erës bërthamore.

Kjo, sepse një raketë balistike armike e lançuar nga ana tjetër e botës, mund të godasë Shtetet e Bashkuara në vetëm 30 minuta.