ZAEV NJIHET ME KONTRATËN E GANIUT

ZAEV NJIHET ME KONTRATËN E GANIUT

SHPËRNDAJE

Kontratës parazgjedhore 2017-2021 për zhvillimin e komunës së Çairit i janë shtuar nënshkrime të reja. Ka qenë kryeministri Zoran Zaev, i shoqëruar nga bashkëpartiakët, Petre Shilegov dhe Muhamet Zeqiri të cilët kanë vizituar një prej lagjeve të kësaj komune, Jahja Pashë, për t’u takuar me kandidatin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Visar Ganiu dhe shefin e Shtabit Zgjedhor, Bujar Osmani, raporton aktuale.mk.

Në këtë takim kandidati Ganiu i ka prezantuar kryeministrit  Zaev dokumentin për Strategjinë e zhvillimit të komunës gjatë katër viteve të ardhshme. Përkatësisht të 11 pikat e Kontratës dhe vizionin e tij për të ardhmen e komunës, ndryshimet në përmirësimin e infrastrukturës, zhvillimit të arsimit dhe kulturës, mbështetjen për rininë dhe sportin, ruajtjen e mbrojtjen e trashëgimisë, e të tjera.

Në këtë takim kryeministri Zaev ka konfirmuar jo vetëm mbështetjen për këtë kandidaturë, besimin e respektin për personalitetin e ish zëvendësministrit të Arsimit dhe Shkencës, Ganiu, por edhe është angazhuar se do të ndihmojë në realizimin e këtij projekti. Premtimin e ka dhënë duke nënshkruar dokumentin – Kontratën 2017-2021.

Së bashku me kandidatin për kreun e Qytetit të Shkupit Shilegov, si edhe kryeministrin Zaev ata kanë shqyrtuar së bashku të gjitha projektet e propozuar, si edhe kanë diskutuar për konceptin menaxhimit të kësaj komune, problemet dhe vështirësitë që duhet të tejkalohen për të përmirësuar  si bashkëpunimin mes pushteteve lokale, por edhe ekzekutivit, por edhe jetën dhe zhvillimin e komunës dhe banorëve të saj.

Mbështetjen për kandidaturën e Ganiut dhe besimin tek ai  kryeministri Zaev e ka deklaruar hapur pas shpalljes nga BDI, duke e vlerësuar si përzgjedhjen më të mirë të mundshme për të qenë kreu i komunës Çair.