Marrëveshje binjakëzimi mes Shkupit dhe Sarajevës

Marrëveshje binjakëzimi mes Shkupit dhe Sarajevës

SHPËRNDAJE

“Sarajeva është qyteti i 20-të me të cilin Qyteti i Shkupit binjakëzohet dhe në atë shifër ka një lloj simbolike, dhe është kryeqyteti i fundit i ish-shtetit (Jugosllavisë) me të cilin Shkupi nënshkruan këtë marrëveshje”, tha Shilegov

Kryetari i Qytetit të Shkupit dhe Sarajevës, Petre Shilegov dhe Abdulah Skaka, sot në hapësirat e objektit “Çifte Hamam” të Çarshisë së Vjetër, kanë nënshkruar Marrëveshje për binjakëzim midis dy qyteteve, me ç’rast porositën se kryeqytetet e Maqedonisë dhe Bosnjë e Hercegovinës (BeH) çmojnë shumë vlera të përbashkëta, raporton (AA)

Kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, në adresimin e tij theksoi se me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, përveç nder dhe kënaqësi i jep edhe një angazhim për të përmirësuar dhe thelluar bashkëpunimin mes dy qyteteve në shumë sfera me interes të përbashkët.

Siç tha Shilegov, marrëveshja paraqet një kurorë të një procesi i cili u zhvillua gjatë një periudhe kohore një vjeçare ndërmjet administratave të të dy qyteteve.

“Sarajeva është qyteti i 20-të me të cilin Qyteti i Shkupit binjakëzohet dhe në atë shifër ka një lloj simbolike, dhe është kryeqyteti i fundit i ish-shtetit (Jugosllavisë) me të cilin Shkupi nënshkruan këtë marrëveshje. Falë Ambasadës së Bosnjë e Hercegovinës në Shkup, e cila investoi në këtë proces dhe mundësoi cilësi për këtë takim dhe nënshkrim të marrëveshjes”, deklaroi Shilegov.

Ai informoi se me kryetarin e Qytetit të Sarajevës kanë konstatuar se mund të realizohet bashkëpunim serioz, sepse edhe Shkupi, edhe Sarajeva, por edhe qytetarët e saj, siç tha ai, vuajnë të njëjtat dobësi dhe kjo është, sipas tij, problemet me ndotjet, me urbanizimin dhe infrastrukturën.

Shilegov shprehu bindjen se kjo marrëveshje do të japë motiv të mirë që qytetarët e Sarajevës të vizitojnë Shkupin dhe bukuritë e saj, duke theksuar se “Shkupi ka çarshinë më të bukur në Ballkan, e cila është shumë autentike”.

Nga ana tjetër, kryetari i Qytetit të Sarajevës, Abdulah Skaka, falënderoi kolegun e tij nga Shkupi dhe shprehu besim se kjo do të jetë një fillim i mirë për bashkëpunimin e suksesshëm të dy qyteteve.

“Për qytetin e Sarajevës kjo është një ditë shumë e rëndësishme, për arsye se ky është qyteti i parë me të cilin Sarajeva binjakëzohet nga ish-shteti ynë i përbashkët, Jugosllavia. Edhe qyteti i Sarajevës, edhe ai i Shkupit, me të vërtetë çmojnë shumë vlera të përbaskët dhe besoj se ky është një fillim i mbarë për të dy qytetet. Jam veçanërisht i kënaqur që të dy qytetet çmojnë multi-kulturën dhe multi-etnicitetin, pastaj të dy qytetet janë të njohur dhe besoj se do të vazhdojmë atë rrugë edhe në të ardhmen dhe do ta mbajmë atë drejtim në të cilin jemi duke lëvizur”, deklaroi Skaka.

Ai bëri të ditur se Këshilli i Qytetit të Sarajevës në muajin korrik të vitit të kaluar mori vendim për binjakëzim me qytetin e Shkupit.

Skaka porositi se ndjehet tejet i kënaqur për atë që nisma për binjakëzim me Shkupin filloi nga Parlamenti Maqedonas i Fëmijëve në njërën anë dhe në anën tjetër nga Fondacioni “Fëmijët janë shtylla e botës”, për të cilën siç tha ai, “mesazhi është i qartë se të rinjtë janë zhvillimi i ardhshëm i të gjitha proceseve pozitive si të këtyre dy shteteve, ashtu edhe për rajonin dhe Evropën”.