Ballina Lajme Vetëm me paratë e udhëtimeve Arifi ka mundur ta pastrojë deponinë dhe...

Vetëm me paratë e udhëtimeve Arifi ka mundur ta pastrojë deponinë dhe 4 mijë euro t’i mbeten bakshish

SHPËRNDAJE

Bomba e parë financiare e paralajmëruar për sot do të zbulojë shifra maramendëse të kryetares së Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, për udhëtime zyrtare, ushqime, akomodime në hotel dhe të tjera.

Shifrat që do të shihni më poshtë janë vetëm shpenzime për hotele luksoze dhe ushqime mbretërore, të cilat janë dukshëm më të larta se ata që kanë shpenzuar kryetarët e komunave të tjera në Maqedoni. Sipas të dhënave zyrtare të siguruara nga Ministria e Finansave në vitin 2016, Teuta Arifi, ka shpenzuar 204.000 euro për udhëtime jashtë vendit.

Këtu përfshihen shpenzimet për udhëtime, vendosje, ushqim dhe shpenzime të tjera në këto udhëtime.

Duke pasur parasysh se pastrimi i deponisë kushtoi 200 mijë euro, rezulton se tetovarët me shëndetin e tyre kanë paguar salltanet e Teuta Arifit. Vetëm me paratë e udhëtimeve ajo ka munudur moti kohë ta pastrojë deponinë, e bile ti mbeten edhe 4 mijë euro bakshish për ta rregulluar frizurën.

Sipas grafikonit të mëposhtëm mund të shihni se qytetet e tjera janë shumë larg Teuta Arifit në këto shpenzime. Arifi për shembull ka shpenzuar 10 herë më shumë se komuna e Kumanovës, po aq më shumë edhe se komuna e Manastirit që janë në madhësi të njëjtë me Tetovën.

Ndërkaq krahasuar me Ohrin, Arifi ka shpenzuar mëse 15 herë më shumë. Qyteti i dytë që ka shpenzuar më së shumti është Prilepi, 100.000 euro, por që përsëri është 50% më pak se shpenzimet e kryetares së Komunës së Tetovës.

Ndërkohë kujtojmë se Komuna e Tetovës është një ndër komunat me nivelin më të lartë të borxhit, por që i njëjti ende nuk dihet me saktësi. Vetë kryetarja e kësaj komune brenda këtij viti ka dhënë dy shifra, fillimisht 12 milion euro dhe më pas 8 milion euro. Por, për asnjërën shifër nuk ka dhënë dëshmi. Kjo rrit dyshimet se borxhi mund të jetë shumë më i lartë.